E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nano aplikon për kartë dhe flet për politikën



Ish-kryeministri dhe ish-kryetari i Partisë Socialiste, Fatos Nano, është shfaqur dje në publik teksa së bashku me bashkëshorten e tij ka aplikuar për t’u pajisur me kartë identiteti. Pas aplikimit Nano ka dhënë një prononcim për gazetarët, ku ka deklaruar se Partia Socialiste nuk përfaqësohet nga politika e saj zyrtare. “Natyrisht, nuk mund të jem pranë një politike që është në vlerësimin tim e pakuptimshme, pavarësisht nga etiketat e reja. Dhe e pafrytshme jo vetëm për shqiptarët në përgjithësi, por edhe për popullin e majtë në veçanti, madje vazhdoj të mendoj se si është e mundur që politikanët e rinj nuk po kalkulojnë as interesat e karrierës së tyre personale. Nuk besoj se Partia Socialiste përfaqësohet nga politika e sotme zyrtare”, - tha Nano. I pyetur nëse do të kandidonte për deputet në zgjedhjet e 28 qershorit ai tha se nuk e kishte shtruar ndonjëherë një pyetje të tillë.

Miratohet ngritja e Komisionit për monitorimin e procesit zgjedhor

Dy partitë e mëdha miratuan dje, pas një shtyrje të gjatë, ngritjen e Komisionit parlamentar për monitorimin e përgatitjes së procesit zgjedhor. Më në fund maxhoranca dhe opozita gjetën konsensusin për formulën e përbërjes së tij. Pas kontestimeve disamujore të socialistëve, që kërkonin kryesimin, Komisioni do të drejtohet nga Ilir Rusmali dhe me nënkryetar Kastriot Islamin. Ai do të monitorojë, sipas kërkesës së PS-së, përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore. Pjesë përbërëse e këtij komisioni do të jenë deputetët Blendi Klosi, Fatmir Xhafaj, Albert Divjaka e Kastriot Islami nga e majta, si dhe Ilir Rusmali, Arian Madhi, Fatos Hoxha nga e djathta.

13 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›