SHISH, sot debati në Komisionin e Sigurisë
Eksperti britanik i OSBE-së, që do të mbikëqyrë ligjin e SHISH-it në Tiranë, ka bërë që mbledhja e Komisionit të Sigurisë të nisë nga puna 24 orë me vonesë. Mbledhja do të zhvillohet ditën e sotme, në mënyrë ‘të blinduar’, dhe eksperti britanik do të japë përpara deputetëve dhe anëtarëve të Komisionit të Sigurisë sugjerimet e tij mbi amendamentet shtesë të propozuara nga mazhoranca. Eksperti i specializuar për çështjet e sigurisë është thirrur nga OSBE-ja dhe amendamentet që priten të diskutohen për herë të parë në komision do të shkaktojnë jo pak debate mes opozitës dhe mazhorancës. Propozimet e mazhorancës synojnë të forcojnë më shumë kontrollin e Parlamentit mbi veprimtarinë e Shërbimit Informativ Shtetëror. Ato shkaktuan reagimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat nëpërmjet ambasadorit në Tiranë, Xhon Uidhers, deklaruan se projektligji i ri dëmtonte punën e SHISH-it. Partia Socialiste ngriti dje dyshime serioze mbi qëllimet e qeverisë me projektligjin e ri për Shërbimin Informativ Shtetëror. Deputeti i saj, Ilir Gjoni, anëtar i Komisionit parlamentar të Sigurisë, deklaroi se përpjekja e rinisur nga ekzekutivi synon kontrollin e SHISH-it dhe pse jo edhe hakmarrjen ndaj tij për punën e bërë dhe raportimin e balancuar. “Shqetësimi ynë serioz buron nga fakti se ky projektligj po tenton të futet sërish në seancë për të realizuar objektivin e Sali Berishës, për të vënë nën kontroll SHISH-in. Me këtë veprim Sali Berisha mesa duket hakmerret ndaj një raporti realist e të balancuar që drejtori i SHISH-it bëri para Komisionit të Sigurisë. Beteja e Kryeministrit ndaj SHISH, këtij institucioni kaq të rëndësishëm të sigurisë kombëtare vihet re edhe në faktin se në projektbuxhetin që është futur për diskutim në Kuvend, buxheti i këtij institucioni është shkurtuar edhe me afërsisht 10%”, tha ndër të tjera Gjoni. Ai ka nënvizuar si një arsye më shumë për të dyshuar mbi nismën në fjalë edhe shmangien e njohjes së përmbajtjes së draftit nga ana e deputetëve të opozitës. Debati në fjalë rikthehet në Parlament pas gati dy muajsh, pasi tentativa e parë e qeverisë në këtë drejtim u bllokua si pasojë e reagimit ndërkombëtar, ku nuk mungoi dhe një prononcim i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Rasmussen.
#