E Shtunë, 31 Tetor 2026

Avokati i Prendit nxjerr jashtë afatit 21 janarin

Ndrea Prendi

Një manovër e papritur e avokatit të Ndrea Prendit ka futur në një situatë të diskutueshme dosjen penale ndaj ish-kreut të Gardës së Republikës me akuzën për vrasje në demonstratën e 21 janarit.
Javën e kaluar, Genc Gjokutaj, avokati i Ndrea Prendit, u thirr në Prokurori pasi grupi hetimor do ti njoftonte përfundimin e hetimit dhe dërgimin e dosjes në Gjykatë. Formalisht avokati duhej të firmoste aktin e përfundimit të hetimeve për ti hapur rrugë nisjes së dosjes drejt Gjykatës, por kjo nuk ndodhi. Avokati mori në dorëzim disa akte të dosjes penale ndaj klientit të tij dhe kërkoi dhjetë ditë kohë për tu njohur me dokumentet në fjalë e mandej për të mbajtur qëndrim. Lajmi u konfirmua edhe nga Prokuroria, e cila tha se me të drejtën që i jep ligji avokati kërkoi të njihet me disa materiale të dosjes dhe paralajmëroi se, pasi ti studiojë ato, Prendi mund të japë deklarime si i pandehur ose mund të ndjekë rrugën ligjore të kundërshtimit të akteve në fjalë. Pavarësisht se çfarë mund të ndodhë më tej me çështjen, duket se që prej ditës së djeshme procedimi ka hyrë në një situatë të interpretueshme, pasi pikërisht më datë 22 prill presupozohet të përfundonte afati 3-mujor i hetimit për masën e arrestit të shtëpisë që gjykata e Tiranës vendosi më datë 22 janar 2012. Atë ditë, Gjykata e Shkallës së Parë refuzoi kërkesën e Prokurorisë për arrestimin e Ndrea Prendit dhe vendosi që ai të qëndrojë në arrest shtëpie. Duke qenë një masë e cila në mënyrë të pjesshme i heq lirinë personit nën hetim, ajo ka një afat ligjor sipas Kodit të Procedurës Penale, pasi nuk mund të zgjasë pafundësisht. Praktikisht masat e sigurisë me arrest ose me kufizim lirie zgjaten vetëm nga gjykata. Procedura është e tillë, që Prokuroria paraqet provat që ka dhe kërkesën për zgjatjen e masës dhe pastaj gjykata, bazuar në shkaqet e zgjatjes së masës, vendos nëse është e ligjshme që kufizimi i lirisë së personit të vazhdojë. Burimet zyrtare të Prokurorisë nuk kanë bërë asnjë koment, duke thënë se çështja është në fazën finale të saj. Ndërkaq nga burimet jozyrtare nuk është konfirmuar deri ditën e djeshme ndonjë vendim për shtyrjen e afatit të hetimit. E vetmja rrugëzgjidhje për një afat të dytë pas 22 prillit me qëllim që aktet e hetimit të jenë të vlefshme, është interpretimi se ditët e pushimeve zyrtare nuk do të llogariten. Kështu, nga tre muaj që është afati që kur u vendos masa ndaj Ndrea Prendit deri ditën e djeshme, me një llogari të thjeshtë akuza mund të përfitojë deri në 24 ditë. Megjithatë, ky është një aspekt i diskutueshëm, për shkak se gjykata e Tiranës ndonëse kishte vendosur masën e arrestit me burg pa afat ndaj të akuzuarit tjetër Agim Llupo, në 7 shkurt 2012 vendosi shtyrjen deri më 8 maj pikërisht për shkak të përfundimit të afatit hetimor. Sipas nenit 323 të Kodit të Procedurës Penale, për afatin e hetimeve paraprake, në pikën e parë thuhet se brenda tre muajve nga data në të cilën emri i personit që i atribuohet vepra penale është shënuar në regjistrin e njoftimit të veprave penale, prokurori vendos dërgimin e çështjes në gjyq, pushimin ose pezullimin e saj. Kur është i nevojshëm autorizimi i procedimit, ecja e afatit pezullohet nga çasti që bëhet kërkesa deri në ditën kur autorizimi i vjen prokurorit, thuhet në këtë nen të Kodit të Procedurës Penale.
Kume
I vetmi që është dërguar në gjykatë deri tani është Margarit Kume, shoferi i Ndrea Prendit për të cilin mësohet se avokatët nuk kanë shprehur kundërshtime apo kërkesa paraprake duke firmosur dërgimin e dosjes në gjykatë. Kume është akuzuar se pistoleta e tij është përdorur nga Prendi për ndryshimin e tytës së saj, pasi ai e ka dorëzua në magazinën e Gardës disa javë pas 21 janarit. Afati i fundit hetimor për të akuzuarit tjerë, Agim Llupo dhe gardistët që bënin pjesë në grupin e zjarrit, sipas vendimit të dhënë nga gjykata e Tiranës, përfundon më 8 maj. Pas asaj date sipas ligjit, çdo veprim i prokurorisë apo çdo provë e marrë bëhet automatikisht e pavlefshme.

Veprimet jashtë afatit, pa vlerë
Sipas nenit 324 të Kodit të Procedurës Penale, prokurori mund ta zgjasë afatin e hetimeve për një kohë deri në tre muaj. Zgjatje të mëtejshme, secila për një kohë jo më shumë se tre muaj, mund të bëhen nga prokurori në rastet e hetimeve komplekse ose të pamundësisë objektive për ti përfunduar ato brenda afatit të zgjatur. Kohëzgjatja e hetimeve paraprake nuk mund të kalojë dy vjet. Sipas pikës tre të këtij neni, vendimi për zgjatjen e afatit të hetimeve i njoftohet të pandehurit dhe të dëmtuarit. Në fund, pika katër e nenit në fjalë parashikon se veprimet hetimore të kryera pas mbarimit të afatit nuk mund të përdoren.

TRAZHGIM SOKOLAJ

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›