Avokati i Popullit: Rasho të rehabilitohet
Institucioni i Avokatit të Popullit ka kërkuar rehabilitimin e 22-vjeçarit Fatmir Rasho, i cili prej tre vitesh është mbajtur në kushte çnjerëzore prej familjarëve të tij. Sipas Avokatit të Popullit, institucionalizimi në një spital psikiatrik do të ndikojë negativisht në humbjen e mëtejshme të aftësive elementare që aktualisht ai i zotëron. Ka nevojë për trajtim psiko-social, programe të veçanta rehabilitimi, mbështetje dhe siguri të cilat ia ofrojnë vetëm institucionet përkatëse (qendra rezidenciale rehabilituese) për individë që janë me prapambetje mendore. Ndërkaq, Avokati i Popullit ka rekomanduar autoritetet përkatëse të sistemojnë të sëmurin në Qendrën e Zhvillimit të Përkujdesit Shoqëror në Vlorë dhe ngritjen e një qendre të posaçme për kategorinë e personave me aftësi të kufizuara (të sëmurë mendorë), që janë mbi moshën 25 vjeç.