E Shtunë, 31 Tetor 2026

Karta e Studentit, shërbimet që do të përfitojnë këtë vit 40 mijë studentë

Karta do të përfshijë shërbime lehtësuese në sektorin publik dhe privat. Pagesë papunësie për një vit për studentët që nuk gjejnë punë pas mbarimit të shkollës

Jonida Tashi

Karta e Studentit, megjithëse nuk ka mbërritur ende në duart e 40 mijë të rinjve pritet të jetë një dokument tepër lehtësues për xhepat e tyre. Ministria e Arsimit bën të ditur se do të publikojë së shpejti për universitetet udhëzimin e veçantë për pajisjen me Kartën e Studentit, një dokument përmes të cilit studentët e arsimit publik dhe jopublik do të përfitojnë shërbime me çmime të reduktuara. Burime zyrtare nga MASH-i sqarojnë se përfitimet e studentëve nga përdorimi i Kartës së Studentit, do të përballohen nga fondet e parashikuara në buxhetin e shtetit të për këtë ministri. Zbatimi i Kartës së Studentit, konsiderohet nga Qeveria Studentore si një domosdoshmëri që do të ndihmojë në përfitimet që do të kenë studentët, por edhe në mënyrën se si universiteti menaxhohet. Ndërsa përsa i përket mënyrës së menaxhimit, ajo do të shërbejë në identifikimin e studentëve dhe krijimin e bazave të të dhënave mbi studentët.
Përfitimet
Në lidhje me përfitimet, Qeveria Studentore rekomandon se duhet të negociohet me aktorë të ndryshëm publikë e privatë (grupe interesi të arsimit publik ose jo) për t’i krijuar mundësinë studentëve që të kenë avantazhe të ndryshme financiare (si për shembull ulje në çmime), në veprimtari të ndryshme, me anë të përdorimit të Kartës së Studentit. Ky dokument i miratuar dy vite më parë është një hap drejt përcaktimit të një statusi më të privilegjuar të studentit në shoqëri, ashtu siç ai trajtohet në të gjitha shoqëritë demokratike moderne. Referuar vendimit, Karta e Studentit lëshohet për një periudhë 1-vjeçare, kundrejt një pagese të konsiderueshme që ende nuk është përcaktuar. Dokumenti i Kartës së Studentit do të jetë i formatit ID1, i pajisur me elemente të sigurisë dhe do të përmbajë: emrin, mbiemrin e studentit; datëlindjen; universiteti, dega, viti; numri i serisë së Kartës së Studentit; data e lëshimit të Kartës së Studentit; periudha e vlefshmërisë.
Shërbimet
Në bazë të kësaj karte, studentët parashikohet që të kenë lehtësira në të gjitha vendet, si me tarifa të zbutura dhe tarifa të veçanta. Karta do të përfshijë shumë shërbime lehtësuese për studentët si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat. Kështu, është parashikuar që studentët e vitit të parë do të përfitojnë falas ekzaminimet dentare, sigurimet shëndetësore, ndërsa për vajzat studente, vizitat mjekësore do të jenë falas. Ndërkohë transporti urban, institucionet kulturore, qendrat e internetit, bibliotekat, apo edhe shërbimet e tjera do të ofrojnë çmime të arsyeshme për çdo student. Karta do të prodhohet dhe shpërndahet një herë në vit nga agjencia, që do të ofrojë më shumë mundësi dhe shërbime për studentët. Karta e Studentit do të jetë e ngjashme me atë të identitetit, ajo do të jetë e pajisur me elementë të pakopjueshëm, elementë të lartë sigurie si fotografia e vulosur, shenjat e gishtave dhe do të ketë një kopje të veçantë për çdo student. Me miratimin e kësaj karte, studentëve shqiptarë do t’u paguhen si vite pune tek Sigurimet Shoqërore edhe katër vitet e shkollës së lartë. Një pikë tjetër e rëndësishme, që ju shtua Kartës së Studentit gjatë miratimit të Parlament është shtesa në ligjin “Për Sigurimet shoqërore”, ku për studentët e vitit të fundit të çdo universiteti mund të aplikohet edhe sigurimi i papunësisë. Studentët në këtë rast duhet të paguajnë 6 për qind të pagës minimale në shkallë vendi, si pagesë papunësie. Kjo u siguron atyre pagesë papunësie për një vit, në rast se ata nuk kanë gjetur punë pas mbarimit të shkollës së lartë. Me standardet e sotme, raporti midis pagesës dhe përfitimit është një me shtatë në favor të përfituesit.

Universiteti i Mjekësisë

Reagon Dhori Kule: “Të respektohet ligji i Arsimit të Lartë”

Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule kërkon që të respektohet ligji i Arsimit të Lartë, për ngritjen e Universitetit të Mjekësisë. Pas reagimit të dekanit të Filologjikut, Shezai Rrokaj, për hapjen e universitetit të ri reagon edhe rektori i UT-së. “Duhet të respektohet ligji i Arsimit të Lartë në çdo hallkë të tij, dhe se propozimi i Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Shkencës, për shkëputjen e Fakultetit të Mjekësisë dhe kthimin e tij në një universitet, në radhë të parë duhet të kalojë në senat”, - deklaron Kule. Rektori i UT-së sqaron se nga informacionet që ka nga përfaqësuesit e universitetit që drejton në KALSH, propozimi për hapjen e universiteti të ri është bërë nga një grup pune, që nuk ka përfaqësuar aspak komunitetin. “S’ka përfaqësues as nga universiteti, as nga fakultetet përkatëse, po është një grup me administratorë të Ministrisë, të cilët si pengon kush të marrin iniciativa, po si lejon kush që këto iniciativa të marrin rrugë të paligjshme”, - shprehet Dhori Kule. Dy ditë më parë, ish-rektori i UT-së, Shezai Rrokaj, deklaroi se propozimi i KALSH-it, për ngritjen e Universitetit të Mjekësisë është i pa drejtë dhe se cenon ligjin e arsimit të lartë.

1 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›