E Diel, 1 Nëntor 2026

Patozi: Pakti mes dy partive, i mbështetur mbi parimet

TIRANË “Pavarësisht se është bërë zakon që në stinët e marrëveshjeve apo mirëkuptimit bëhet kujdes që të evitohet përmendja e bilanceve negative, unë nuk mund të rri pa thënë që tek e fundit këto dy vite ne humbëm shumë kohë dhe u vonuam në mënyrë të njëanshme jo për fajin tonë, jo thjesht nga një përplasje rutinë midis mazhorancës dhe opozitës, por nga një qëndrim i mbrapshtë politik që binte ndesh me axhendën e integrimit”, - tha dje kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, rreth paktit të arritur zyrtarisht mes dy partive kryesore në vend. Sipas këtij pakti, socialistët bien dakord të nisin diskutimin dhe të miratojnë një pjesë të ligjeve me 3/5-at që nuk kanë nevojë për ndonjë ndërhyrje të madhe, ndërsa demokratët kanë pranuar që të ngrenë një grup pune për të punuar për reformën parlamentare; së dyti, të ngrenë komisionin e posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore. Për pasojë, Patozi ka sqaruar se ky është një pakt i mbështetur mbi parime. “Kjo është një marrëveshje tërësisht parimore, e cila nuk prek asnjë qelizë të pushtetit. Pra nuk ka asgjë që dhurohet në tavolinë, është një marrëveshje tërësisht principale e arritur mes palëve. Mesa duket, opozita shqiptare është kthyer me këmbë në tokë”, - tha Patozi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›