E Diel, 1 Nëntor 2026

Toka bujqësore, si mund të kërkohet kalimi në truall

29/07/2010 Qeveria ka marrë dje vendim për rishqyrtimin e kategorive të tokave

Këshilli i Ministrave ka miratuar dje vendimin që bën të mundur ndryshimin e kategorive të tokave sipas vlerës që ato kanë. Me ndryshimet që kanë ndodhur në territorin e republikës, ku shumë zona, për një arsye apo për një tjetër, nuk mund të kenë më funksionin që kanë pasur dikur, me vendimin e ri individëve që kanë në zotërim toka u lind e drejta ti drejtohen pushtetit lokal për ndryshimin e kategorisë së saj dhe më pas ministrisë së linjës. Për shembull, nga tokë bujqësore në truall apo nga kullotë apo livadh në tokë bujqësore, ndryshim që bën të mundur dhe rivlerësimin e vlerës së tokës.

Kalimi në truall

“Subjektet e interesuara për ndryshim të kategorisë së resursit të tokës bujqësore nga V deri në X të bonitetit, për kalimin e tyre në tokë urbane (truall), në tokë për veprimtari minerare e gjeologjike, për gurore dhe karriera, paraqesin kërkesë në ministrinë që mbulon këtë veprimtari. Kërkesa paraqitet sipas dispozitave të legjislacionit për planifikimin e territorit”, - thuhet në vendimin e qeverisë. Në këtë rast institucioni që bën këtë vlerësim është Ministria e Transporteve. Sipas vendimit, kur dorëzon kërkesën, subjekti i interesuar duhet të ketë me vete edhe vërtetimin për kategorinë e tokës sipas bonitetit për sipërfaqen objekt kërkese të lëshuar nga drejtoria e administrimit dhe mbrojtjes së tokës në këshillin e qarkut.

“Ministria që mbulon veprimtarinë përkatëse, merr paraprakisht mendimin e MBUMK-së dhe përgatit vendimin e Këshillit të Ministrave kur kërkesa ka për objekt sipërfaqe toke deri 30 (tridhjetë) ha, apo ligjin kur kërkesa ka për objekt sipërfaqe toke mbi 30 (tridhjetë) ha”, - thuhet në vendimin e Këshillit të Ministrave.

Kërkesa

Ndërkohë për rivlerësimin e kategorive të tjera të tokës ministria e linjës që përgjigjet për këtë qëllim është Ministria e Bujqësisë. Pra, për kategori tokë e pafrytshme në tokë bujqësore, tokë bujqësore në livadh apo pyll kalimi i tokës bujqësore në tokë e pafrytshme etj., të gjitha kalojnë nga Drejtoritë e Bujqësisë apo Ministria e Ambientit për të bërë veprimet përkatëse. Në të gjitha rastet subjektet apo individët përveç dokumenteve plotësuese, që mund të jenë vërtetimi nga drejtoria e administrimit dhe mbrojtjes së tokës, duhet të kenë me vete dhe dokumente të tjera, siç mund të jenë vërtetimet kadastrale apo tapitë, vërtetimet nga komisioni i kthimit të tokave, apo vërtetim që e ka përfituar në bazë të ligjit nr. 7501 etj.

Vendimi më i fundit i qeverisë synon të rregullojë disi gjendjen e kategorive të tokave në vend, pasi shumë toka që dikur kanë qenë toka bujqësore tashmë janë shndërruar në truall ndërtimi, kryesisht në periferitë e qyteteve apo bregdet. Por për shkak të veprimeve natyrore dhe ato toka që dikur kanë qenë bujqësore sot smund të ekzistojnë më në një kategori të tillë, pasi janë toka të pafrytshme dhe janë shndërruar në të papunueshme.

Tokat e pafrytshme

Subjekti i interesuar për kalimin e kategorisë së resursit “tokë bujqësore” në kategorinë e resursit “tokë e pafrytshme” ka të drejtë propozimi ose kërkese për kalimin vetëm kur mbi këtë sipërfaqe toke bujqësore kanë vepruar faktorët natyrorë të fuqisë madhore, si: tërmete, rrëshqitje masive të sipërfaqeve së tokës, përmbytje, vullkane, zjarre masive, fundosje të shtresave të tokës dhe të tjerë faktorë të kësaj natyre. Subjekti i interesuar për kalimin e tokës në kategori të resursit “tokë e pafrytshme”, në varësi të rezultateve të analizave, raportit teknik dhe rekomandimeve të QTTB-së, mund të paraqesë kërkesë për miratimin e këtij kalimi. Kërkesës i shtohet edhe dokumentacioni i dëmtimit të tokës.

Pyjet dhe kullotat

Procedurat për ndryshimin dhe kalimin e sipërfaqeve të tokave të kategorive të resurseve pyll, tokë pyjore, kullotë dhe livadh në tokë bujqësore, në pronësi private apo shtetërore (publike), fillojnë vetëm pasi të jenë kryer analizat e vlerave të treguesve të tokës, që lidhen me nivelin e pjellorisë natyrore të saj. Subjektet e interesuara për kalimin e këtyre kategorive të resurseve në tokë bujqësore paraqesin kërkesën pranë Qendrës të Transferimit të Teknologjive Bujqësore (QTTB), Fushë-Krujë, si institucion unik dhe i specializuar në këtë fushë, për kryerjen e analizave të tokës. Kësaj kërkese i bashkëngjitet mandatpagesa që bën subjekti, në të cilën përfshihet vlera e analizave sipas tarifave të miratuara për QTTB-në dhe shpenzimet për punën e grupit të ekspertëve.

Trualli

Subjektet e interesuara për ndryshim të kategorisë së resursit të tokës bujqësore, për kalimin e tyre në tokë urbane (truall), në tokë për veprimtari minerare e gjeologjike, për gurore dhe karriera, paraqesin kërkesë në ministrinë që mbulon këtë veprimtari.

Tokat

Subjekti i interesuar, pronar privat, për kalimin e kategorisë së resursit tokë bujqësore, toka të cilat nuk përfshihen në pikën 1 të këtij kreu, në kategori të resurseve pyll, tokë pyjore, kullotë dhe livadh, paraqet kërkesë në komunë dhe/ose bashki në juridiksion të të cilës ndodhet toka.

Tokat djerrë

Do i merren pronarit për ti dhënë me qira

Tokat e pakultivuara tashmë do jepen me qira nga shteti, pavarësisht se ato mund ta kenë një pronar të ligjshëm. Këshilli i Ministrave ka miratuar dje vendimin që i jep të drejtën pushtetit vendor që pas verifikimeve në terren të konstatojë se cilat janë tokat që janë lënë djerrë dhe më pas të organizojë procedurat për nxjerrjen në ankand të tyre për dhënie me qira. Në njoftimin që duhet të nxjerrë bashkia ose komuna për këtë qëllim është e domosdoshme që përveç vendndodhjes së tokës të jepet dhe identiteti i pronarit apo poseduesit të ligjshëm të tokës, kohëzgjatjen në vite etj. Sipas vendimit të qeverisë, identifikimi i tokave djerrë dhe nxjerrja e tyre në ankand duhet të përfundojë brenda datës 6 shkurt të vitit të ardhshëm dhe deri më 25 shkurt duhet të ketë përfunduar ankandi i dhënies me qira të tokave. Vendimi nuk përcakton se kujt i shkon shuma e mbledhur nga qiraja,dhe në këtë rast duket se përfituesi është shteti. “Periudha e zhvillimit të ankandit është e njëjtë për të gjitha njësitë e qeverisjes vendore dhe fillon më 1 mars e mbaron më 20 mars të çdo viti.

Data e zhvillimit të ankandit për çdo komunë dhe/ose bashki brenda periudhës së përcaktuar për zhvillimin e tyre, propozohen nga secili kryetar komune dhe/ose bashkie dhe grafiku i zhvillimit të tyre koordinohet me drejtorin e drejtorisë administrimit dhe mbrojtjes së tokave (DAMT) të qarkut, i cili cakton punonjësit e këtij institucioni si pjesëmarrës në përbërje të BQ-së për çdo komunë dhe/ose bashki”, - thuhet në vendimin e qeverisë. Një veprim të tillë e kishte parashikuar vetë kryeministri Berisha para disa kohësh, kur ngriti shqetësimin e tokave të lëna djerrë në çdo cep të vendit për shkak të emigracionit apo lëvizjeve të popullsisë. Tashmë të gjithë atyre që kanë lënë tokat djerrë u duhet të mendojnë se çfarë do të bëjnë, përndryshe u del në ankand.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›