E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta vijon vizitën në Londër, takime me personalitetet e politikës britanike



Lideri i LSI-së, Ilir Meta, gjatë vazhdimit të vizitës së tij në Britaninë e Madhe, ka qenë i ftuar dje në “Dauning Street”, ku tema kryesore e bisedimeve në takimet që ai zhvilloi kishte të bënte me zgjedhjet. Kështu, kreu i LSI-së, Meta, është pritur në një takim të veçantë nga Stjuart Udds, i cili është këshilltari për politikën e jashtme i kryeministrit Gordon Braun. Në takimin e zhvilluar me zotin Udds, lideri i LSI-së ka shprehur shqetësimin e tij për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit në vendin tonë dhe zhvillimin e tyre sipas standardeve. Në ditën e dytë të vizitës së tij në Londër, kryetari i LSI-së është pritur gjithashtu në “Foreign Office” nga Karoline Flint, e cila është ministre për Europën e Britanisë së Madhe. Edhe gjatë këtij takimi tema kryesore e bisedës ka qenë e fokusuar te zgjedhjet e qershorit në Shqipëri. Duke bashkëbiseduar me Karoline Flint, kryetari i LSI-së, Ilir Meta, është shprehur për forcimin e mëtejshëm të raporteve dhe marrëdhënieve me Britaninë e Madhe. Ndërkohë, lideri i LSI-së, Ilir Meta, ka takuar edhe kryetarin e Komisionit të Jashtëm në Parlamentin britanik, Mike Gapes. Meta dhe Gapes kanë diskutuar për zgjedhjet në Shqipëri, ku kreu i Komisionit të Jashtëm i Parlamentit britanik, Gabes, është shprehur se këto zgjedhje kanë rëndësi të veçantë në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Njëkohësisht Gapes ka vlerësuar edhe kontributin e dhënë nga lideri i LSI-së, Meta, për politikën rajonale. Një takim të veçantë kreu i LSI-së zhvilloi me nënkryetarin e opozitës britanike, Alister Burt. Gjatë takimit të zhvilluar me Burt, Meta diskutoi mbi situatën politike në Shqipëri, veçanërisht për zgjedhjet e ardhshme, si dhe për situatën në rajon.

13 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›