FMN e përmbyll këtë vit misionin e saj në Shqipëri
Shqipëria pritet që këtë vit të mbarojë marrëveshjen e fundit mbikëqyrëse me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Ministri i Financave, Ridvan Bode, njoftoi dje se ka filluar ndërkohë negociatat për rishikimin e marrëveshjes ekzistuese me FMN-në, ndërkohë që bëri të ditur se, “kjo është marrëveshja e fundit me fondin dhe se më pas Shqipëria do të marrë statusin e një ekonomie në zhvillim”. Këto janë terma teknikë për të njoftuar se Shqipëria nuk ka ndër mend të nënshkruajë një marrëveshje të re mbikëqyrjeje me FMN-në, pas përfundimit të kësaj aktuale. Marrëveshja ekzistuese, një shtojcë e programit për uljen e varfërisë, u nënshkrua në vitin 2005. Edhe në atë kohë, pati rezistencë nga pala shqiptare për të hedhur prapa krahëve periudhën e mbikëqyrjes së vazhdueshme të FMN-së mbi financat publike dhe politikat ekonomike të qeverisë, por gjithsesi, Kryeministri dhe ministri i Financave e pranuan vijimin e mbikëqyrjes deri në vitin 2008. Në 14 maj, qeveria shqiptare po përgatitet të zhvillojë një forum për të diskutuar për periudhën post-FMN-ë.
16 Maj 2008