E Diel, 1 Nëntor 2026

Mirditë, përleshen kosovarë e vendas, ndëshkim policëve

 

MIRDITE/ Roland Nikolli

Policia e Shtetit ndëshkon 12 oficerë të policisë në Mirditë. Shkak është bërë mosregjistrimi i procedimit penal të një ngjarjeje të ndodhur 10 ditë më parë, ku rreth 40 persona, kosovarë e mirditorë janë përleshur duke përfunduar disa të lënduar në spitalin e Rrëshenit. Mësohet se efektivët e policisë janë ndëshkuar duke i ulur në detyrë, si dhe masa të tjera administrative. Siç bëhet e ditur, jashtë kësaj “furtune” të Policisë së Shtetit nuk do të mbeten as drejtuesit e policisë së Mirditës, të cilët dyshohet se kanë mbajtur të fshehur konfliktin e përgjakshëm. Sipas burimeve të sigurta nga radhët e policisë mësohet se një grup kosovarësh janë përplasur me 5 persona që ndodheshin në një makinë me targa zvicerane. Konflikti mes kosovarëve dhe mirditorëve ka nisur sapo kanë kaluar tunelin e Thirrës, ndërsa udhëtonin në drejtim të Tiranës. Shkak i sherrit është bërë parakalimi i makinës me targa të Zvicrës. Më pas rruga është përshkuar duke parakaluar njëri-tjetrin, duke rrezikuar deri në përplasjen e tyre, por edhe të mjeteve që vinin përballë. Mësohet se 20 kosovarë po udhëtonin në disa makina autokolonë kur janë ndaluar në hyrje të qytetit të Repsit. Për shkak dhe të numrit më të lartë ata kanë mundur të rrahin 5 mirditorët. Por, këta të fundit nuk janë mjaftuar me kaq. Ata kanë njoftuar shokët e tyre, duke u zënë pritë të rinjve nga Kosova tek ura e Matit. Gjatë përleshjes disa prej kosovarëve u dëmtuan dhe për këtë arsye u detyruan të shkonin në spitalin e Mirditës. Sipas policisë së Mirditës, kosovarët nuk kanë pranuar të kryejnë denoncim. Por të nesërmen e konfliktit të lënduarit i janë drejtuar drejtorisë së Policisë së Shtetit, ku kanë akuzuar policinë e Mirditës se nuk kishte pranuar të merrte denoncimin e tyre. Policia e Shtetit ka urdhëruar hapjen e çështjes, ndërsa janë marrë masat e para ndëshkuese tre ditë më parë për 12 oficerë dhe inspektorëve të rendit. Policia e Shtetit i ka cilësuar ata fajtorë, duke pohuar se ata kanë mbërritur në vendin e ngjarjes ku edhe ka qenë konflikti, por nuk kanë filluar ndjekjen penale për agresorët. Nga ana e tyre, përfaqësuesit e policisë së Mirditës janë shprehur se kosovarët kanë refuzuar që të bëjnë denoncim, refuzim i cili sërish nuk është faktuar në  dokumente.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›