E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëri-Itali, marrëveshje për njohjen e viteve të punës



Jonida Tashi

Asnjë vit pune që emigrantët shqiptarë do të regjistrojnë në Itali nuk do t’u shkojë dëm. Së fundi, Ministria e Punës parashikon të nënshkruaj me qeverinë italiane një marrëveshje reciproke për njohjen e sigurimeve shoqërore midis dy shteteve, Shqipërisë dhe Italisë. Lajmi është bërë i ditur dje nga ministri i Punës, Spiro Ksera, gjatë një takimi për emigracionin. Përpos marrëveshjes së punësimit me palën italiane, kreu i Ministrisë së Punës ka deklaruar se së shpejti do të nënshkruhet një tjetër marrëveshje e rëndësishme midis dy vendeve për njohjen reciproke të sigurimeve shoqërore.
Marrëveshja
“Përpjekjet e përbashkëta për menaxhimin e flukseve të emigrantëve janë finalizuar tashmë me një marrëveshje të përbashkët të nënshkruar me qeverinë italiane për migrimin për arsye punësimi, si dhe jemi në fazën e përfundimit për nënshkrimin e një tjetër marrëveshjeje të rëndësishme mes dy vendeve, e cila parashikon njohjen reciproke të sigurimeve shoqërore”,- ka deklaruar Ksera. Ndërkaq, pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, emigrantëve shqiptarë që punojnë dhe jetojnë në Itali, do t’u njihen vitet e punës që kanë kryer në këtë shtet, me qëllim përftimin e pensionit të pleqërisë. Në këtë mënyrë, emigrantët shqiptarë në Itali do të jenë pjesë e skemës së sigurimeve shoqërore në vend, megjithëse nuk kontribuojnë drejtpërsëdrejti në të. Sipas marrëveshjes që pritet të nënshkruhet së shpejti, shtetasit shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Itali, do të kenë mundësinë që të mbledhin së bashku vitet e punës që kanë kryer në Shqipëri dhe në Itali, për të përfituar pensionin e pleqërisë, të cilin mund ta marrin në vendin e lindjes apo në shtetin fqinjë.
Migracioni
“Menaxhimi i migracionit shqiptar: Vështrim mbi arritjet dhe politikat” ka qenë tema kryesore e diskutimi në takimin e organizuar nga zyra e Misionit të IOM-it në Tiranë. Në këtë aktivitet, përveç ministrit të Punës, Spiro Ksera merrnin pjesë edhe ambasadori italian në Shqipëri, Saba D’Elia, shefja e Misionit të IOM-it në Tiranë, Nicoletta Giordano, drejtori i Zyrës Konsullore të Ambasadës së Republikës Greke në Tiranë, Dimitrios Saharides, etj. Në këtë takim, ndër të tjera, Ksera u shpreh se nisur nga gjendja ekonomike dhe punësimi ne e shohim si përparësi kanalizimin e dërgesave të emigrantëve në zhvillimin ekonomik të vendit. “Ne kemi si qëllim në politikat tona nxitjen e punësimit sezonal, si alternativë e migracionit të përhershëm për qëllime punësimi dhe nxitjen e kthimit të emigrantëve të kualifikuar”,- pohoi ministri i Punës. Sipas tij, në qendër të problematikave migratore në shoqërinë e sotme janë menaxhimi i remitancave, zgjerimi i kanaleve dhe korridoreve të lëvizjes së tyre drejt vendeve të origjinës së emigrantëve, një plan i mirëorganizuar midis përdorimit të remitancave dhe rritjes ekonomike, punësimit e formimit profesional si edhe bashkëveprimi midis emigrimit dhe zhvillimit si dhe emigrimit dhe integrimit. Ksera ka argumentuar se kapitali financiar i migracionit, pra remitancat kanë një rëndësi të madhe për vendin, sepse jo vetëm mbështesin jetën e familjeve shqiptare dhe përmirësojnë cilësinë e tyre të jetës, por edhe nxisin zhvillimin ekonomik të vendit, krijojnë vende pune, ofrojnë shërbime e prezantojnë teknologji të reja etj. Për këtë arsye, sipas kreut të dikasterit të Punës, përdorimi më i efektshëm i remitancave do të bëjë të mundur që emigracioni të shërbejë si një faktor i pazëvendësueshëm zhvillimi dhe integrimi dhe emigrantët nuk do të shërbejnë vetëm si ura të miqësisë e bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe vendeve pritëse, por edhe si mbështetës, sponsor e përfitues të këtij bashkëpunimi.

20 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›