Tritol makinës së drejtorit të HEC-it të Ulzës
BURREL - Eksploziv makinës së drejtorit të Hidrocentralit të Ulzës. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në qytetin e Burrelit, por fatmirësisht nuk kishte viktima dhe të lënduar. Lajmi është bërë i ditur nga burime zyrtare të Policisë së Matit. Sipas tyre, një sasi lënde tritoli është vendosur në automjetin e shtetasit Abdi Pasha, me detyrë drejtor i HEC-it të Ulëz/Shkopet. Në momentin e shpërthimi nuk ka pasur njeri në makinë apo afër saj. Pasha ka parë që makina e tij ishte dëmtuar. Më pas ai ka lajmëruar uniformat blu. Një skuadër policie ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe menjëherë kanë nisur hetimet. Nga të dhënat e para dyshohet se lloji i eksplozivit është tritol dhe sipas të dhënave të para, flitet për një sasi të vogël lënde eksplozive. Mjeti është dëmtuar rëndë. Uniformat blu që kanë shkuar në vendin e ngjarjes, kanë marrë dëshminë e pronarit të mjetit, i cili është drejtor në Hidrocentralin e Ulzë-Shkopetit. Nga burime policore është mësuar se Pasha ka mohuar të ketë ndonjë konflikt me njeri dhe nuk ka ditur si të shpjegojë shkaqet që sollën këtë ngjarje. Ende nuk është specifikuar nëse lënda shpërthyese ka qenë e telekomanduar apo ishte e hedhur pak momente para shpërthimit. Ekspertët që po merren me çështjen kanë ngritur disa pista hetimi, ku njëra prej tyre është ajo që lidhet me ndonjë konflikt për shkak të detyrës që kryen Abdi Pasha. Por nuk përjashtohet as pista për konflikte personale që mund të ketë pasur ai apo pjesëtarë të tjerë të familjes. Gjithsesi janë marrë dhe dëshmitë e disa personave të tjerë dhe për momentin nuk ka ndonjë person të dyshuar në lidhje me këtë ngjarje. Pak ditë më parë ndodhi një tjetër shpërthim në Kukës, ku një sasi eksplozive u vu para banesës së Shefqet Brukës, me detyrë kryetar i Këshillit të Qarkut. As për këtë rast nuk ka ndonjë të dhënë për autorësinë.
20 Prill 2010