E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vidhen kapakët e pusetave. Unaza, burim aksidentesh

Prej disa javësh, në gjysmën e Unazës së qytetit të Shkodrës, e cila sapo ka përfunduar punimet, pusetat e hapura janë kthyer në burim aksidentesh për kalimtarët dhe drejtuesit e automjeteve. Në lidhje me këtë situatë, drejtues të bashkisë shprehen se të gjitha pusetat kanë pasur kapakë, por janë vjedhur dhe shitur për skrap. Pavarësisht se rruga është zgjeruar, asfaltuar dhe ndriçuar, sërish Unaza e qytetit mbetet burim shqetësimi për drejtuesit e automjeteve. Në çdo 500 metra në Unazë në mes të rrugës qëndrojnë pusetat e hapura pa kapakë. Pothuajse çdo drejtues mjeti që kalon për herë të parë në atë rrugë, bëhet viktimë e kapakëve të hequr, duke rënë brenda. Në jo pak raste, mungesa e kapakëve ka shkaktuar aksidente, shpesh dhe me pasoja të rënda. Banorët e zonës, që janë dhe dëshmitarët të aksidenteve të shkaktuara nga pusetat pa kapakë shprehen se çdo ditë ka mbi 10 makina që bien brenda, pasi nuk e njohin rrugën dhe puseta e hapur nuk shihet nga larg. Po sipas banorëve, aksidentet më të shumta shkaktohen gjatë natës ose në kohë me shi, kur dhe fushëpamja e drejtuesve të automjeteve është më e kufizuar. Drejtuesit e Bashkisë së Shkodrës shprehen se shumë shpejt do të ndërhyhet, duke vendosur kapakët në të gjitha pusetat përgjatë rrugës së Unazës, por deri më atëherë nevojiten tabela rrugore paralajmëruese që tregojnë rrezik në rrugë.

Ar.Ho.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›