E Diel, 1 Nëntor 2026

Rritja e deficitit, BSH detyrohet të ul normën bazë të interesit për lekun



Ervin KOÇI - Shkurtimet në buxhetin e shtetit të shtyra prej deficitit buxhetor, kanë detyruar edhe Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë që të ulë normën e interesit për lekun, ndonëse me shumë vonesë. Norma është ulur me 0.25 pike përqindje, duke e çuar atë në 5 nga 5.25 për qind që ishte. Kjo, do të thotë se kostoja e parasë dhe transaksionet në monedhën vendase tani do të jenë më të lira. Në këtë mënyrë interesat e depozitave, por edhe të kredive në lekë do të pësojnë rënie. Gjatë konferencës për shtyp të mbajtur dje me këtë rast, guvernatori Ardian Fullani tha se ky vendim, është një stimul për të rritur konsumin në ekonomi. “Pasi vlerësoi balancën e rreziqeve të pritshme, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të ulë normën bazë të interesit me 0.25 për qind. Tashmë norma e marrëveshjeve të riblerjes në afat maturimi 1-javor është 5 krahasuar me 5.25 për qind që ishte më parë. Konsumi privat ka shënuar rënie, shpenzimet konsumatore kanë qenë të përmbajtura për shkak të një pasigurie për të ardhmen. Nga ana tjetër edhe investimet private kanë shënuar rënie”,- u shpreh Fullani. Sipas të dhënave të Bankës Qendrore, norma e kreditimit vijon të mbetet në nivele të ulëta, krahasuar me vitet e fundit, ndërsa normat e interesit dhe kredidhënia kanë mbetur me kushte të shtrënguara. Por institucioni më i lartë monetar shpreson se përcjellja e këtij vendimi nga bankat e nivelit të dytë tek konsumatori, do të bëhet në mënyrë të shpejtë. Nga ana tjetër, edhe ekonomistët e vlerësojnë këtë vendim si një masë në drejtimin e duhur, por ky nivel uljeje nuk mjafton, që efekti pozitiv të mbërrijë tek konsumatori, i cili pret që këstet e kredive të bëhen më të lira.

Ekspertët
Ky veprim i BSH-së ka sjellë ndërkohë edhe reagimin e ekspertëve të ekonomisë, të cilët e shikojnë me skepticizëm ndikimin e uljes së normës bazë, në ekonominë e vendit. Sipas tyre, reagimi i BSH-së ndaj kësaj mase ka qenë tepër i vonuar, pasi duhej të ishte marrë kohë më parë. “Personalisht jam skeptik, që ky vendim do të mbërrijë tek qytetari dhe biznesi që kanë marrë kredi, pasi bankat e kanë treguar edhe më parë që vendime të tilla i përcjellin jo vetëm me shumë vonesë, por kur vjen puna tek konsumatori, efektet e vendimeve të tilla janë shuar fare”,- shprehet eksperti Zef Preçi. Për më tepër, vijon Preçi, që bankat janë në një “konkurrencë” për të fshehur kostot e vërteta ndaj klientit, çka e bën këtë vendim të paefektshme. Ulja e kostos së parasë do të ndikojë edhe në reduktimin e borxhit që qeveria ka në lekë, ndaj politika monetare e bankës është e rëndësishme për politikat fiskale të qeverisë.

Investimet
Fullani evidentoi se, investimet private vlerësohen në rënie gjatë pjesës së parë të vitit ku është shënuar rënie sidomos në sektorin e ndërtimit. Guvernatori pohoi se, për shkak të ngadalësimit të rritjes së të ardhurave dhe ngadalësimit të treguesve të punësimit, është vënë re një ulje e konsumit. Sipas tij, deficiti buxhetor është më i lartë se nga sa ishte parashikuar. “Ekonomia shqiptare vuan nga një kërkesë e ulët e brendshme dhe nga mungesa e investimeve”,- ka shtuar Guvernatori. Sipas tij, kjo ecuri është diktuar nga niveli i ulët i shfrytëzimit të kapaciteteve në ekonomi dhe kushtet e shtrënguara të aplikuara nga bankat, duke dekurajuar kërkesën për kredi. Guvernatori bëri me dije se, “BSH-ja gjykon se kushtet monetare si dhe raportet e kërkesës dhe të ofertës në tregjet kryesore të ekonomisë, janë të përshtatshme për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve në periudhën afatmesme”. Ai theksoi se, politika monetare e BSH-së do të vijojë të mbetet një politikë e kujdesshme, duke synuar gjithnjë përmbushjen e objektivit të inflacionit dhe ruajtjen e stabilitetit makroekonomik.

Rritja ekonomike
Sipas Fullanit, statistikat zyrtare tregojnë se ekonomia shqiptare i është rikthyer rritjes. “Pas rënies së prodhimit të brendshëm bruto në tremujorin e fundit të vitit 2009 dhe aktivitetit të dobët ekonomik të muajve të parë të vitit 2010, të dhënat e disponuara të sektorit real dhe monetar sugjerojnë se ekonomia shqiptare ka pasur një rritje ekonomike pozitive gjatë gjysmës së parë të vitit ku PBB-ja u rrit me 2 për qind”,- nënvizoi guvernatori Fullani. Ai iu referua të dhënave të INSTAT-it, duke thënë se prodhimi i brendshëm bruto u rrit me 2 për qind, gjatë tremujorit të parë të vitit. “BSH-ja, vlerëson si një hap në drejtimin e duhur rishikimin në ulje të deficitit buxhetor dhe të planit të shpenzimeve publike, pasi ai garanton qëndrueshmërinë fiskale, ulja e primet e rrezikut të lidhura me të, forcon besimin e publikut, si dhe krijon hapësirat për një akses më të madh të sektorit privat në tregjet financiare”,- nënvizoi guvernatori. Ishin pikërisht këto elementë thelbësore që mundësuan lehtësimin e mëtejshëm të politikës monetare të BSH-së, duke shmangur një sterilizim të mundshëm të aksioneve në lidhje me normën e interesit.

Euro në shifrat më të ulëta, rivlerësohet leku

Euro vlerësohet në shifrat më të ulëta pas një periudhe kohore në të cilën ka qenë në nivele mjaft të larta tashmë një euro shkëmbehet me 135 lekë. Ndërkohë që një ulje ka pësuar edhe monedha amerikane nga 113 lekë dollari amerikan ka zbritur në kuotën e 104 lekëve. Sipas specialistëve ky rivlerësim i monedhës tonë kombëtare ka ardhur si rezultat i prurjeve që kanë sjellë emigrantët . Duke qenë se është sezon vere, shumë emigrantë shqiptare kthehen në Shqipëri për të kaluar pushimet dhe si rrjedhojë, sjellin pranë familjarëve kursimet e tyre. Euro që prej disa muajve ka pasur një nivel normal dhe ka pësuar zhvlerësim të ngadaltë, duke mbërritur në kuotën më të ulët në 135 lekë. Po ashtu edhe dollari ka pësuar një rivlerësim, por që ka zgjatur vetëm për pak kohë dhe tashmë prej disa javësh edhe dollari ka pasur tendencë zbritëse. Forcimi i monedhës vendase në kursin e këmbimit valutor është një aspekt pozitiv edhe për ekonominë tonë. Pritet që euro të vazhdojë që të humbas vlerë kundrejt lekut edhe në muajin gusht, duke përmendur këtu faktin se, shumë prej emigrantëve që punojnë në vendet Europiane i marrin kryesisht pushimet gjatë këtij muaji. Edhe pse kriza ekonomike ka prekur një sërë vendesh dhe kjo ka ndikuar në uljen e të ardhurave të emigrantëve, përsëri ndikimi i prurjeve në uljen e monedhave të huaja dhe në vlerësimin e lekut është i dukshëm.

Nis mbledhja e borxhit për përfituesit nga granti japonez

Rreth 1.1 miliard lekë borxhe kanë debitorët të cilët kanë përfituar prej granteve japoneze dhe projektit “2KR”. Drejtori i financave panë Ministrisë së Bujqësisë, Altin Pilko, deklaroi se tashmë ka filluar puna për arkëtimin e detyrimeve prej debitorëve dhe kjo do të realizohet deri në qindarkën e fundit. Mbledhja e këtyre kredive ka qenë e vështirë për faktin se, mungon një masë sigurie duke u dhënë mundësi subjekteve që të shmangin kthimin e detyrimeve. Ndërkohë Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve kanë nisur punën për arkëtimin e detyrimeve nga 30 subjektet që kanë përfituar nga granti japonez. Subjektet debitorë që kanë marrë kredi, janë kryesisht përfitues të linjave dhe serave me ngrohje, të fabrikave të prodhimit të vajit të ullirit, si dhe përfituesve nga karburantet pa akcizë. Mosarkëtimi i detyrimeve ka ardhur si pasojë e mos lidhjes së kontratave në afat, gjatë viteve 2000-2005, e për rrjedhojë arkëtimi i detyrimeve ka filluar gjatë vitit 2008. Mungesa e kolateralit ka vështirësuar arkëtimin, dhe u ka dhënë mundësi subjekteve që të shmangin kthimin e detyrimeve. Si rrjedhojë e masave të marra, u bë e mundur që deri në fund të vitit 2009 të arkëtohej shuma prej 75.615.339 lekësh. Ndërsa 5 subjekte që nuk kanë filluar të paguajnë kredinë sipas kushteve të kontratës, janë paditur në gjykatë dhe kanë filluar procedurat gjyqësore. Afati kohor i përcaktuar në kontratë për likuidimin e këtyre detyrimeve, shkon deri në vitin 2014.

Interesat bankare
Përditësimi i fundit: 27.07.2010
TRIBID 'Interesi i kërkuar për pranimin e depozitave'
o/n njëditor 4.66%
12M 12-mujor 7.04%
6M 6-mujor 6.14%
3M 3-mujor 5.35%
1M 1-mujor 5.16%
1Ë njëjavor 5.00%
TRIBOR 'Interesi i ofruar për vendosjen e depozitave'
1M 1-mujor 6.73%
1Ë njëjavor 6.42%
o/n njëditor 6.22%
12M 12-mujor 8.76%
6M 6-mujor 7.84%
3M 3-mujor 7.04%

29 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›