Arrestimi për armëmbajtje pa leje, 2 dëshmitarë shfajësojnë Shullazin

Emiljano Shullazi
TIRANE – Dy dëshmi të reja që shfajësojnë Emiliano Shullazin nga akuza e armëmbajtjes pa leje, u dëgjuan dje në procesin ndaj tij dhe Gilmando Danit në Gjykatën e Tiranës. Personi, që mbrëmjen e arrestimit të Shullazit dhe Danit u largua me vrap, u paraqit si dëshmitar i mbrojtjes në proces. Dëshmitari Denis Selamajt tha se atë natë nuk kishte parë ndonjë pistoletë, por vetëm kishte dëgjuar Gilmando Danin të përmendte një armë. Emiliano Shullazin dhe Gilmando Danin i kam komshinj. Kam njohje me ta si njerëz të një mëhalle. Në momentin që ishin pranë lavazhit, po ecnim në këmbë. Unë isha në krah me Emilianon. Ndërsa Gilmando ishte tre hapa mbrapa. Erdhi patrulla e policisë. Kur na thanë ndal policia!, unë dëgjova Gilmandon që tha: Obobo, do më kapin armën!. U frikësova, se nuk doja të kisha probleme dhe ika me vrap. Kur ika, Emiliano më dha një telefon dhe një portofol. Më ndoqi një polic nga prapa rreth 50-100 metra. Pastaj pashë që nuk po më ndiqte më. Atë natë unë nuk pashë ndonjë armë, përveçse dëgjova Gilmandon kur e përmendi, tha dëshmitari para gjykatës. Pas tij, para trupit gjykues u paraqit Orges Dani, vëllai i të pandehurit Gilmando Dani. Dëshmitari pohoi faktin se vëllai i tij para se të

Gilmando Dani
arrestohej mbante një armë, të cilën e ka marrë me vete ditën kur u arrestua. Jam vëllai i Gilmando Danit. Gilmando që pas plagosjes në qershor 2011 mbante armë. Ka qenë një pistoletë Glock. E pyeta një herë se për çfarë e donte, po ai më tha që mua më plagosën një herë. Pastaj më tha që çfarë të duhet ty dhe nuk më dha shumë shpjegime. Ditën që u arrestua, para se të dilte nga shtëpia ai futi pistoletën në brez, tha dëshmitari. Po në seancën e djeshme, gjykata rrëzoi kërkesën e Prokurorisë për kundërshtimin e dëshmive të tre punonjësve të policisë, që kanë arrestuar Shullazin dhe Danin më 8 nëntor 2011. Në seancën e kaluar, të tre punonjësit e policisë mohuan para gjykatës të kishin parë armë në duart e Emiliano Shullazit në momentin e arrestimit. Ndërsa në procesverbalin e arrestimit ata kishin shënuar se një armë e gjetur në vendin e arrestimit ishte hedhur në tokë nga Emiliano Shullazi. ar.ba
Kontradiktat
Në seancën e kaluar në ngarkim të Emiliano Shullazit u morën në pyetje në gjykatë tre efektivat e policisë që kishin bërë arrestimin. Ata mohuan procesverbalet e arrestimit të firmosura prej vetë atyre, pasi para togave të zeza thanë se armën nuk e kishte Shullazi, ndërkohë që në raportet e shërbimit kishin shkruar se pistoleta i ishte kapur këtij personi.