Vlorë
Identifikohet autori i plagosjes së dy të rinjve nga Vlora mbrëmjen e së mërkurës pranë një qendre interneti. Sipas policisë lokale, mësohet se autori i dyshuar për këtë ngjarje është Real Osmani, 25 vjeç nga qyteti i Vlorës, i cili ka pasur për bashkëpunëtor 22-vjeçarin G. Birçe. Ndërkohë që është kapur arma e krimit, e cila është pistoletë e llojit TT, autori i ngjarjes ende nuk është vënë në prangat e policisë. Akuzat që rëndojnë mbi të janë "vrasje me paramendim e ngelur në tentativë", si edhe "armëmbajtje pa leje". Ndërsa policia ka zbardhur skenën e ngjarjes. Mbrëmjen e së mërkurës, rreth orës 21.45, në pjesën e jashtme të një internet kafeje, rreth 200 metra nga vendi i njohur si kryqëzimi i pastiçeri "Rinia", katër të rinjtë janë përfshirë në një sherr, i cili ka degraduar në goditje me armë dhe me dy të plagosur. 25-vjeçari Osmani fillimisht ka qëlluar në ajër, e më tej në drejtim të 33-vjeçarit Altin Naka. Ai ka marrë tre plumba, dy prej të cilave në kraharor dhe një në këmbë. Ndërsa shoku i tij, Robert Duka, vetëm është qëlluar në kokë me qytën e pistoletës nga autorët, si edhe me një skafandër motori. Pas ngjarjes, autorët janë larguar në drejtim të paditur, ndërsa dy të lënduarit janë çuar në spitalin rajonal të Vlorës. Naka është futur në sallën e operacionit, ku sipas mjekëve ende vijon të jetë në rrezik serioz për jetën. Ndërsa miku i tij është në mbikëqyrjen e mjekëve pa ndonjë rrezik për jetën. Policia ka shoqëruar mbi 10 persona, midis të cilëve edhe dëshmitarët që panë ngjarjen dhe po punohet për arrestimin e autorëve të ngjarjes.
M.Marsi
M.Marsi