Kosovë, EULEX-i i kundërvihet institucioneve për dështim ligji
Blerina Olldashi
Misioni i bashkimit Europian, EULEX ka hedhur akuza të forta ndaj institucioneve të zbatimit të ligjit në Kosovë, duke e vënë theksin kryesisht tek dështimi i proceseve gjyqësore. Duke iu referuar shtyrjes së radhës së procesit ndaj Albin Kurtit, EULEX-i ka kritikuar policinë kosovare që nuk po arrin të zbatojë urdhër-arrestin e ngritur ndaj tij, si dhe sistemin gjyqësor për shkak të mungesës së avokatëve në sallën e gjyqit. “Defektet që po dalin në pah gjatë këtij procesi, fatkeqësisht tregojnë dobësitë e vazhdueshme të institucioneve vendase të sundimit të ligjit”, thuhet në një komunikatë zyrtare.
Shtyrja e procesit
Për të tetën herë me radhë, seanca gjyqësore kundër liderit të lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, është shtyrë. Data e ardhshme është caktuar 28 prilli dhe shtyrja është bërë për shkak të mungesës së Kurtit në seancë dhe avokatit të tij mbrojtës. Zëdhënësja e komponentit të drejtësisë në EULEX, Kristina Herodes, thotë se edhe kësaj radhe seanca është shtyre në mungesë të të gjitha palëve... “Policia e Kosovës, nuk ka mundur të arrestojë zotin Kurti për ta sjellë përpara trupit gjykues. Gjithashtu edhe avokati mbrojtës nuk ka qenë i pranishëm”, tha Herodes, duke shtuar se avokatët edhe njëherë shkelën detyrën e tyre zyrtare. Ajo tha se do të shikohen mundësitë për të bërë edhe një urdhër-arrest të ri. Ndërkohë, një komunikatë për media, EULEX-i ka kritikuar institucionet vendore për rastin Kurti.
“Të metat që janë duke u dalë në pah gjatë këtij gjykimi, fatkeqësisht i tregojnë dobësitë e vazhdueshme të cilat duhet të adresohen në kuadër të institucioneve vendase të sundimit të ligjit, ashtu që Kosova t’i arrijë standardet evropiane", thuhet në komunikatë.
Akuzat ndaj EULEX-it
Nga ana tjetër, anëtari i lëvizjes “Vetëvendosje”, Glauk Konjufca, ka dënuar, siç thotë ai, trysninë e vazhdueshme të EULEX-it në drejtim të avokatëve dhe Policisë se Kosovës për arrestimin e Albin Kurtit. “Lëvizja Vetëvendosje dënon trysninë e vazhdueshme të EULEX-it mbi Policinë e Kosovës dhe mbi avokatët që të bëhen pjesë e këtij gjyqi politik. Kryesuesi i panelit të EULEX-it De Mongot e akuzoi Policinë e Kosovës si të paaftë. Lëvizja ‘Vetëvendosje’ nuk e konsideron si të paaftë, ajo mendon që Policia e Kosovës nuk ka pasur vullnetin ta arrestojë Albin Kurtin”, deklaroi Konjufca. Prokurori Ali Rexha, i cili është i caktuar për pjesëmarrje në procesin gjyqësor të rastit Kurti, ka hequr dorë nga pika e tretë e aktakuzës, që ka të bëjë me thirrjen për rezistencë. Përfaqësuesit e lëvizjes “Vetëvendosje” e kanë përshëndetur qëndrimin e prokurorit. “Në seancë, prokurori i çështjes Ali Rexha mohoi njërën prej tri akuzave, ne e mirëpresim ketë hedhje poshtë të njërës prej tri akuzave, por e inkurajojmë prokurorin, ashtu siç i kemi bërë thirrje edhe më herët, që ta hedhë poshtë të gjithë aktakuzën që përmban këto tri akuza kundër Albin Kurtit. Ne mendojmë se ai e ka gjetur guximin që të fillojë hedhjen poshtë të akuzave një pas një. E inkurajojmë atë që të vazhdojë në këtë mënyrë”, u shpreh Konjufca. Kurti akuzohet “për pjesëmarrje në një turmë që ka kryer vepra penale, për pjesëmarrje në një grup, që ka penguar personat zyrtarë në kryerjen e punëve zyrtare dhe për thirrje për rezistencë në lidhje me ngjarjet e shkurtit të 2007-ës, në të cilat u vranë dy protestues”.
20 Prill 2010