E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hedhin shashka në shkollë, pezullohet mësimi

Një shaka e pazakontë ka ndërprerë mësimin në të gjitha klasat e shkollës 9-vjeçare "Adem Sheme" të Sarandës. Një grup djemsh, nxënës nga klasa të ndryshme të shkollës, janë përfshirë në një "shaka" me zarar. Në kohën e pushimit të madh midis orëve të mësimit, ata kanë provuar të hedhin shashka plasëse në oborrin e shkollës dhe deri në mjedise të brendshme, për të vënë shokët dhe shoqet e tyre në situatë të frikshme. Stafi i mësuesve ka pezulluar mësimin në shumicën e klasave të shkollës. Sipas drejtoreshës së kësaj shkolle, Kristina Prenga, kjo masë ishte e pashmangshme, pasi fëmijët dukeshin shumë të trembur nga skenat që kishin përjetuar, duke dëgjuar e duke u kërcënuar nga plasjet e rrezikshme të shashkave plasëse. Fatmirësisht nuk ka pasur asnjë të lënduar nga kjo lojë e improvizuar dhe se nuk është bërë denoncim në polici, ndërkohë që vazhdon identifikimi i autorëve të ngjarjes, të cilët është menduar "të shpëtojnë" me seanca këshillimi nga mësuesit dhe prindërit. Gjatë vitit të kaluar mësimor, një lojë e ngjashme "me zarar", u improvizua nga nxënës të vitit të parë të shkollës jopublike "Dea" të qytetit të Sarandës. Në ditën e 1 prillit 2009, e njohur si dita e gënjeshtrave, rreth 10 nxënës të asaj klase morën tableta gjumëndjellëse të llojit valium, për të sfiduar mësuesit e tyre në kohën që ata do t‘i pyesnin për mësimet. Mjaft prej tyre përfunduan në spital. Pas kësaj, ata kërkuan dhe arritën të përfshihen me vullnet të lirë në punë publike në qytet, duke lyer pemët e trotuareve me gëlqere.

Th.Nika

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›