E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ish-kreu i SHIU-t, Gjergji: Gërdeci nuk ishte sabotazh

“Kur ishim në Bruksel për çështjet e NATO-s, u këshilluam që të bënim kujdes nga veprimtari të tilla”

Ish-drejtori i Shërbimit Informativ të Ushtrisë (SHIU), Hysni Gjergji, dëshmoi para sallës së gjyqit se gjatë kohës që ai ka qenë në këtë post, nuk ka pasur asnjë informacion se në Gërdec mund të kishte ndonjë plan për sabotazh. “Në një takim për NATO-n, Brukseli na informoi, se si vend në atë kohë kandidat për NATO, mund të rezultonin akte që mund ta bënin vendin tonë si objekt sabotazhi”. Gjergji pohon se për këtë ka vënë në dijeni edhe ministrin e Mbrojtjes të asaj kohe, Fatmir Mediun.

Gjatë deklarimeve të dhëna përpara trupit gjykues, të kryesuar nga Ritvan Hado, në dosjen “Gërdeci”, ish-kreu i Shërbimit Informativ Ushtarak, gjatë vitit 2007-2008, konfirmoi disa herë se nuk kishte pasur asnjë informacion se tragjedia e 15 marsit të vitit 2008 është një akt sabotazhi, por ka qenë në dijeni të punimeve që ishin duke u kryer në Gërdec. Dëshmitari ka shpjeguar se këto informacione për punimet dhe veprimet që kryheshin atje i kishte marrë nga ekspertë të huaj dhe shqiptarë, por nuk kishte informacione se kush ishte duke kryer demontime. Gjergji u shpreh para gjykatës se te SHIU nuk kishte ardhur ndonjëherë informacion sa u përket ankesave, pakënaqësive në lidhje me demontimin në Gërdec, të cilat mund të dyshoheshin për vepra të tjera. “Verifikimet janë bërë edhe në kuadër të këshillave të marra nga partnerët ndërkombëtarë, pasi Shqipëria ishte në hyrje në NATO. Zhvilluam një takim më 2007-n në Bruksel për çështjet e NATO-s, ku u këshilluam që të bënim kujdes, pasi Shqipëria ishte në prag të anëtarësimit në NATO dhe duhej të ruhej nga ndonjë veprimtari e dyshimtë. Në këtë kuadër kemi bërë verifikime, por që nuk na rezulton as ndonjë e dhënë për aktivitet kriminal për çështjet e sigurisë kombëtare. Për këtë gjë kam vënë në dijeni edhe ministrin e Mbrojtjes të asaj kohe, Fatmir Mediu”, ka treguar dje Gjergji. I pyetur nga prokurori Petrit Bici, nëse kanë pasur informacione nga ndonjë ushtarak, banor i zonës, punonjës i fabrikës apo person tjetër për sabotazh, terrorizëm në lidhje me procesin e demontimit që po kryhej në Gërdec, ish-kreu i SHIU-ut tha se nuk kanë pasur asnjë informacion të tillë. Po ashtu, dëshmitari shpjegoi se pas ngjarjes me kërkesë të Kryeministrit të vendit dhe Presidentit të Republikës dhe Këshillit të Sigurisë kanë shtruar detyrat për shërbimin, me qëllim që çdo analizë faktesh, informacionesh, qofshin edhe të pavërtetuara, t’i viheshin në dispozicion të prokurorisë. Gjergji shpjegoi para gjykatës se asnjëherë nuk kishte marrë ndonjë kërkesë me shkrim nga MEICO se çfarë përfaqësonte kompania amerikane SAC.

Thirrja e ish-kreut të SHIU-t si dëshmitar në këtë proces ka të bëjë me faktin se, akuza e ka cilësuar tragjedinë e Gërdecit si një gabim njerëzor, ndërsa mbrojtja pretendonte se ajo qe një sabotazh. Seanca vijoi me dëshmitarë të tjerë të prokurorisë, disa nga të cilët ish-punonjës të Ministrisë së Mbrojtjes. Si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm të ndodhur më 15 mars të vitit 2008, në ish-fabrikën e demontimit të municioneve luftarake në fshatin Gërdec të Tiranës humbën jetën 26 persona, ndërsa shumë të tjerë mbetën të plagosur, ndërkohë që u shkatërruan një numër i madh banesash. Prokuroria e Tiranës akuzon si të pandehurit e këtij procesi 29 persona. Në arrest me burg janë duke u gjykuar: Ylli Pinari, Mihal Delijorgji, Dritan Minxholli, si edhe Sokol Ngjeci, ndërkohë që të pandehurit e tjerë janë duke u gjykuar në gjendje të lirë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›