Kombinati i sheqerit "vidhet" për skrap
Vjedhjet për skrap nuk kanë lënë pa prekur as kombinatin e përpunimit të panxharsheqerit në Maliq. Pajisjet e vjetra metalike, pulti i komandimit, pjesë të pajisjeve të reparteve të centrifugimit, distilimit, filtrimit e kristalizimit janë bërë pre e vjedhjeve për skrap, duke dëmtuar edhe ato pajisje që kanë qenë në gjendje më të mirë pune. Kombinati i sheqerit në Maliq po përjeton "ndëshkimin" e radhës pas mbylljes së tij dhe shkatërrimit të plotë prej më shumë se një dekade. Objektet dhe pajisjet e tij po grabiten, duke i hequr reparteve të vetmet pjesë që kanë mbetur nga historia e dikurshme e këtij gjigandi të industrisë ushqimore. Mjediset tashmë të shkatërruara dhe muret e çara kanë favorizuar vjedhjet e shumta të makinerive. Autorët kanë hapur vende në mure nga ku mund të depërtojnë në pjesët ku mbahen ende pajisje të shumta, edhe pse pjesa më e madhe e tyre janë të ndryshkura. Në një nga katet e fabrikës së re, të ndërtuar në vitin 1979, përgjegjësit e mirëmbajtjes kanë konstatuar sërish lëvizje të objekteve dhe pajisjeve, si dhe të pjesëve metalike të cilat janë bërë gati për t‘u hequr përfundimisht për të kaluar për shitje për skrap. Kjo është e disata herë që në këtë kombinat konstatohen vjedhje të pjesëve metalike të pajisjeve dhe dëmtimi i sistemeve që kishin rezistuar në kohë e që kishin shpresa për t‘u vendosur në gjendje pune. Sipas Pranvera Begolli, drejtoreshës që kujdeset për mirëmbajtjen e këtij kombinati, çdo ditë konstatohen mungesa të objekteve dhe zhvendosje të pjesëve metalike që vidhen për skrap. "Kemi denoncuar shumë herë vjedhje që ndodhin në këtë kombinat, të cilat përfundojnë të shiten si skrap. Fabrikat janë shkatërruar plotësisht dhe autorët kanë qenë nën moshën ligjore, edhe kur janë kapur nga policia. Për shkak të moshës së mitur, këta persona lihen të lirë dhe vijnë sërish për të kryer vjedhje. Së fundmi kemi konstatuar se janë lëvizur pjesë nga pajisjet dhe kanë vjedhur telat e bakrit nga pulti i komandimit", pohon Begolli. Sipas policisë autorët janë minorenë dhe ndonëse janë shoqëruar disa herë në komisariat, nuk mund të ndëshkohen për shkak të moshës.
Ju.Dh.
Ju.Dh.