E Shtunë, 31 Tetor 2026

Avokati i Popullit: Duhet një mjek në Shtëpinë e të Moshuarve

 

SHKODER - Mungesa e një mjeku në Shtëpinë e të Moshuarve në Shkodër është konsideruar si një fakt shqetësues, jo vetëm nga drejtuesit e këtij institucioni, por edhe nga përfaqësues të Avokatit të Popullit. Pak ditë më parë përfaqësues të kësaj zyre kanë bërë një inspektim në ambientet e Shtëpisë së të Moshuarve dhe në Shtëpinë e Fëmijëve Jetimë në Shkodër. Grupi i inspektorëve e ka cilësuar si jo normale dhe të pajustifikueshme mungesën e asistencës mjekësore në Shtëpinë e të moshuarve në Shkodër. Në këtë institucion janë rreth 60 persona, mes të cilëve jo vetëm të strehuar për shkak të moshës, por dhe ata që janë braktisur nga familjarët apo dhe të sëmurë. Pikërisht është ky grup qytetarësh që kërkon më shumë se kushdo tjetër trajtimin e mjekëve. Mungesa e asistencës së mjekëve në këtë institucion ka nisur që në janar të 2009. Deri në dhjetor të 2008 asistenca mjekësore sigurohej nga një mjek i punësuar me kontrate part-time. Që nga janari i këtij viti mjeku është larguar për shkak të shkurtimit të fondit për pagesën e këtij mjeku nga ana e Ministrisë së Punës e Çështjeve Sociale. Problem tjetër në këtë Shtëpi ishte dhe mungesa e veshmbathjeve, fakt i justifikuar me mungesën e fondit përkatës. Sipas inspektorëve, stafi i Shtëpisë së të Moshuarve ka ngritur si shqetësim mungesën në listën e pranimit për këta persona nga shërbimi social, të librezës shëndetësore. “Kjo e vështirëson punën, pasi personat e strehuar janë nga rrethe të ndryshme të vendit”, theksohet në raport. Nga ana tjetër, grupi i inspektimit ka vënë në dukje dhe pikat e forta të këtij institucione: punën e mirë të stafit, kushtet e banimit, rikonstruksioni i ndërtesës, mobilimi i dhomave etj. Ndërsa Shtëpia e Fëmijëve në Shkodër problem ka lagështinë në ndërtesë, e cila po kthehet në shqetësim për shëndetin e fëmijëve. Dhe në këtë institucion, mungesa e veshjeve ishte problem. Numri i fëmijëve që strehohen këtu është 36 fëmijë, ndër të cilët 26 djem dhe 10 vajza të moshës 6-15 vjeç. “Lagështinë e ka krijuar tarraca e cila prej shumë kohësh kishte problem me hidroizolim”, shkruhet nga inspektorët. Furnizimi me artikujt e veshmbathjes së tyre ishte një shqetësim tjetër i rëndësishëm për këta fëmijë dhe fondi i vënë në dispozicion nuk mjaftonte, duke pasur parasysh se në këtë moshë është edhe kulmi i zhvillimit të tyre fizik. Për furnizimin normal me ujë pritet të kryhet së shpejti një investim në Shtëpinë e Fëmijëve.                 r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›