“Integrimi europian përmes reformave dhe dialogut mazhorancë - opozitë”

Apeli i kreut të Prezencës së OSBE, Eugen Wollfarth
“OSBE inkurajon dialogun politik mes dy kampeve politike, ndërsa bën thirrje për avancimin e këtij stadi konsensual, në mënyrë që integrimi evropian i Shqipërisë, të jetë një proces më i lehtë”.
Kështu u shpreh dje ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth, duke kujtuar se konsensusi politik mbetet një nga kushtet kryesore për integrimin e vendit në Bashkimin Europian.
“Palët kanë arritur dialogun. Një rast i mirë i konsensusit është edhe miratimi nga të dyja palët i Avokatit të Popullit. Dialogu është i nevojshëm dhe unë mendoj që dialogu është i mundur”, u shpreh Wollfarth.
Deklaratat e tij, kreu i prezencës së OSBE, i bëri pas takimit të zhvilluar me Avokatin e Popullit, Totozani. Wollfarth theksoi se miratimi i kandidaturës së Igli Totozanin me konsensusin e të dyja palëve në Parlament, është një fakt inkurajues sepse tregon besimin për vendosjen e të drejtave të njeriut.
“Avokati i Popullit i zgjedhur së fundi me një shumicë dërrmuese prej 127 votash në parlament. Kjo është një deklaratë tejet e rëndësishme që vjen nga parlamenti në mbështetje të Avokatit të Popullit dhe të institucionit të Avokatit të Popullit; është një votë për qytetarët shqiptarë”, tha ai.
Viti i ri filloi me një debat lidhur me kuorumin e nevojshëm për votimin e presidentit. A është ky prelud i një ngërçi të ri politik?
Ajo që është shumë e rëndësishme për të shtruar rrugën drejt integrimit evropian është konsensusi, të folurit me njëri-tjetrin, dhe ja tek jemi sot jemi këtu tek institucioni i Avokatit të Popullit. Kjo tregon se konsensusi është jo vetëm i mundur, por edhe se me konsensus Shqipëria ecën përpara.
Zgjedhja me 127 vota për ju, Totozani, është tejet e rëndësishme, tejet inkurajuese dhe shpresoj gjithashtu që do t’i japë një shtysë të fortë kauzës së të Drejtave të Njeriut dhe të Shtetit të së Drejtës. Shpresoj që një konsensus i ngjashëm – mbase jo aq i lartë – por një konsensus i ngjashëm të mund të arrihet kur të gjendet kandidati apo kandidatët për president. Prezenca e OSBE-së në Shqipëri është e mandatuar për ta mbështetur Shqipërinë për të pasur të Drejta të Njeriut të plota dhe një Shtet të së Drejtës të plotë, dhe Zyra e Avokatit të Popullit dhe vetë Avokati i Popullit janë pikënisje të rëndësishme. Më vjen shumë mirë që tashmë e shohim Shqipërinë në pozitën që është plotësisht e pajisur në këtë drejtim. Totozani do të ketë jo vetëm përkrahje personale, por edhe nga ana institucionale ai do të vazhdojë të ketë përkrahjen e plotë të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.
Ndoshta duke folur për konsensusin dhe për mënyrën e ndjekur për përzgjedhjen e Avokatit e Popullit, mendoni se e njëjta formulë mund të funksionojë edhe për zgjedhjen e presidentit? Pra, a mund të gjendet konsensusi në një farë mënyrë edhe për përzgjedhjen e Kreut të Shtetit?
Viti sapo ka filluar, zgjedhjet janë në korrik, kushtetuta është aty, dhe ka kohë të mjaftueshme për të diskutuar. Prandaj le t’ia kushtojmë ditën e sotme Avokatit të Popullit. Do të thosha që ky është vërtet një hap i madh për qytetarët shqiptarë dhe gjithashtu për integrimin evropian.