E Shtunë, 31 Tetor 2026

Punëtorët e uzinës mekanike, gjashtë muaj pa paga

Kuçovë

Punëtorët e uzinës mekanike të naftës në qytetin e Kuçovës që prej gjashtë muajsh nuk janë paguar për punën e tyre, ndërkohë që asnjë shpjegim nuk jepet për këtë problem, që ka lënë pa paga punonjësit. Burime pranë uzinës mekanike në qytetin naftëtar bëjnë me dije se janë 200 punëtorë të kësaj uzine, të cilëve nuk u kalohet në llogaritë e tyre rrjedhëse paga që prej gjashtë muajsh. Punëtorët thonë se askush nga drejtuesit e uzinës nuk u jep as më të voglin shpjegim në lidhje me mospagesën. Problemi ka lindur që në fillim të këtij viti, kur uzina nuk kishte fondet e nevojshme për pagesën e punonjësve. Por as kalimi i kësaj uzine nën administrimin e kompanisë “Albpetrol” tre muaj më parë nuk e ka zgjidhur këtë problem. Sipas punëtorëve, në fund të muajit prill, uzina kaloi nën administrim e “Albpetrolit” dhe u premtua se pagat e prapambetura do të shlyheshin menjëherë, por kjo ende nuk është realizuar. Në tre muajt e parë të këtij viti uzina ka qenë debitore ndaj Tatim-Taksave, çka është bërë shkak për bllokimin e pagave. Por, dhe kalimi nën administrimin e kompanisë shtetërore të naftës nuk ka mundur ta zgjidhë këtë problem. Në këtu kushte 200 punëtorët e mbetur në këtë uzinë vazhdojnë që të mos paguhen. “Vazhdojmë të vijmë në punë, por prej gjashtë muajsh nuk marrim asnjë lek dhe po jetojmë me borxhe, me shpresën se një ditë pagat do të kalojnë në llogaritë tona”, thotë një nga punëtorët. Shkurtimet e shumta të vendeve të punës në këtë uzinë kanë bërë që punëtorët e mbetur të mos protestojnë hapur për mungesën e pagave.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›