E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji “Për falimentimin”, parametra të rinj në treg



Ministri i Financave, Ridvan Bode, u shpreh dje gjatë diskutimit në Parlament të projektligjit "Për falimentimin" se, do të vendosen rregulla dhe parametra në treg. Sipas tij, mungesa e eficencës dhe moszbatimi i ligjit aktual të falimentimit, çoi në ndërmarrjen e këtyre ndryshimeve. Ministri Bode, tha se ndryshimet kërkojnë t'i japin fund situatës, ku individët që futen në treg nuk paguajnë taksa dhe konkurrojnë në mënyrë të pandershme. Sipas Bodes, projektligji rrit përgjegjësinë e administratës tatimore dhe doganore për të denoncuar bizneset që konkurrojnë në mënyrë të pandershme. Ministri Bode nënvizoi se, “nevoja e një ligji të ri për procedurat tatimore erdhi pasi të metat dhe mangësitë e ligjit aktual për procedurat tatimore, inkurajojnë lulëzimin e ekonomisë informale, e cila bazohet tek transaksioni në cash”. Projektligj është produkt i një bashkëpunimi të gjatë mes Ministrisë së Financave dhe USAID-it, në kuadrin e programit të Sfidës së Mijëvjeçarit. Projektligji do të përmbajë katër parime, adoptimin e praktikave më të mira ndërkombëtare dhe të BE-së, mbrojtjen e të drejtave të tatimpaguesve, përdorimin e metodave moderne të administratës tatimore dhe minimizimin e konflikteve tatimore.

Nis për të tretin vit Forumi botëror ekonomik “Crans Montana”

Është çelur dje për të tretin vit radhazi në Shqipëri Forumi ekonomik botëror i “Crands Monatna”-s. Tema e parë e diskutimeve në forum ka qenë “Zhvillimi bankar dhe financiar”. Ministri i Financave, Ridvan Bode, që çeli takimin, u shpreh se, “mjafton një tronditje në një bankë të vetme dhe preket i gjithë rajoni, pasi në të gjitha vendet ballkanike veprojnë të njëjtat banka”. Sipas Bodes, “sektori financiar dhe ai bankar kanë njohur ritme të shpejta zhvillimi jo vetëm në Shqipëri por edhe në të gjitha vendet e rajonit”. Gjatë këtyre tri ditëve të këtij forumi do të jenë tri tema kryesore që do të diskutohen: “Sistemi financiar dhe ai bankar”, “sektori energjetik”, “privatizimet dhe investimet e huaja”. Në forumin “Crans Montana” marrin pjesë përfaqësuesit më të lartë të biznesit vendas, por edhe të huaj. Po kështu marrin pjesë edhe drejtues të qeverisë shqiptare, por edhe atyre të vendeve të rajonit. Paneli i parë ka pasur në qendër zhvillimin e sistemit financiar dhe atij bankar në Shqipëri dhe në rajonin e Europës Juglindore.

Energjia, Shqipëria dhe Kosova, projekte të përbashkëta prodhimi

Shqipëria dhe Kosova do të lidhen me një linjë të përbashkët intrekonjeksioni 400 kilovolt, e cila do të bëjë të mundur balancimin e burimeve prodhuese të energjisë. Kjo duke pasur parasysh se sistemi ynë energjetik bazohet te burimet hidro, ndërsa ai kosovar tek burimet termo. Ndërtimi i linjës së interkonjeksionit është edhe projekti më i fundit për të cilin u diskutua edhe gjatë takimit të djeshëm midis delegacionit kosovar dhe ministrit të Energjetikës, Genc Ruli. Paralelisht me ndërtimin e kësaj linje, Kosova ka planifikuar shtimin e burimeve prodhuese të energjisë, me ndërtimin e një termocentrali të ri të fuqishëm me qymyr. Ndërkohë, mes dy vendeve vazhdon dhe shkëmbimi i energjisë elektrike, në bazë të marrëveshjes së lidhur nga dy korporata elektroenergjetike, KESH-i shqiptar dhe KEK-u i Kosovës. Aktualisht Shqipëria po depoziton energji në Kosovë, për ta rimarrë atë gjatë periudhës së dimrit, atëherë kur konsumi në vend rritet ndjeshëm.

16 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›