E Diel, 1 Nëntor 2026

Pogradec, i dyshuari hap zjarr ndaj forcave të policisë

Operacioni Myfteri Verdha u neutralizua pas dy orësh rezistencë me armë në dorë

Një person i kërkuar nga policia për armëmbajtje pa leje dhe municione luftarake ka shkëmbyer zjarr me policinë gjatë rrethimit për kapjen e tij në banesë. 45-vjeçari Myfteri Verdha nga fshati Leshnicë i Pogradecit i ka bërë rezistencë me armë policisë, duke iu përgjigjur me të shtëna arme thirrjes për dorëzim. Ai ka hapur zjarr ndaj policisë që shkoi të kontrollonte në banesën e tij për armë dhe municione, duke vënë në rrezik jetën e policëve që merrnin pjesë në këtë operacion. Ngjarja ka ndodhur në orët e mesditës së djeshme, në fshatin Leshnicë të Pogradecit, ku Myfteri Verdha, për gati dy orë ka qëndruar i rrethuar në banesën e tij. Forca të shumta policore kanë marrë pjesë në operacion, pasi personi që njihej për precedentë penalë është rrethuar kur policia do të kryente kontrollin për armë.

Në bazë të informacioneve që dispononte policia, Verdha mbante në banesë një sasi të konsiderueshme armësh e municionesh dhe për këtë arsye është bërë rrethimi i shtëpisë dhe është tentuar kontrolli i saj. Por sapo ka parë policët pranë shtëpisë, 45-vjeçari është armatosur me shpejtësi dhe duke dalë në dritare ka qëlluar një herë me armë në drejtim të tyre. Fatmirësisht kjo e shtënë nuk ka lënë të dëmtuar ndonjë punonjës policie, por rreziku që vinte nga Verdha, si dhe kërcënimet e tij bënë që të thirreshin forca të shumta policie nga Pogradeci dhe Korça. Pavarësisht thirrjeve për t’u dorëzuar, Verdha nuk pranonte dhe qëndronte në banesë i rrethuar. Policia tha se ai do të vazhdonte rezistencën e tij, sepse pas dy orësh vendosi të largonte nga banesa nënën e vet dhe bashkëshorten. Në momentin kur doli në oborr për të nxjerrë nga shtëpia nënën dhe gruan e tij, Verdha u kap nga policia, duke e bllokuar atë fizikisht. Disa policë iu hodhën përsipër duke e kapur për krahësh, në mënyrë që të mos qëllonte dot me armën që mbante në dorë. Pas arrestimit të Verdhës, policia vazhdoi kontrollin, për të cilin kishte shkuar në banesën e tij. Nga ky kontroll janë zbuluar një automatik kallashnikov, tri pistoleta, 900 kapsolla, nëntë kallëpe tritoli, si dhe një shumë prej 4 mijë eurosh dhe 2 mijë dollarësh. Sipas policisë, banori i fshatit Leshnicë ka kryer edhe më parë vepra të ndryshme penale dhe njihej si një person problematik dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›