E Diel, 1 Nëntor 2026

Imami: Tre drejtimet kryesore ku është përqendruar Ministria e Mbrojtjes

Komisioni për Sigurinë Kombëtare zhvilloi sot një seancë dëgjimore me Ministrin e Mbrojtjes, Arben Imami, mbi sistemin e ri të edukimit të ushtarakëve dhe Qendrën Ndërinstitucionale Operacionale Detare dhe bashkëveprimi i kësaj strukture me institucionet e tjera shtetërore, që kanë interesa në det. “Në një kohë kur sistemet e armatimit dhe të teknologjisë rrezikojnë të dalin shpejt jashtë përdorimit për shumë shkaqe, ku edhe avancimi teknologjik konsiderohet si njëri nga më të rëndësishmit, mendojmë se përqendrimi i përpjekjeve te fuqia njerëzore është njëra prej alternativave më të sigurta”, u shpreh ministri i Mbrojtjes përpara Komisionit. Duke shprehur vlerësim maksimal për bashkëpunimin me Komisionin për Sigurinë Kombëtare, Imami nënvizoi se puna e Ministrisë së Mbrojtjes është përqendruar në tre drejtime kryesore, që konsistojnë në: hartimin e strategjisë kombëtare për arsimimin e ushtarakëve, përmirësimin e ligjit të gradave dhe karrierës ushtarake, si dhe hartimin e statusit të ushtarakut. “Të gjitha këto, synojnë që krahas përthithjes në radhët e Forcave të Armatosura të kapaciteteve më të mira, të minimizojnë edhe braktisjen e ushtrisë nga kapacitetet ekzistuese”, u shpreh ministri i Mbrojtjes. Anëtarët e Komisionit vlerësuan vizionin dhe vendosmërinë me të cilën Ministria e Mbrojtjes po punon për reformimin e sistemit të edukimit të ushtarakëve, duke bërë të mundur që Shqipëria t’i ofrojë Aleancës së Atlantikut, në të gjitha strukturat e saj, oficerë cilësorë, të aftë që të marrin përsipër përgjegjësi jo vetëm në nivel kombëtar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›