E Shtunë, 31 Tetor 2026

Avokati i Popullit: Drafti për buxhetin, antikushtetues

Ermir Dobjani ankohet për mënyrën sesi Financat kanë hartuar buxhetin e ri


TIRANË- Një tjetër institucion që ka ikur "duarbosh" nga Komisioni i Ligjeve ka qenë edhe ai i Avokatit të Popullit, i cili nuk ka mundur të bindë jo vetëm përfaqësuesit e Ministrisë së Financave, por as deputetët e djathtë, që të bëjnë ndryshime lidhur me zërin e investimeve.


Në një material shkresor me të gjitha pretendimet e këtij institucioni të lexuar edhe në prani të deputetëve të këtij komisioni, Avokati i Popullit Ermir Dobjani ka denoncuar mënyrën sesi Ministria e Financave ka hartuar buxhetin e këtij viti, madje ai nuk ka nguruar ta cilësojë këtë proçes edhe antikushtetuese, pasi, sipas tij, Kushtetuta përcakton se ky institucion ka buxhet të veçantë dhe ai propozohet prej tij në Komisionin e Ekonomisë, i cili ia paraqet për miratim Kuvendit.


"Ne gjykojmë se në vazhdimësi nuk zbatohet kjo dispozitë e Kushtetutës dhe e ligjit "Për Avokatin e Popullit" që sjellë si pasojë që projekti hartohet nga teknicenët e Ministrisë së Financave që nuk i marrin sa duhet në konsideratë kërkesat, nevojat dhe specifikat e punës së këtij institucioni", - tha Avokati i Popullit, Ermir Dobjani. Por, ndaj një pretendimi të tillë ka reaguar kreu i komisionit të Ligjeve Ilir Rusmali, i cili ka theksuar se është e pahijshme për një institucion të tillë të pretendojë një gjë që nuk qëndron.


"Nëse ju nuk keni pasur mundësi të diskutoni me ministrinë e Financave kjo është gjë tjetër, por që ju të vini sot se hartimi i këtij buxheti për këtë institucion është bërë në kundërshtim me Kushtetutën kam përshtypjen se jemi në një shinë krejt të palogjikshme dhe të pajustifikueshme", - tha Rusmali.


Ndërsa, duke u ndalur tek kërkesat Avokati i Popullit, Dobjani vuri theksin tek zëri investimeve. Kështu ai ka kërkuar një fond shtesë për izolimin nga uji të tarracës së institucionit, për vendosjen e sistemit të sigurisë, si dhe për pajisjet për zyrat.


"Tashmë janë bërë dhe zyrat e reja dhe punonjësit nuk kanë pajisje ku të punojnë. Pra më ke dhënë tarracën dhe s'më ke dhënë pajisjet, pasi unë atë do bëj të parën se s'mund të lë që një ambient të mos jetë i izoluar.


Por unë kam nevojë edhe për këto gjera të tjera, pasi më duhet të blej pajisje zyre, sepse njerëzit nuk do rrinë në karrige që të bien nga vendi dhe të grisin pantallonat", - tha Dobjani, ndërsa ka hedhur poshtë pretendimet e përfaqësueses së Ministrisë së Financave e cila pretendonte se një pjesë e kërkesave për fonde shtesë ishin për blerje makinash të cilat, sipas saj, për shkak të ligjit të ri për transportin nuk janë miratuar.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›