Avokati i Tatimpaguesve, si do të funksionojë institucioni i ri në ndihmë të biznesit
Ervin KOÇI - Bizneset dhe të gjitha subjektet private apo entet që janë njëkohësisht edhe taksapagues, tani do të kenë edhe një institucion mbrojtës. Ky do të jetë funksioni i atij që do të njihet si “Avokati i Tatimpaguesve” dhe që me vendim të qeverisë do të hyjë në fuqi shumë shpejt për të ndihmuar subjektet private në mosmarrëveshjet që do të kenë me shtetin. Në mbledhjen e djeshme të tij, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave vendosi pikërisht miratimin e ngritjes së këtij institucioni të ri. Vendimi i djeshëm i qeverisë ka për qëllim të rregullojë strukturën, autoritetin, funksionet, bashkëpunimin dhe marrëdhëniet e strukturës së “Avokatit të Tatimpaguesve” me strukturat e tjera brenda Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe me palët e treta. Ky institucion i ri do të jetë i organizuar në nivel drejtorie, brenda DPT-së. “Avokati i Tatimpaguesit” emërohet nga ministri i Financave, me propozim të drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve. Ai varet drejtpërdrejt nga drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve. Paga e “Avokatit të Tatimpaguesit” është në nivel të njëjtë me pagën e drejtorëve të drejtorive në DPT-ë. Drejtoria e “Avokatit të Tatimpaguesit” ka në përbërje Avokatin e Tatimpaguesit dhe tre punonjës të tjerë.
Roli i Avokatit
Në zbatim të legjislacionit tatimor, për të siguruar më shumë transparencë, përgjegjësi dhe integritet nga ana e administratës tatimore, Avokati i Tatimpaguesit garanton mbrojtjen dhe sigurimin e të drejtave të tatimpaguesve. “Avokati i Tatimpaguesve”, gjithashtu, ndihmon në përhapjen e informacionit për të drejtat e tatimpaguesve dhe edukimin e tyre. Avokati investigon dhe ndërhyn, për zgjidhjen e problemeve që u referohen ankesave të tatimpaguesve pranë drejtorive rajonale tatimore ose drejtorive funksionale në DPT-ë. Si anëtar i stafit ekzekutiv të DPT-së, “Avokati i Tatimpaguesit” merr pjesë duke kontribuar në zbatimin e balancave të duhura ndërmjet barrës administrative të vendosur ndaj tatimpaguesve dhe përmbushjes së detyrimeve sipas legjislacionit tatimor. “Avokati i Tatimpaguesit” analizon ankesat e paraqitura dhe rezultatet e shqyrtimeve dhe raporton te drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve dhe te ministri i Financave, duke bërë propozime për përmirësime të mëtejshme procedurale e ligjore.
Autoriteti dhe funksionet
“Avokati i Tatimpaguesit” monitoron ankesat e paraqitura nga tatimpaguesi që janë në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe procedurat administrative. Ai monitoron procedurat administrative tatimore me synim mbrojtjen e të drejtave të tatimpaguesve. Avokati ka autoritetin të ngarkojë drejtoritë rajonale tatimore të evidentimin e informacionit për shqyrtimin e ankesave të tatimpaguesve. Ai ka akses të sigurojë informacionin dhe dokumentacionin e administruar nga administrata tatimore, që lidhet me çështjet që ai shqyrton. Ai ka gjithashtu autoritetin t’i kërkojë shqyrtimin e një praktike drejtorisë rajonale tatimore për evidentimin e informacioneve dhe për shqyrtimin e ankesave të tatimpaguesve të veçantë. Ka gjithashtu autoritetin të bëjë kërkesë për shqyrtimin e një procedure drejtuar drejtorive funksionale. Avokati ka autoritet të rekomandojë përmirësimin e procedurave tatimore dhe, po të jetë rasti, edhe ndryshime në legjislacionin tatimor apo Kodin e Etikës së Administratës Tatimore. Ka autoritetin të referojë raste të veçanta te Drejtoria e Kontrollit Tatimor ose Drejtoria e Investigimit Tatimor, nëse informacioni apo dokumentacioni lidhur me një ankesë konkrete nga tatimpaguesit tregon se rasti në fjalë kërkon nisjen e procesit të kontrollit apo investigimit administrativ tatimor. Avokati referon raste të veçanta te Drejtoria e Kontrollit të Brendshëm ose Drejtoria e Investigimit të Brendshëm, nëse informacionet e administruara prej tij, në mënyrë të përsëritur, u referohen sjelljeve të papërshtatshme të punonjësve ose inspektorëve të caktuar apo keqpërdorimit të procedurave, sistemeve dhe autoritetit zyrtar prej tyre, duke treguar se rasti në fjalë kërkon nisjen e procesit të kontrollit apo investigimit të brendshëm për ata punonjës të administratës tatimore apo procedurat e sistemet përkatëse. Opinionet dhe rekomandimet e nxjerra nga “Avokati i Tatimpaguesit” duhet të trajtohen me përgjegjësi nga hallkat përkatëse të administratës tatimore. Në rast mungese bashkëpunimi nga ana e punonjësve të administratës tatimore, Avokati njofton menjëherë dhe kërkon mbështetjen e eprorëve të atyre punonjësve, qofshin këta drejtor rajonal apo drejtor funksional. Në rast se Avokati i Tatimpaguesit dhe një drejtor rajonal nuk bien dakord për zgjidhjen e duhur të një kërkese për shqyrtim, Avokati dhe drejtori do t’ia paraqesin rastin zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm Territorial që mbulon drejtorinë rajonale në fjalë. Nëse Avokati dhe një drejtor funksional në DPT-ë nuk bien dakord për zgjidhjen e duhur të një kërkese për shqyrtim, Avokati dhe drejtori do t’ia paraqesin rastin zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm që mbulon drejtorinë funksionale përkatëse. Avokati ka autoritetin të kërkojë marrjen e masave disiplinore për punonjësit në drejtoritë rajonale tatimore, në drejtoritë funksionale pranë DPT-së, të cilët, nga analizimi i rasteve të shqyrtuara prej tij, rezulton se nuk respektojnë procedurat apo i shkelin ato me dashje. Avokati nuk ka autoritet të përcaktojë detyrime tatimore ose të ndërhyjë në një rast që është në proces apelimi. Ai nuk ka autoritet të ndërhyjë në një rast që është në proces investigimi të brendshëm (antikorrupsioni) apo në proces investigimi kriminal tatimor. Avokati është i autorizuar të mos japë asistencë ndaj çdo tatimpaguesi ankimi i të cilit duket i pabazuar dhe është paraqitur me qëllim që të vonojë veprimet e duhura të administratës tatimore.
BOX/////////////////////////////////
Si bëhet raportimi nga “Avokati i Tatimpaguesve”
Avokati i Tatimpaguesit raporton me shkrim, periodikisht, një herë në muaj, te drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve dhe një herë në tre muaj te ministri i Financave. Në rastet kur e gjykon të arsyeshme, Avokati i Tatimpaguesit ka të drejtë të kërkojë të raportojë te ministri i Financave ose drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve për situata apo çështje të veçanta, përveç raportimit periodik. Raportimi duhet të përfshijë të dhëna statistikore lidhur me ankesat e paraqitura dhe rastet e shqyrtuara, gjetjet, rezultatet e arritura, si edhe konkluzione e rekomandime. Për periudhën 1 qershor 2010- 31 dhjetor 2010, burimet financiare për Avokatin e Tatimpaguesit do të përballohen nga Ministria e Financave brenda buxhetit ekzistues të këtij viti. Duke qenë se raporton direkt tek Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Avokati i Tatimpaguesit mund të kontaktojë drejtpërdrejt personat përgjegjës në çdo sektor apo drejtori në drejtoritë rajonale e funksionale, pa pasur nevojë për ndonjë miratim paraprak nga eprori hierarkik i punonjësit që kontaktohet.
Qeveria miraton programin buxhetor afatmesëm, 2011-2013
Me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave vendosi dje miratimin e kuadrit makroekonomik e fiskal për vitet 2011-2013, si dhe të treguesve për këtë periudhë. Sipas lidhjes nr. 1, “Treguesit kryesorë makroekonomikë”, dhe lidhjeve nr. 2, e nr .2/1, “Treguesit fiskalë sipas buxhetit të konsoliduar”, që i bashkëlidhen këtij vendimi, ato janë pjesë përbërëse të tij. Më këtë vendim është bërë edhe miratimi i tavaneve përfundimtare të programit buxhetor afatmesëm, 2011-2013, sipas lidhjes nr.3, “Tavanet përfundimtare të ministrive të linjës/institucioneve buxhetore, sipas grup-artikujve të shpenzimeve”, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse e tij. Në vijim u miratua dhe dokumenti i Programit Buxhetor Afatmesëm, 2011-2013.
29 Korrik 2010