E Shtunë, 31 Tetor 2026

Firmat piramidale Qeveria agjentë për të kthyer paratë nga jashtë

29/07/2010 Qeveria e Shqipërisë miratoi dje një vendim, me të cilin përcakton tarifat e pagesës për specialistët dhe agjentët që në emër të shtetit shqiptar do të kërkojnë paratë e ish-kompanive huamarrëse piramidale të transferuara jashtë Shqipërisë. Nga hetimet disavjeçare lidhur me veprimtarinë e ish-kompanive piramidale është konfirmuar se ato kanë transferuar jashtë vendit shuma të mëdha nga pasuria e grumbulluar prej tyre me anë të aktivitetit kriminal të huamarrjes. Për rrjedhojë, disa prej këtyre pasurive kanë mbetur në bankat e huaja, ndaj qeveria së fundi ka vendosur të pajtojë agjentë që do të punojnë për të mundësuar kthimin e shumave në Shqipëri, me qëllim që ato të rishpërndahen për kreditorët që kanë humbur paratë në fajde. Në vendim thuhet se “Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të ligjit nr. 8215, datë 9.05.1997, «Për kontrollin financiar të personave juridikë jobankarë që kanë marrë hua nga publiku i gjerë», i ndryshuar me propozim të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave vendosi: “Tarifa e pagesës për këshilltarët profesionistë dhe agjentët e kontraktuar nga administratori i shoqërisë huamarrëse, mund të jetë deri në 15% të vlerës së arkëtuar në favor të këtyre shoqërive nga riatdhesimi i vlerave monetare të depozituara në banka të personave të shpallur debitorë dhe aseteve të shoqërive huamarrëse në administrim të shtetasve shqiptarë dhe të huaj, që ndodhen brenda ose jashtë shtetit, të përfshirë në veprimtarinë e firmave piramidale. Pagesa e këshilltarëve profesionistë apo agjentëve të kontraktuar, sipas pikës 1, të bëhet nga administratori i shoqërisë huamarrëse.

Ngarkohen Ministria e Financave dhe Grupi Mbikëqyrës i Shoqërive Huamarrëse në administrim për zbatimin e këtij vendimi.” Qeveria bën të ditur se vendimi hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›