E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjiknuri: “Kartat”, procesi po dështon dhe po rrezikon zgjedhjet, qeveria përgjegjëse



Partia Socialiste deklaron se procesi i shpërndarjes së kartave të identitetit ka hyrë në një fazë kritike, është në prag të dështimit dhe si pasojë, po kërcënon në mënyrë të drejtpërdrejtë zgjedhjet e lira të 28 qershorit. Sekretari për çështjet zgjedhore në Partinë Socialiste, Damian Gjiknuri, akuzoi qeverinë “Berisha” si përgjegjëse kryesore të dështimit të këtij procesi. “Procesi i pajisjes me letërnjoftime ka hyrë në fazën më kritike, duke kërcënuar në mënyrë të drejtpërdrejtë zgjedhjet e lira në vend. Problemet me shtrirjen e sistemit dhe mungesa e masave organizative për ecurinë normale të këtij procesi, po ndikojnë në mënyrë thelbësore në dështimin e objektivit për pajisjen me prioritet me letërnjoftime pa pasaportë. Kjo situatë ka përgjegjës, duke bërë që publiku dhe politika shqiptare të kërkojnë përgjigje për këtë. Natyrshëm lindin disa pyetje, që meritojnë përgjigje: Kush është përgjegjës që në kontratën me koncesionarin ishte parashikuar që zyrat e aplikimit të hapeshin 4 muaj nga lidhja e kontratës në të gjithë Shqipërinë, pra në nëntor 2008, ndërkohë sot ky sistem akoma nuk është shtrirë në të gjithë vendin? Kush është përgjegjës që në kontratë parashikohet që qendra e personalizimit të të dhënave duhej të hapej 5 muaj nga lidhja e kontratës, pra në dhjetor 2008, kur kjo qendër u hap vetëm në shkurt të vitit 2009? Kush është përgjegjës që për shpërndarjen e letërnjoftimit duhet më shumë se 1 muaj nga momenti i aplikimit, ndërkohë që në aktet nënligjore në fuqi parashikohet që letërnjoftimi të lëshohet jo më vonë se 2 javë nga aplikimi? E pra pyetjet e mësipërme kërkojnë përgjigje, pasi janë kryesisht rrethanat e mësipërme që kanë sjellë situatën në të cilën ndodhemi. Apriori, i takon qeverisë të marrë përgjegjësitë përsipër dhe t’u përgjigjet këtyre pyetjeve, për të qartësuar njëherë e mirë përgjegjësinë e saj politike e ligjore”, - tha Gjiknuri.

13 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›