E Diel, 1 Nëntor 2026

“Avokati i Popullit, larg ndikimeve politike, interesi i vetëm qytetari”

10-01-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha pret në takim Avokatin e ri të Popullit, Igli Totozani
 
Kryeministri Sali Berisha zhvilloi dje një takim me Avokatin e ri të Popullit, Igli Totozani. Kreu i qeverisë Berisha i uroi Totozanit suksese në detyrën shumë të rëndësishme që Kuvendi i besoi. Ai e cilësoi rolin kushtetues të Avokatit të Popullit si të një rëndësie themelore në mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Më tej, Kryeministri Berisha u shpreh se me zgjedhjen e Totozanit u përmbyll një proces i rëndësishëm, për të cilin mazhoranca kishte treguar prej kohësh gatishmëri të plotë në pranimin e kandidaturave të propozuara nga opozita në emërimin e funksionit të Avokatit të Popullit.
Kryeministri e siguroi Avokatin e Popullit për mbështetjen e plotë, nga ana e qeverisë shqiptare, të punës së këtij institucioni dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar si në konsultimin për hartimin e legjislacionit të nevojshëm që ka lidhje me të drejtat e njeriut, ashtu edhe në zbatimin e rekomandimeve të Avokatit të Popullit në lidhje me problemet e konstatuara në respektimin e këtyre të drejtave.
Nga ana e tij Totozani e falënderoi Kryeministrin Berisha për mbështetjen që ai i dha në ushtrimin e detyrës së tij. Ai çmoi se mazhoranca e gjerë, me të cilën u votua kandidatura e tij, e angazhon atë akoma më shumë në kryerjen e detyrës në përputhje me Kushtetutën, ligjin dhe larg ndikimeve politike, në interes vetëm të qytetarit.
Në takim u nda i njëjti mendim në lidhje me nevojën për tu fokusuar në çështje me rëndësi themelore në respektimin e të drejtave të njeriut.
Të dy bashkëbiseduesit, pasi konstatuan përmirësim në sistemin e institucioneve të vuajtjes së dënimit, theksuan nevojën për të bërë më shumë në këtë drejtim.
Gjithashtu, ata ranë dakord për të bashkëpunuar në përmirësim e situatës në disa fusha të tjera prioritare.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›