E Diel, 1 Nëntor 2026

I ikën policisë, kapet me pistoletë nipi i Nehat Kullës

Tiranë Klodian Kulla nuk i ndaloi Task Forcës rrugore për motorin, por iu gjet arma

Nipi i Nehat Kullës, i cili ka qenë i njohur më parë nga policia edhe për vepra të tjera penale, u ndaluar nga policia e kryeqytetit, pasi u kap me një pistoletë pa leje. Klodian Kulla, 23 vjeç, është konstatuar nga shërbimet e Task Forcës së Policisë Rrugore, por atyre u është larguar me motor, që ka ndaluar vetëm përballë një patrulle policie të Komisariatit Nr. 4. Burimet policore bënë të ditur se të shtunën në mbrëmje, shërbimet e Task Forcës së Policisë Rrugore kishin dalë në aksion për goditjen e drejtuesve të mjeteve, që qarkullojnë pa dokumentacion përkatës, sidomos me motorë. Gjatë një aksioni te rruga “Hoxha Tahsim”, me një motor po qarkullonte 23-vjeçari Kulla. Task Forca, e cila drejtohet nga Krenar Ahmeti, i ka bërë shenjë të ndalojë, por ai është larguar me shpejtësi, kështu që shërbimet i janë vënë pas me mjetet e tyre. Gjithashtu ata kanë njoftuar kolegët e Komisariatit Nr. 4, të cilët kanë ngritur një postbllok në zonën e “Porcelanit”, ku i riu ka ndaluar dhe është dorëzuar. Gjatë kontrollit fizik, atij i është gjetur me vete një pistoletë “TT”, si dhe tre krehër me 21 fishekë. Policia deklaroi se ai e mbante armën rastësisht me vete. Sipas të dhënave hetimore, ai ka qenë i dyshuar edhe më parë për konflikte me armë. Pikërisht më 22 qershor të vitit 2007, nga policia u deklarua se kishte qëlluar një person me armë, teksa udhëtonte me një fuoristradë, që dikur përdorej nga Nehat Kulla. Në vitin 2003, nipi i Nehatit, kur ishte 18 vjeç, është arrestuar për vjedhje. Sipas të dhënave, më 15 prill të 2003, nga policia u ndaluan Florian Salla, Klodian Kulla dhe Vigert Hodo, banues në Tiranë, sepse në bashkëpunim kishin vjedhur një motor.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›