Avokati i Popullit: Çdo vit vijnë 350 ankesa nga Greqia
Emigrantët shqiptarë që jetojnë e punojnë në shtetet fqinje, Itali e Greqi, vuajnë nga burokracia e administratës së huaj përsa i takon dokumenteve të legalizimit. Vetëm nga Greqia çdo vit depozitohen pranë Avokatit të Popullit rreth 350 ankesa të emigrantëve. Për këtë arsye, ky institucion ka kryer një vizitë në këto dy shtete për të nxjerrë më pas të dhëna në lidhje me situatën në të cilën jetojnë emigrantët shqiptarë. Sipas ndihmës komisionerit të Avokatit të Popullit, Sotiraq Nushi, ka zvarritje në kryerjen në kohë të dokumentacionit dhe në shumë raste, kjo arrihet pasi emigrantëve u ka skaduar koha e qëndrimit duke e bërë të pavlerë legalizimin. “Problem shqetësues mbetet dhe zbatimi i të drejtave të burgosurve shqiptarë në këto dy shtete. Nga ankesat e emigrantëve ka probleme me njohjen e legjislacionit, me lejimin e vizitave të familjarëve të tyre, pa llogaritur kushtet në burgje e mbipopullimin”,- u shpreh ndihmës komisioneri. Sipas tij, Avokati i Popullit i ka përcjellë këto shqetësime si në administratën e huaj dhe atë shqiptare dhe shumica e ankesave të emigrantëve ka marrë përgjigje pozitive.
Ligji kundër Diskriminimit
Komisioner për mbrojtjen e të drejtave nga diskriminimi
Të gjitha të drejtat që shtetasve shqiptare u jepen nga Ligji kundër diskriminimit do të mbrohen nëpërmjet një personi të posaçëm që do të jetë komisioneri për mbrojtjen nga diskriminimi. Ministri i Punës, Spiro Ksera, raportoi dje në Komisionin Parlamentar të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë rreth masave ligjore dhe institucionale që po ndërmerren në zbatim të ligjit të sapomiratuar “Për Mbrojtjen nga Diskriminimi”. Në fjalën e tij, ministri Ksera, u ndal në kompetencat, detyrat dhe mënyrën e përzgjedhjes së Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi si dhe përbërjen e Zyrës së Komisionerit, struktura këto të parashikuara në ligjin “Për mbrojtjen nga Diskriminimi”. Ministri i Punës prezantoi edhe hapat e ndërmarrë nga institucionet për mbrojtjen nga diskriminimi në marrëdhëniet e punës, në arsim, etj. Sipas Kserës, një risi në legjislacionin shqiptar, parashikuar në këtë ligj është Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, i cili do të sigurojë mbrojtjen efektive nga diskriminimi dhe nga çdo formë sjelljeje që nxit diskriminimin. Komisioneri është person juridik publik, i cili raporton të paktën një herë në vit përpara komisioneve të Kuvendit. Raporti i paraqitur prej tij përfshin analizën për zbatimin e këtij ligji në përgjithësi, si dhe për punën e komisionerit dhe të Zyrës. Sipas ligjit, komisioneri ka për kompetencë: të shqyrtojë ankesat nga personat ose grupet e personave që pretendojnë se janë diskriminuar; të kryejë hetime administrative, pas marrjes së informacionit të besueshëm për shkelje të ligjit; të vendosë sanksione administrative; të nxisë parimin e barazisë dhe mosdiskriminimit, veçanërisht duke sensibilizuar e informuar për këto çështje, përfshirë edhe ofrimin e informacioneve të shkruara, ndër të tjera për këtë ligj, në Gjuhën shqipe, në gjuhët e pakicave, si dhe në formate të përdorshme nga persona me aftësi të kufizuar; të monitorojë zbatimin e ligjit; të publikojë raporte dhe të bëjë rekomandime për çështje që lidhet me diskriminimin; t’i drejtohet drejtpërdrejt opinionit publik për çështje që lidhet me diskriminimin; të informojë për të drejtën e mbrojtjes nga diskriminimi dhe mjetet ligjore të disponueshme për këtë mbrojtje. Ligji nr.10221, datë 4.2.2010 “Për Mbrojtjen nga Diskriminimi” ka për qëllim të rregullojë zbatimin dhe respektimin e parimit të barazisë në lidhje me gjininë, racën, ngjyrën, etninë, gjuhën, identitetin gjinor, orientimin seksual, bindjet politike, fetare ose filozofike, gjendjen ekonomike, arsimore ose shoqërore, shtatzëninë, përkatësinë prindërore, përgjegjësinë prindërore, moshën, gjendjen familjare ose martesore, gjendjen civile, vendbanimin, gjendjen shëndetësore, predispozicione gjenetike, aftësinë e kufizuar, përkatësinë në një grup të veçantë, ose me çdo shkak tjetër. Ligji në kapituj të posaçëm parashikon gjithashtu ndalimin e diskriminimit në fusha të veçanta si: në fushën e punësimit dhe formimit profesional; në fushën e arsimit; në fushën e të mirave dhe të shërbimeve.
20 Prill 2010