E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prifti-Beqiraj: Të pushohet gjykimi

Videoja e Dritan Priftit me Leonard Beqirajn

Ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti dhe ish-zëvendësi i tij, Leonard Beqiraj, të akuzuar për korrupsion, i kërkuan dje Gjykatës së Lartë pushimin e çështjes së tyre gjyqësore.
Kërkesa u artikulua në seancë nga avokatët e tyre mbrojtës, pasi të pandehurit Prifti dhe Beqiraj nuk ishin të pranishëm. Në seancën e djeshme, e para e këtij gjykimi, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë dëgjoi kërkesat paraprake të përfaqësuesve ligjorë të të pandehurve. Njëri pas tjetrit, avokatët paraqitën argumentet që në thelb kishin kërkesën për pushimin e çështjes. Si pikë mbështetjeje të argumenteve të tyre avokatët përdorën vendimet e ndërmjetme të Kolegjit Penal, që gjykoi dosjen në ngarkim të Ilir Metës në Gjykatën e Lartë. Kjo, për shkak se hetimi ndaj të pandehurve Prifti dhe Beqiraj ka rrjedhur nga hetimet për llogari të dosjes Meta-Prifti. Nga ana e tij, përfaqësuesi i akuzës në proces, prokurori Bujar Sheshi, nuk kishte kërkesa paraprake. Në fund të seancës ai kërkoi dhjetë ditë kohë për të përgatitur kundërshtimet për pretendimet e avokatëve mbrojtës, ndërsa Gjykata caktoi datën 7 maj për seancën e radhës.
SEANCA
Me vetëm 4 minuta vonesë nga orari i paracaktuar, Kolegji Penal që gjykon dosjen Prifti-Beqiraj në Gjykatën e Lartë nisi seancën e parë për shqyrtimin e kësaj dosjeje. Në tavolinën e të pandehurve ndodheshin vetëm avokatët mbrojtës të Dritan Priftit dhe Leonard Beqirajt. Gjatë verifikimit të palëve në proces, avokatët i bënë me dije gjykatës se klientët e tyre kishin dijeni për seancën. Në vijim Kolegji i ftoi palët në paraqitjen e kërkesave paraprake. Sipas avokatit Fatmir Braka, përfaqësuesit ligjor të të pandehurit Prifti në proces, çështja duhet të pushohej. Të pushohet çështja penale me arsyetimin se nuk duhet të fillonte dhe nuk duhet të vazhdojë, u shpreh para trupit gjykues avokati Braka. Më herët, avokati kërkoi që Kolegji Penal të shpallte pavlefshmëri absolute për të gjitha veprimet hetimore dhe materialet që janë bërë pjesë e fashikullit të gjykimit. Thuajse në të njëjtat linja ishte më pas edhe avokati mbrojtës i të pandehurit Leonard Beqiraj. Mbrojtësi iu referua vendimit të ndërmjetëm të Kolegjit Penal në dosjen Meta-Prifti, që deklaroi nul ekspertimin e amerikanit Glen Bart. Avokati arsyetoi se meqenëse ai nuk mund të prodhojë pasoja, aktet janë absolutisht të pavlefshme. Në nisje të kërkesave paraprake, avokati Meçi sqaroi dje se nuk kishte pretendime në lidhje me kompetencën, ndonëse klienti i tij nuk ishte deputet. Në këtë moment, trupi gjykues e ndërpreu avokatin dhe i kërkoi prokurorit se si ishte sjellë i pandehur Beqiraj në Gjykatën e Lartë. Të dy të pandehurit dyshohet që ta kenë kryer veprën në bashkëpunim. Nuk mund ta veçonim të pandehurin Beqiraj, u shpreh prokurori. Në vijim, pasi u tërhoq në dhomën e këshillimit, Kolegji Penal e vlerësoi si të drejtë këtë pretendim dhe vendosi vazhdimin e gjykimit.
DOSJA
Dritan Prifti dhe Leonard Beqiraj akuzohen nga Prokuroria e Përgjithshme për akuzën e korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike. Hetimi ndaj tyre pati si fillesë një material video të gjetur në një nga pajisjet e ekspertuara nga eksperti amerikan Glen Bart për llogari të hetimit Meta-Prifti. Në një nga objektet e ekspertuara, eksperti amerikan arriti të rikuperojë një videoregjistrim të fshirë. Atu shfaqej ish-ministri Prifti duke ndarë një sasi parash me ish-vartësin e tij, Leonard Beqiraj. Dosja në ngarkim të tyre u regjistrua në Gjykatën e Lartë më 8 mars të këtij viti.

Materiali u fshi nga kompjuteri prej ish-ministrit
Videoja në kompjuterin e Priftit, ndau 69 mijë euro me Beqirajn

Gjykata e Lartë

TIRANE Në periudhën janar-shkurt të vitit të kaluar, Prokuroria ishte duke hetuar për videon e bërë publike në emisionin Fiks Fare mes Ilir Metës dhe Dritan Priftit, kur ndodhi zbulimi i papritur i një videoje të dytë në kompjuterin e ish-ministrit të Ekonomisë. Eksperti amerikan, të cilit iu kërkua të verifikonte vërtetësinë e videos Meta-Prifti, në përgjigjen e kthyer në Prokurorinë e Përgjithshme më 11 shkurt 2011, theksonte se nga kontrolli në kompjuterin e Dritan Priftit ishte gjetur dhe rikuperuar një video e dytë. Kjo video përmbante pamjet e dy personave që bisedonin mes tyre në një ambient të mbyllur, që dukej si zyrë, të cilët në një moment ndanin mes tyre një sasi të konsiderueshme parash në kartëmonedha. Mbërritja e kësaj videoje në Prokurori dhe raporti i specialistit amerikan shërbyen si fillesë e hetimit në adresë të Dritan Priftit dhe Leonard Beqirajt. Deri në këtë kohë Prifti kishte qenë vetëm dëshmitar, por ai tashmë u kthye në person në hetim. Organi i akuzës ndërkohë i kërkoi Parlamentit heqjen e imunitetit për Ilir Metën, por bazuar në videon e rikuperuar në kompjuter, u kërkua edhe heqja e imunitetit të Dritan Priftit. Publikisht videoja e tij me Leonard Beqirajn u transmetua në emisionin Opinion të gazetarit Blendi Fevziu, pasi Spartak Braho dorëzoi aty kompakt-diskun me pamjet e regjistruara. Prifti dhe Beqiraj kanë pohuar se bëhet fjalë për një marrëdhënie krejt private, konkretisht për një kthim borxhi dhe aspak për një situatë korruptive. Ndërkohë, në bisedën e zbardhur mes tyre flitet për licenca, për biznesmenë dhe për ndarjen e parave në shumën 69 mijë euro. Me këtë shumë Beqiraj shkoi te shtëpia e Priftit, të cilit i shpjegoi se një mijë euro ia kishte lënë një personi tjetër.

Avokatët: Procedimi, produkt i ekspertizës së pavlefshme
TIRANE Vendimi i Gjykatës së Lartë ndaj Ilir Metës, ku Kolegji Penal u shpreh se fakti nuk ekziston, si edhe një tjetër vendim nga një Kolegj Penal për ish-ministrin e Mbrojtjes, ku flitet për çështjen e imunitetit, ishin dje shtyllat e argumenteve të avokatëve që mbrojnë ish-ministrin Dritan Prifti dhe ish-zëvendësin e tij, Leonard Beqiraj. Në seancë, avokati i të pandehurit Prifti u shpreh se në rastin e dosjes Meta-Prifti Kolegji Penal pranoi pavlefshmërinë relative të akteve të ekspertit Glen Bart dhe për shkak se eksperti nuk ishte përcaktuar sipas ligjit, aktet u konsideruan nul. Duke folur për klientin e tij Prifti, avokati tha se procedimi penal ndaj tij ka filluar nga një fakt që nuk ka ekzistuar asnjëherë. Njëkohësisht, avokati u shpreh se organi i akuzës kishte ndërmarrë veprime hetimore para se Kuvendi të autorizonte ndjekjen penale të Priftit. Duhej që Prokuroria të mos kryente asnjë veprim pa marrë autorizimin nga Kuvendi, tha avokati. Që në momentin e parë, në fillim të këtij procedimi, për shkak të kërkesës që ne gjykojmë se është e paligjshme për dhënien e autorizimit për heqjen e imunitetit, që e quajmë tërësisht të paligjshëm këtë, dhe për shkak edhe të një ekspertimi që ka dalë nga gjykimi i mëparshëm, që është shpallur si i tillë nga Gjykata e Lartë, ne e kemi thënë që akt-ekspertimi dhe të gjitha aktet e tjera që vijnë për shkak të kësaj paligjshmërie janë të pavlefshme të gjitha, u shpreh për mediat, pas përfundimit të seancës, avokati Fatmir Braka. Mbrojtësi i të pandehurit Beqiraj, avokati Meçi, duke ripohuar faktin nul të ekspertimit të Glen Bart, u shpreh për mediat pas seancës se ato nuk mund të prodhojnë pasoja, pra nuk mundet

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›