E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mourinjo: “Nuk e kam takuar Moratin”



Hoze Murinjo përgënjeshtroi zërat se kishte takuar të premten në Milano presidentin e Interit, Masimo Morati, për të diskutuar për një angazhim në vendin e Mançinit. Shtypi portugez e konsideron të sigurt transferimin e bujshëm të ish-teknikut të Çelsit në bankinën zikaltër. Zëdhënësi i teknikut, Eladio Parames, e kishte konfirmuar takimin për agjencinë britanike “Reuters”. “Nuk kam shkuar në Milano dhe nuk jam takuar me Moratin”, - saktësoi Murinjo në një komunikatë për agjencinë portugeze “Lusa”. “Nuk është e vërtetë që kam firmosur për Interin”.

Elkan: “Juve kërkon vendin e dytë”

“Synojmë vendin e dytë”. Objektivi sezonal i Juventusit u bë i ditur nga Lapo Elkan. Zëvendëspresidenti i “Fiat”- it i prezatoi kryebashkiakut të Torinos në Itali, Serxho Kiamparino, projektin për stadiumin e ri. “Është një ditë e rëndësishme”, - tha Elkan, - “pasi projekti i rinovimit do të na vendosë në një hap me klubet më të rëndësishme në botë”. Elkan rishprehu edhe një herë besimin te trajneri Ranieri. “Nuk ka asnjë dyshim me kapacitetin e tij”.

Ançeloti: “Mjaft me hapa falsë!”

Mjaft me provat dhe paraqitje të dobëta. Trajneri i Milanit, Karlo Ançeloti, paralajmëroi të tijtë se nuk u lejohen të humbasin pikë në “San Siro”. “Katër pikët diferencë”, - nënvizoi ai, - “nuk na lejojnë të bëjmë hapa falsë. Sinjalet nga Torino ishin shumë të mirë, dëshirojmë të vazhdojmë kështu. E dimë se do të gjejmë vështirësi, pasi Atalanta është një ekip që po luan aktualisht një futboll të mirë”. Xhilardino do të luajë përkrah Patos, ndërkohë që do të mungojnë Kaka, Emerson, Jankulovski e Kafu.

Baxho: “Do të kthehem për të rinjtë”

Roberto Baxho i rikthehet futbollit. Ish-ylli italian, i cili jeton prej vitesh jashtë vëmendjes së shtypit, dëshiron të kthehet në botën magjike të futbollit. “Më pëlqen shumë të merrem me të rinjtë”. Baxho, i cili ka qenë shok skuadre me Igli Taren te Breshia, por dhe ka ardhur në Shqipëri gjatë miqësores Shqipëri-Breshia, shton se projekti ka nevojë për një person që i beson atij. Një i tillë është pronari i Interit, Masimo Morati. “Është personi i duhur, kemi folur. Kur të jetë i bindur, jam këtu”.

MotoGp, Lorenco, pole dhe rekord

Pole position dhe kohë rekord për spanjollin Horge Lorenco, shok skuadre i Valentino Rosit te skuderia Yamaha-Fiat në Çmimin e Madh të Spanjës. Me goma “Mishelin”, Lorenco siguroi pole-n e dytë sezonal duke arritur kohën 1'38''189, duke thyer njëkohësisht edhe kohën e vendosur nga Luis Kapirossi (pole 2006 me “Ducati”, 1'39''065). Lorenco la pas Pedrozën me 6 të mijta (Honda-Repsol, 1'38''789). Kohën e tretë më të mirë e realizoi Eduards (Yamaha). Valentino doli i pesti, ndërsa kampioni i botës në fuqi, Stones, u rendit i shtati.
SMITH - Në garën e motorëve 125-kubikësh, pole position e siguroi britaniku Bredlei Smith i skuderisë Aprilia me kohën 1'47''587. Të gjashtë vendet e para i përkasin kësaj skuderie. I dyti spanjolli Nikolas Terol, i treti gjermani Stefan Bradl e me radhë hungarezi Gabor Talmashi, italiani Simone Korsi e në fund amerikani Stiv Bonsej.

31 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›