Kandahar, ushtari amerikan vret 15 civilë
Rritet bilanci i viktimave nga te shtenat e ushtarit amerikan ne kandahar. Sipas te dhenave te fundit mesohet se nga te shtenat jane vrare të paktën 15 civilë afganë.
Zyrtarët thanë se ushtari amerikan doli sot në mëngjes nga baza e tij dhe filloi të hapte zjarr kundër shumë shtëpive në distriktin Panjwayi.
NATO tha se ndaloi ushtarin amerikan dhe po heton incidentin. Zv/komandanti i Forcës Ndërkombëtare të NATO-s, Gjeneral-lejtnanti, Adrian Bradshaw shprehu “keqardhje dhe zhgënjim të madh” lidhur me incidentin.
Gjenerali Bradshaw tha me anë të një deklarate se nuk mund të shpjegojë motivet e këtyre “veprimeve të pashpirt” që kanë vrarë dhe plagosur “një numër civilësh” në fshatrat afër bazës. Ai tha se incidenti nuk ishte “në asnjë mënyrë” pjesë e aktiviteteve të Forcës Ndërkombëtare të NATO-s.
Me anë të një deklarate, ambasada amerikane në Afganistan tha se personi përgjegjës do të “nxirret para përgjegjësisë”.
Nuk dihet ende se cilat mund të kenë qënë motivet e ushtarit amerikan për veprimet e tij.
Ky incident ndosh pas disa javë marrëdhëniesh të tendosura mes trupave amerikane dhe atyre afgane, si pasojë e djegjes së disa kopjeve të Kuranit në një bazë të ushtrisë amerikane.
Megjithëse zyrtarët amerikanë kërkuan falje për djegjen e Kuranit dhe thanë se ajo ishte një aksident, incidenti nxiti protesta me dhunë dhe sulme në gjithë vendin, që shkaktuan dhjetra të vrarë. (voa)