E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekspertët e BE-së nisin verifikimet në terren rreth kushteve për vizat



Ditët e fundit kanë zbarkuar në vendin tonë ekspertët e Komisionit Europian, të cilët janë të ngarkuar me verifikimin e kushteve që i janë vënë qeverisë shqiptare në kuadër të lehtësimit dhe liberalizimit të vizave. Para dhënies së vendimit në fund të qershorit të këtij viti, të gjitha shtetet e rajonit, përfshirë edhe Shqipërinë, do të kalojnë në testim për katër sektorë, të cilët kanë mbi 40 standarde që duhet të zbatohen në mënyrë rigoroze. Ato kanë të bëjnë me reformat në fushën e rendit dhe të sigurisë, menaxhimit të kufijve, të të drejtave të njeriut dhe minoriteteve, dhe e fundit, me garancinë e dokumenteve të identitetit. Ata do të kenë takime të karakterit teknik me drejtues të institucioneve të ndryshme që janë të përfshirë në reformat e kërkuara, si Policinë e Shtetit, me të gjitha institucionet e varësisë, Ministrinë e Jashtme, Ministrinë e Brendshme. Një vend të veçantë do të zërë edhe testimi që do t’u bëhen dokumenteve të reja të identitetit. Për herë të parë kartat e identitetit do të testohen nga ekspertët e Komisionit Europian. Ndërkaq, një minus për qeverinë shqiptare është fakti se nuk ka nisur shpërndarjen e pasaportave biometrike. Disa vende të rajonit, përfshirë edhe Maqedoninë dhe Serbinë, e kanë nisur një proces të tillë. Ndonëse pritet një vendim nga Komisioni Europian, ministri i Jashtëm Lulzim Basha ka deklaruar publikisht se deri në gjysmën e parë të vitit 2010 shqiptarët do të udhëtojnë pa viza në vendet e Bashkimit Europian.

13 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›