Remonti në linja lë pa punë minierën e Bulqizës
Remontet në linjat e tensionit kanë lënë pa energji elektrike pjesën më të madhe të Qarkut të Dibrës. Terri nuk ka kursyer as Minierën e Nxjerrjes së Kromit në Bulqizë, e cila dje është detyruar të ndërpresë punën. Vetëm pompat e nxjerrjes së ujit nga galeritë dhe nivelet e thella të nëntokës, kanë funksionuar në minierë, ku energjia është siguruar nëpërmjet ndezjes së motorëve me naftë. Ndërkohë në qytete është rikthyer zhurma e gjeneratorëve, të cilët janë ndezur nga lokalet e shërbimit dhe bizneset, në qytetet Peshkopi, Bulqizë, Klos dhe Burrel, duke risjellë në kujtesë mungesën e energjisë të viteve më parë. Burime nga agjencitë elektrike të rretheve bëjnë me dije se shkak i kësaj ndërprerjeje të jetë bërë remonti në linja nga specialistët e OSSH-së. Po sipas këtyre burimeve, ndërhyrja ka qenë domosdoshmëri për shkak të amortizimit të tejskajshëm të këtyre linjave, pasi nuk është ndërhyrë për riparimin e tyre prej shumë vitesh. Ndërprerja e rrymës ka zgjatur për nëntë orë, nga ora 09.00-17.00 dhe ka zhytur të terr të gjithë qarkun.
Hy.Li.
Hy.Li.