E Diel, 1 Nëntor 2026

Avokati i Shtetit teston 16 juristë për 13 vende vakante

Projekti Rekrutimi i personave të rinj për forcim të kapacitetit të këtij institucioni

Ministria e Drejtësisë dhe Avokatura e Shtetit testuan dje avokatët e shtetit për 13 vende vakante. Në testim morën pjesë 16 persona, ku ditën e sotme do të shpallen edhe fituesit. Testimi u realizua në mbështetje të Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë së Shqipërisë dhe Agjencisë Spanjolle për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim, Avokatura e Shtetit, projekti spanjoll AECID, në bashkëpunim me Shkollën e Magjistraturës, të cilët realizuan me sukses procesin formues të avokatëve të shtetit, nga data 28 prill 2010 deri më 30 qershor 2010. Mësohet se kjo është faza e dytë e testimit të këtyre avokatëve, të cilët u trajnuan nga ekspertë të huaj dhe vendas. Avokatja e përgjithshme e shtetit, Ledina Mandia, u shpreh se rekrutimi i avokatëve të rinj do të sjellë forcimin e mëtejshëm në kapacitetet e këtij institucioni shumë të rëndësishëm për shtetin ligjor. “Avokatura e Shtetit është një institucion kyç për t’u garantuar të gjithë qytetarëve cilësinë juridike të veprimeve të shtetit, duke evituar në shumë raste dërgimin e çështjes deri në gjyq dhe ta mbrojë atë me efikasitet kur kjo gjë të ndodhë”, tha Mandia. Zbatimi i projektit do të përmirësojë organizimin e brendshëm dhe formimin e Avokaturës së Shtetit të Shqipërisë, e për më tepër duke ushtruar në mënyrë më efikase funksionin mbrojtës të shtetit përballë gjyqeve. Projekti do t’i lejojë avokatët të marrin funksione të tjera, si vlerësimi paraprak i kontratave dhe marrëveshjeve juridike të ndërmarra nga shteti, vlerësimi i projektligjeve dhe të përfaqësojë shtetin shqiptar përballë gjyqeve ndërkombëtare të organizmave ndërkombëtarë, ku Shqipëria aderon në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe përballë Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Europian.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›