"Fëmijët e tij", kërkohet në SHBA dëshmia e të miturit
Gjykata e Tiranës i ka kërkuar autoriteteve të drejtësisë shqiptare që të marrin kontakte me Gjykatën e shtetit të Floridës në SHBA, pasi në këtë shtet ndodhet një nga të miturit që është dhunuar në qendrën "Fëmijët e tij" në Tiranë. Gjyqtarja Shefkie Demiraj tha se tre të miturit, viktima të skandalit të pedofilisë që tronditi vendin pak vite më parë, njëkohësisht edhe dëshmitarë në një nga proceset gjyqësore në ngarkim të të pandehurve Robin Arnold dhe Dino Kristodulu, të akuzuar për marrëdhënie homoseksuale me të mitur, janë zhdukur. Në pritje të dëshmisë së fëmijëve me inicialet L.K., D.M. dhe G.B., prej tre muajsh gjykata nuk po arrin t‘i dëgjojë ata, pasi nuk po gjenden me gjithë kërkimet policore. Policia nuk i ka gjetur ende, çka detyroi gjykatën të urdhërojë sërish kërkimin e të miturve, ndërsa ka informacione se njeri prej tyre ndodhet në SHBA.