E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reja vullkanike, destinacionet që mund të merrni nga Rinasi



Artan CENA

TIRANË - Vazhdojnë problemet në Aeroportin e Rinasit për shkak të resë vullkanike të nisur nga Islanda. Në Shqipëri nuk janë bllokuar tërësisht linjat e fluturimit, por ato janë kushtëzuar nga mbyllja e aeroporteve të tjera në Europë, ku janë dhe destinacionet e kompanive shqiptare. Gjatë ditës së djeshme janë hapur disa linja ajrore, por disa prej tyre sërish janë mbyllur, pasi aeroportet e Italisë veriore nuk qëndruan më shumë se dy orë në punë. Gjatë një komunikimi me median, kreu i Aviacionit Civil, Ervin Mazniku, ka bërë të ditur se vendi ynë nuk është prekur drejtpërdrejt, por është i kushtëzuar. Ai tha se do të dëmshpërblehen pasagjerët që kanë humbur destinacionet e tyre. Por, lajme të mira nuk vijnë as nga parashikimet e meteorologëve. Ata flasin për një spostim gradual të resë drejt jugperëndimit, pra drejt Mesdheut.

Aeroporti

Aeroporti i Rinasit ka nisur paraditen e djeshme vetëm pjesërisht punën për shkak të frikës nga hiri i vullkanit të Islandës, që është shpërndarë ndërkaq në hapësirat ajrore europiane. Drejtoresha për komunikimin në këtë aeroport, Arlinda Çausholli, bëri të ditur se funksionojnë njësoj linjat drejt Turqisë dhe Greqisë me lajmin e mirë, plus se janë hapur dhe ato drejt Italisë. Ndaj, në hyrje të Aeroportit pasagjerët që kanë prerë biletat për ditën e djeshme drejt Romës, Barit, Bolonjës, Athinës dhe Stambollit mund të nisen drejt këtyre destinacioneve. Rreth orës 10:30 të paradites së djeshme u konfirmua dhe hapja e linjës Tiranë-Torino. Ndërkohë, autoritetet e Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës njoftojnë se fluturimet direkte për në Londër, Budapest, Vjenë, Munih, Shtutgard, Frankurt, Lubjanë dhe Prishtinë janë anuluar për shkak të hirit në zonën e Islandës, si rrjedhojë e vullkanit që shpërtheu ditën e mërkurë më 14 prill.

Dëmshpërblimi
Drejtori i Aviacionit Civil Shqiptar, Ervin Mazniku, deklaroi dje se pasagjerët që zgjodhën rrugë të tjera udhëtimi pas kaosit për shkak të vullkanit në Islandë, do të dëmshpërblehen nga kompanitë ajrore. "Ne kemi një kaos të paprecedent, me një impakt të jashtëzakonshëm financiar në biznesin e Aviacionit Civil në Europë e rajon", - tha Mazniku në një media. Ai shtoi se "për pasagjerët është rënë dakord me kompanitë ajrore për dhënien e dy alternativave: riprenotim të biletës për një afat të caktuar kohor dhe nëse pasagjerët kanë shkuar në destinacionet e tyre me mjete alternative, do t'u rimbursohet bileta". Sipas Maznikut, vullkani në Islandë shkaktoi kaos për sigurinë e fluturimeve. "Duke u nisur nga të dhënat statistikore të deritanishme, më datë 14 prill ka pasur një ulje prej 0.6% të numrit të fluturimeve brenda për brenda Europës, por dje ky numër arriti në 80%, pra bëhet fjalë në total për 63 mijë fluturime të anuluara në të gjithë Europën", - tha Mazniku. Sipas tij, Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil, anëtare e së cilës Shqipëria është që në vitin 1990, ka rregulla dhe procedura standarde përsa u përket fluturimeve në raste të hirit vullkanik. "Në të thuhet se në funksion të ruajtjes maksimale të sigurisë në fluturim duhet të shmangen fluturimet në zona të caktuara që janë prekur nga tymi i hirit vullkanik", - citoi Mazniku Kodin Ajror Europian. Duke shpjeguar detaje të situatës, Mazniku tha se bëhet fjalë për tym të përzier me grimca të vogla, të cilat temperaturën e shkrirjes e kanë 1500 gradë. Pjesa e motorëve e ka temperaturën në brendësi të tij 1300 gradë. Parimi i punës së motorit është i tillë që merr ajrin nga atmosfera e fut në motor dhe pas djegies së karburantit krijon forca shtytëse që mundësojnë ngritjen e avionit lart. Me futjen këtyre grimcave në motor dëmet janë të pallogaritshme.

Linjat funksionale
Tiranë-Bari
Tiranë-Torino
Tiranë-Bolonja
Tiranë-Stamboll
Tiranë-Athinë

Linjat në pritje
Tiranë-Milano
Tiranë-Budapest

Box 1
Transporti, 300 aeroporte të mbyllura

Problemet në transportin ajror në Europë dhe më gjerë, si rezultat i hirit vullkanik nga Islanda, po hyjnë në ditën e pestë. 6.8 milionë pasagjerë në mbarë botën janë prekur, me më shumë se 300 aeroporte në Europë të mbyllura. Shumë linja ajrore dhe aeroporte janë duke e humbur durimin gjithnjë e më shumë dhe kanë bërë thirrje për një shqyrtim urgjent të masave. Pjesa më e madhe e hapësirës ajrore në Europën Veriore do të mbetet e mbyllur të hënën, ndërsa shumica e tyre në Europën Jugore do të rihapen. Dje zyrtarët europianë shprehën shpresën se vetëm gjysma e fluturimeve në Evropë mund të operojë të hënën. Më shumë se 60 mijë fluturime janë anuluar në të gjithë Europën që nga dita e enjte. Por organizatat që përfaqësojnë linjat ajrore europiane dhe aeroportet kanë vënë në dyshim nëse kufizimet në vend janë në përpjesëtim me rrezikun. Pyetja nuk është nëse hiri vullkanik është i rrezikshëm për avionë - kjo tashmë është dëshmuar - por nëse përqendrimi i tij në atmosferë është aq i lartë sa për të përbërë rrezik.

Fluturimet provë

Disa kompani ajrore kanë kryer fluturime prove pa problem. Por, organi i cili koordinon trafikun ajror në Europë ka hedhur poshtë sugjerimet se ata janë duke u bërë me të kujdesshëm sesa duhet, duke thënë se siguria është prioritet. Ndërkohë, një avion kërkimor nga Zyra Meteorologjike e Londrës ka gjetur nivele të rrezikshme të hirit në një grup shtresash ajrore. Përpjekjet janë në rritje e sipër për të gjetur mënyra alternative për të kthyer në shtëpi pasagjerët që janë penguar në udhëtimet e tyre. Spanja ka sugjeruar se aeroportet e saj mund të përdoren si një platformë për të hyrë në Europë. Pasagjerët nga vende si Britania e Madhe janë bllokuar në Azi dhe Shtetet e Bashkuara do të fluturojnë në Spanjë dhe pastaj të vazhdojë udhëtimin e tyre me tren, anije ose autobus.

IATA: Qeveritë europiane, joprofesionale lidhur me krizën

Shoqëria Ndërkombëtar i Transportit Ajror (IATA), thotë se qeveritë europiane ishin shumë joprofesionale në menaxhimin e vlerësimit të nivelit të rrezikut nga përhapja e hirit vullkanik në Europë. Xhovani Bisinjani, nga ky asociacion, tha se “nuk ka pasur vlerësim të rrezikut, nuk ka pasur konsultime, koordinim dhe as lidership”. Ai theksoi se hapësirat ajrore duhet të rihapen shpejt, pasi të jenë njohur faktet e bazuara në prova”.
Kryeministri britanik, Gordon Braun, tha se siguria e njerëzve është e rëndësisë më të madhe: “Siguria e udhëtarëve është e rëndësisë kryesore, prandaj ne do t’i shikojmë rezultatet e fluturimeve provuese që janë bërë, do të shohim edhe rekomandimet e prodhuesve të aeroplanëve”, - tha Gordon Braun në Londër. Pjesa më e madhe e hapësirës ajrore europiane është e mbyllur edhe sot, për të pestën ditë me radhë, për shkak të rrezikut nga hiri vullkanik në Islandë. Mbyllja e hapësirës ajrore praktikisht e ka shkatërruar trafikun global ajror në mbarë botën, duke i lënë të bllokuar më se 6.8 milionë udhëtarë.

Vullkanologu: “Vetëm hiri nuk do të ishte problem”

"Vetëm hiri nuk do të ishte problem, por elementet që ai çliron janë të rrezikshme. Dhe në ato vende ku mund të ketë përqendrime të larta të dyoksidit të squfurit, njerëzit që janë të sëmurë me astmë mund të kenë probleme me shëndetin”. Kështu shprehet prof. Ulrich Schreiber, vullkanolog në Universitetin Duisburg-Essen. Sipas Schreiber, po qe se shohim gjeologjinë e Islandës, atëherë mund të themi se kemi të bëjmë me një gjendje tjetër prej rajoneve tjera vullkanike, për shkak se kemi të bëjmë me të çara të mëdha, që hapen edhe më shumë. Plasaritja mund të fillojë në një vend, të vazhdojë të zgjatet dhe shpërthimet e tjera mund të ndodhin në vende të tjera të së çarës. Kjo nuk është diçka e pazakontë për Islandën. Vullkanologu thotë se vetëm hiri nuk do të ishte e keqja, por janë elementet e tjera që lirohen nga gazi, si fluori dhe komponimet e squfurit, të cilat janë shumë të dëmshme për kafshët. Komponentët e hirit pastaj ngjiten fort pas barit dhe kafshët, bashkë me barin, marrin si ushqim edhe elementet e liruara nga hiri. Ka pasur raste në të kaluarën, në historinë e Islandës raste të shpeshta, ku kafshët kanë ngordhur si pasojë e ngrënies së barit me përmbajtje të lartë squfuri. “Për njerëzit, pasi ata ushqehen ndryshe, nuk është rrezik. Vetëm në ato vende ku mund të ketë përqendrime të larta të dyoksidit të squfurit, njerëzit që kanë astmë, apo probleme shëndetësore, mund të kenë probleme”, - përfundon vullkanologu gjerman.

Harta e aeroporteve të mbyllura

Holandë, hapësira ajrore holandeze do të qëndrojë e mbyllur

Rumani, mbyllen aerodromet që nga ora 18:00 e së shtunës

Poloni, hapësira ajrore vazhdon të jetë e mbyllur

Austri, hapësira ajrore do të jetë e mbyllur

Hapësirat ajrore të Letonisë, Lituanisë dhe Estonisë janë të mbyllura

Bjellorusia, lëvizjet ajrore ndalohen midis orëve 7:00 dhe 11:00

Belgjikë, hapësira ajrore e mbyllur

Bullgari, hapësira ajrore e mbyllur nga e shtuna

Kroaci, hapësira ajrore e mbyllur

Danimarkë, hapësira ajrore e mbyllur

Spanjë, aeroportet e mbyllura

Finlandë, anulimi i fluturimeve vazhdon

Britania angazhon Marinën
Britania e Madhe ka angazhuar Marinën Ushtarake për të ndihmuar pasagjerët e mbetur nëpër aeroporte, pas shpërthimit të vullkanit islandez. Kryeministri Gordon Braun njoftoi se anijet luftarake britanike do të transportojnë drejt Francës mijëra pasagjerë të bllokuar. Në funksion janë vënë aeroplanmbajtësja “Werk Royal” dhe një tjetër helikoptermbajtëse.

Greqi
Kriza e fluturimeve ka prekur dhe Greqinë, që gjithashtu anuloi udhëtimet nga dhe drejt aeroporteve të Athinës e Selanikut. “Olimpic Air” njoftoi pezullimin e fluturimeve me Londrën, Brukselin, Vjenën dhe Amsterdamin, ndërsa “Eksian Air” me Parisin, Milanon, Munihun, Dyseldorfin, Shtutgartin, Frankfurtin, Berlinin, Beogradin, Venecian e Londrën.

Vullkani në Islandë mbetet aktiv
Shpërthimi i vullkanit në Islandë po sjell edhe më tej hutim. Për shkak të reve të hirit, në pjesë të tëra të Europës është ndërprerë fluturimi. Edhe në Gjermani shumica e aeroporteve vazhdojnë të qëndrojnë të mbyllura. Për "Ragnaröck" bëhet fjalë në mediat islandeze, pra për përmbysjen e botës ose për fundin e perëndive. Meqenëse edhe katër ditë pas shpërthimit të ri të vullkanit mungojnë parashikimet me bazë shkencore për faktin se ende edhe për sa kohë “Eyjafjalla” do të vazhdojë të vjellë lavë dhe hi dhe se kur do të fillojë aktivitetin vullkani fqinj, “Katla”, fillon të shfrytëzohet edhe mitologjia nordike. Dhe kaq larg realitetit ato nuk janë, sepse edhe në legjendën e "Ragnarök"-ut flitet për gjigantë që vjellin flakë.

Shqipëri, ngrihet grupi i monitorimit të ajrit

TIRANË - Specialistët e Institutit të Shëndetit Publik, së bashku me përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë, kanë njoftuar dje ngritjen e një grupi pune për monitorimin e situatës së ndotjes së ajrit në Shqipëri. Gjithçka është ndërmarrë për t’i paraprirë rrezikut të ardhjes së resë së hirit vullkanik edhe në vendin tonë. Hiri nga shpërthimi vullkanik i Islandës sjell rrezik të lartë për aksidente ajrore, ndërkohë që rreziku për shëndetin e njerëzve ende nuk është shqetësues, por jo i parrezikshëm. Specialisti i Shëndetit Publik, Agron Deliu, shprehet se nëse reja e hirit vjen deri në vendin tonë, ajo, sipas të dhënave dhe nga specialistë të OBSH-së, mund të shkaktojë probleme te njerëzit në rrugët e frymëmarrjes. “Nëse reja e hirit do të vijë këtu, gjë që mundësia është më pak se 1%, më shumë rrezikohen njerëzit që kanë sëmundje ekzistuese, siç është astma, sëmundjet e frymëmarrjes që lidhen me kraharorin, ata që kanë alergji që lidhen me frymëmarrjen. Për çdo gjë do të ketë lajmërime në kohën e duhur. Specialistët e ISHP-së thonë se vullkani i Islandës, sipas monitorimeve, është cilësuar si një vullkan i dobët dhe jo i rrezikshëm. “Për rrezikun global të klimës do të ishte e rrezikshme po të ishte mbi 10-12 mijë metra, sepse atëherë ai krijon një shtresë. Këto grimca të imta që depozitohen me muaj dhe me vite. Ky vullkan hyn tek ato pak të rrezikshmit për dy arsye: e para, ka pak squfur në përbërjen e grimcave, sepse për shembull, vullkanet e ishujve në Havai dhe Indonezi kanë shumë squfur; dhe e dyta, hedhja për efekt të aktivitetit të vet jo shumë të fuqishëm është në lartësi më të vogël”,- tha Deliu.

20 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›