E Shtunë, 31 Tetor 2026

Avokati i Popullit i kërkon pushtetit vendor hartën me objektet e rrezikut

Kryetarët e bashkive dhe të komunave duhet të tregojnë objektet që përbëjnë rrezik për zonën e tyre. Kjo hartë pritet të identifikojë qytetet apo fshatrat që janë më të rrezikshme për jetën dhe shëndetin

Laureta Rryçi

Tragjedia e Gërdecit ka detyruar Institucionin e Avokatit të Popullit për të ndërmarrë një nismë ndryshe nga herët e tjera. Nëpërmjet një shkrese zyrtare, Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, u kërkon zyrtarisht të gjithë drejtuesve të pushtetit vendor të japin informacione për burimet e rrezikut për jetën dhe shëndetin e qytetarëve që ndodhen në zonat që ata kanë përgjegjësi. Rekomandimi ka mbërritur te të gjithë kryetarët e bashkive dhe komunave dhe pritet që shumë shpejt Avokati i Popullit të ketë një hartë jo vetëm të depove të armatimit, por edhe të të gjitha depozitave të tjera që përbëjnë rrezik për jetën.
Rekomandimi
Në rekomandimin e dërguar për drejtuesit e pushtetit vendor thuhej se Institucioni i Avokatit të Popullit, duke marrë shkas nga tragjedia e ndodhur në fshatin Gërdec më 15 mars 2008, bazuar në detyrat kushtetuese për të mbrojtur të drejtat dhe liritë themelore të njeriut dhe për të ndikuar në mirëqeverisje, duhet pasur parasysh se e drejta e jetës së shtetasve në vendin tonë shpesh kërcënohet nga objekte të ndryshme shtetërore apo private. Paraprakisht, listës së rrezikut, nga Avokati i Popullit i janë shtuar depozitat e karburantit në Portin e Durrësit, Depozitat e Amoniakut në ish-Kombinatin e Tekstileve Berat. Dobjani ka kërkuar pikërisht nga kryetarët e komunave dhe bashkive informacionin më të hollësishëm për burime të kësaj natyre.
Rrezikshmëria
Avokati i Popullit e ka konkretizuar kërkesën e tij duke shprehur qartë se çfarë informacioni i duhet. Fillimisht, Dobjani kërkon informacionin nga drejtuesit e pushtetit vendor se nëse ka në territorin e tyre objekte që ata i konsiderojnë burim rreziku të shtuar për shëndetin dhe jetën e popullatës. Në qoftë se po, Dobjani i kërkon t’i cilësojnë objektet një për një, çfarë rreziku mbart ai objekt (zjarr, kimik, toksik etj), vendi ku ndodhet, pronari (emri i institucionit shtetëror apo privat). Por në përgjigjen që do të mbërrijë në Institucionin e Avokatit të Popullit nuk do të jepen vetëm objektet që përbëjnë rrezikshmëri për popullatën, por edhe se çfarë veprimtarie konkrete ,duke e shoqëruar me shkresën përkatëse, kanë bërë ata dhe kujt ia kanë drejtuar për të paralajmëruar rrezikun dhe kërkuar heqjen e objektit apo mbylljen e aktivitetit. Në lidhje me këto veprime, përfaqësuesit e pushtetit vendor do të shoqërojnë informacionin për zonën e tyre me kopjet e shkresave përkatëse dhe përgjigjet që mund t`ju kenë ardhur.

Mbyllet faza e emergjencës në Gërdec
Mbyllet faza e emergjencës në fshatin Gërdec të Vorës. Sipas komandantit të operacionit të kërkimit, Xhevahir Zeneli, në zonën ku ndodhi shpërthimi do të vazhdojë puna për kërkimin e trupit të një vajze që rezulton e zhdukur dhe për pastrimin e tokës nga inertet. Tre grupe do të vazhdojnë kontrollet në vendin ku ndodhej fabrika e çmontimit të predhave. Gjithashtu, po punohet për ndërtimin e rrugës së shkatërruar të fshatit, në mënyrë që banorët të kthehen nga mesi i javës së ardhshme. Në dispozicion të tyre është vënë edhe një numër telefoni.

Numrat e bankave për të tërhequr dëmshpërblimin
Departamenti i Informacionit pranë Këshillit të Ministrave njofton të gjithë banorët e Bashkisë Vorë të hapin pranë bankave të mëposhtme numrat e tyre personalë të llogarisë për përfitimin e fondit për dëmshpërblimet e shkaktuara nga tragjedia e Gërdecit, sipas ndarjeve të poshtëshënuara. Burime pranë Këshillit të Ministrave kanë sqaruar se çdo numër llogarie duhet të hapet në emër të kryefamiljarit ose pronarit të objektit.

Emërtimi i Bankës Emërtimi i zonës Numri i objekteve

1 Banka Kombëtare Tregtare
Vora Qytet 1060
Marqinet 354
Gërdec 111
Biznes 32
Marqinet shtesa 313

2. Raiffeisen bank
Gjokaj 242
Picar 229
Muçaj 342
Kodër Vorë 284

3. Tirana Bank
Marikaj 644
Shargë 138

17 nismat e qeverisë për Gërdecin
Departamenti i Informacionit pranë Këshillit të Ministrave njofton se Komisioni i Planifikimit dhe Përballimit të Emergjencave Civile, në mbledhjen e pasdites së datës 27.03. 2008, pasi analizoi detyrat e përcaktuara, konstatoi se:

1. Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për shumën përkatëse të dëmit të shkaktuar për çdo banesë në Bashkinë Vorë nga aksidenti teknologjik i ndodhur në fshatin Gërdec më datë 15.03.2008. Ky vendim, bashkë me listat bashkëngjitur, u botua në gazetën “Postieri”, që u shpërnda falas dje në Bashkinë Vorë.

2. Duke filluar nga dje, ankesat e ndryshme të qytetarëve për procesverbalet e evidentimit të dëmeve do të drejtohen në zyrat e hapura për këtë qëllim në Këshillin e Qarkut Tiranë.

3. Dje në fshatin Gërdec është punuar nga KESH-i për të rikthyer energjinë elektrike. Sipas drejtorit të KESH-it, pjesa më e madhe e fshatit Gërdec që nga dita e djeshme do të furnizohet me energji elektrike.

4. Për familjarët b,anesat e të cilëve janë bërë të pabanueshme, Këshilli Bashkiak Vorë ka miratuar listat e personave që do të përfitojnë ndihmë financiare. Numri i familjeve që do të përfitojnë nga kjo ndihmë ka arritur në 527 shtëpi përkthyer kjo në 1600 banorë.

5. Për familjet e “Marqinet 1” ,shtëpitë e të cilëve janë të pabanueshme, kryetari i Bashkise së Vorës ka njoftuar dje se do të marrin ndihmë emergjente financiare prej 25000 lekësh për person, por jo më shumë se 100.000 lekë për familje. Edhe dje Bashkia Vorë ka punuar për hartimin e listave të përfituesve të kësaj ndihme.

6. Për komunitetin e prekur nga fatkeqësia janë vënë në dispozicion mjete transporti falas për transportin e familjeve, të cilat kërkojnë të strehohen në Shtëpinë e Pushimit të Ministrisë së Brendshme dhe të Mbrojtjes në Plazhin e Durrësit. Numri i të akomoduarve në këto shtëpi ka arritur në 450 persona.

7. Anëtarët e Komisionit të Emergjencave Civile janë të ngarkuar me detyra konkrete në terren dhe marrin informacion të drejpërdrejtë nga komuniteti në lidhje me kërkesat e tyre si për ushqime, veshmbathje dhe strehim.

8. Komisioni i Emergjencave mban lidhje të drejtpërdrejta me Shtabin e Forcave të Ushtrisë, të dislokuara në afërsi të zonës së prekur nga shpërthimi dhe grupe të caktuara xheniere shoqërojnë përfaqësues të familjeve të komunitetit për nevojat që kanë në banesat e tyre.

9. Nga informacionet e marra pranë Shtabit, forcat xheniere kanë krehur mbi 400 ha në terrenin e prekur nga shpërthimi. Deri tani janë kontrolluar dhe pastruar nga predhat mbi 350 shtëpi banimi bashkë me territorin përreth. Gjithashtu dje ushtria ka konfirmuar se ajri në zonat e infektimit është i pastër ndaj ndotjeve radioaktive dhe kimike. Grupet e përbashkëta të punës midis ushtrisë dhe punonjësve të Bashkisë Vorë kanë vazhduar punën nga certifikimi i shtëpive të sigurta për kthimin e banorëve dhe numri i tyre ka arritur në 180 shtëpi të sigurta.

10. Policia e shtetit ka nën kontroll të gjithë zonën e prekur nga shpërthimi për të mos lejuar individë të caktuar për kryerjen e akteve të vjedhjes së banesave ose të prekjes së bizneseve private si dhe është në bashkëpunim dhe koordinim të plotë me forcat xheniere në terren.

11. Komisioni po bashkëpunon me Drejtorinë e Shërbimit Shëndetësor të Tiranës dhe Drejtorinë e Ujësjellës-Kanalizimeve për të mbajtur në gatishmëri grupe specialistësh nga Inspektorati Sanitar dhe Shëndetësor, për të ndërhyrë në rast se do të shfaqen probleme të infeksioneve të ndryshme. Janë shtuar dozat e klorifikimit të ujit të pishëm dhe po tregohet kujdes i veçantë në kryerjen e dezinfektimit të zonës, djegies dhe groposjes së një sasie shpendësh, kafshë shoqërimi dhe disa bagëtive të ngordhura.

12. Janë vënë në gatishmëri të plotë disa magazina për pritjen dhe magazinimin e ndihmave dhe është ngritur komisioni i shpërndarjes së ndihmave sipas listave që po hartohen nga komisioni i evidentimit të familjeve në nevojë.

13. Nga Komisioni i Emergjencës janë evidentuar fëmijët nga mosha 0-10 vjeç dhe të moshuar mbi 70 vjeç, janë evidentuar gratë shtatzëna dhe nevojat që ato kanë për ushqime, veshmbathje dhe strehim.

14. Shpërndarje pakosh me ndihma ushqimore në fshatin Marikaj, 250 pako ushqimore dhe 10 pako për raste emergjente.

15. Për t’i ardhur në ndihmë komunitetit, banorët e të cilit e kanë të nevojshme të ushtrojë aktivitetin e tyre të përditshëm privat, janë shpërndarë çadra për strehim jashtë zonave të shpërthimit. Grupe nga Bashkia Vorë, të ndihmuar me asistencë teknike nga forcat xheniere të ushtrisë, kanë ngritur çadrat e tërhequra nga banorët.

16. Ne shkollën 9-vjeçare të fshatit Marikaj dhe të qytetit Vorë dhe në shkollën e mesme të Vorës kanë filluar riparimet me ritme të përshpejtuara, ndërsa nxënësit kanë shkuar në ambientet e shkollës dhe kanë zhvilluar mësim me orë të shkurtuara.

17. Për përmirësimin e infrastrukturës në fshatin Gërdec dhe Marqinet 2 janë shpërndarë nga Bashkia Vorë çakëll dhe stabilizant. Shpërndarja është kryer në bashkëpunim me forcat xheniere të ushtrisë.

31 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›