E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përplaset makina e kryekomunarit, vdes e moshuara

Një aksident i rëndë automobilistik i ka marrë jetën një gruaje, ndërsa janë plagosur tre persona të tjerë. Në ngjarjen rrugore është përfshirë kryetari i Komunës Helmës të Kavajës, Namir Gjoci, i cili ka qenë drejtues i automjetit, ndërsa viktima është një e afërme e tij. Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e djeshme, pranë mbikalimit të Shkozetit. Viktima është Nafsoje Laçi, 68 vjeçe, nga Helmësi i Kavajës, e cila ka qenë në ndenjësen e parë të automjetit tip "Mercedes Benz" me targa të Kavajës, KJ 6734 A. Ndërkaq, të plagosurit mësohet se janë: Fiqiri Laçi, Namir Gjoci dhe Sheqere Edibati. Drejtuesi i automjetit, kryekomunari Gjoci, është përpjekur të shmangë përplasjen me një këmbësore dhe ka devijuar nga rruga pa mundur ta shmangë atë. Sheqere Edibati ka qenë duke kaluar nga një krah i rrugës në tjetrin afër mbikalimit të Shkozetit, kur në drejtim të saj ka ardhur automjeti me ngjyrë gri. Pas përplasjes së saj, drejtuesi e ka humbur kontrollin mbi automjetin dhe ka rënë në kanal. Rezultat i përmbysjes së automjetit ka qenë vdekja e 68-vjeçares, plagosja e kryekomunarit Gjoci dhe një tjetër personi që ndodhej në mjet, Fiqiri Laçit. Të tre të aksidentuarit janë dërguar në spitalin rajonal të Durrësit për të marrë mjekimin e duhur, ndërsa inspektorët e qarkullimit rrugor po punojnë për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e vërteta të këtij aksidenti. Paraprakisht është vlerësuar se aksidenti është shkaktuar si rezultat i shpejtësisë në lëvizje të automjetit dhe kalimit të gabuar të rrugës nga kalimtarja. Burimet policore bënë të ditur se nuk është marrë ende asnjë masë sigurie ndaj drejtuesit të automjetit, i cili ndodhet në spital, nën trajtim mjekësor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›