E Shtunë, 31 Tetor 2026

Procedurat e reja të ndryshimit të kategorive të resurseve të tokës



Laureta Rryçi - Qeveria miratoi dje një vendim të posaçëm që përcakton procedurat që do të ndiqen në të gjitha rastet kur do të ndryshohet kategoria e resurseve të tokës. Bëhet fjalë për të gjitha kërkesat që do të vijnë nga subjektet private që disponojnë toka pyjore por duan t’i kthejnë në tokë bujqësore, apo raste të kundërta. Vendimi ka përcaktuar me detaje procedura që ndiqen nga kërkesa që depozitohet fillimisht në komunë ose në bashki e deri te firma e ministrit nëpërmjet të cilës vendoset përfundimisht nëse do të pranohet ose jo kërkesa. Më poshtë po botohet i plotë vendimi në fjalë.
Procedurat
Kalimi i tokave bujqësore në kategori të resurseve të tjera dhe anasjelltas, nënkupton veprimet procedurale e dokumentare dhe miratimet që bëhen nga strukturat shtetërore, të përcaktuara në këtë vendim, që sjellin për pasojë kalimin e tokës bujqësore në kategori të resurseve të tjera, apo kalimin e kategorive të resurseve të tjera në tokë bujqësore. Ky kalim pasqyrohet në dokumentacionin kadastral shtetëror. Subjekte të interesuar për kalimin e kategorive të resurseve: Personat fizikë apo juridikë të cilët e kanë në pronësi private tokën bujqësore, tokën pyjore, pyllin, kullotën, livadhin, tokën e pafrytshme dhe që shprehin interes apo kërkojnë kalimin nga një kategori resursi në një kategori tjetër; organet e qeverisjes vendore apo institucione të tjera shtetërore që, bazuar në akte ligjore ose nënligjore, kanë në administrim/përdorim apo në pronësi tokën bujqësore, tokën pyjore, kullotën, livadhin, tokën e pafrytshme, sipërfaqe të brigjeve të lumenjve, sipërfaqe këto në pronësi shtetërore dhe që shprehin interes apo kërkojnë kalimin e një kategorie resursi në një kategori tjetër. Subjekte të interesuar për ndryshim të tokës bujqësore në tokë urbane (truall), në tokë për veprimtari minerare e gjeologjike, për gurore dhe karriera nënkupton: personat fizikë ose juridikë që ushtrojnë kërkesën pranë ministrive përkatëse që mbulojnë këto veprimtari; ministritë përkatëse si dhe autoritetet e planifikimit, që kanë kompetencë dhe përgjegjësi për planifikimin e territorit sipas legjislacionit në fuqi.
Ndryshimi
Sipas vendimit të qeverisë, tokat bujqësore të kategorive nga I deri në IV nuk lejohet të kalojnë në kategori të resurseve pyll, tokë pyjore, kullotë dhe livadh. Subjekti i interesuar, pronar privat, për kalimin e kategorisë së resursit tokë bujqësore, në kategori të resurseve pyll, tokë pyjore, kullotë dhe livadh, paraqet kërkesë në komunë dhe/ose bashki, në juridiksion të të cilës ndodhet toka, për kalimin e saj në kategori të resurseve pyll, tokë pyjore, kullotë dhe livadh. Kërkesa bëhet me shkrim dhe duhet të përmbajë: identitetin e kërkuesit; përshkrimin e veprimtarisë që do të ushtrojë në sipërfaqen e kërkuar për kalim dhe efektet ekonomiko-financiare të këtij kalimi; miratimin, në parim, nga Drejtoria e Shërbimit Pyjor e juridiksionit përkatës, për veprimtarinë që do të kryhet në këtë sipërfaqe, pas kalimit të saj; fotokopjen e noterizuar të dokumentit të pronësisë mbi tokën; planimetrinë e sipërfaqes për të cilën kërkohet kalimi, me kufijtë të saj qartësisht të dallueshëm, në shkallën 1:2500 ose 1:5000; mendimin e Drejtorisë Rajonale të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit (DRBUMK) për kalimin e kërkuar; vërtetimin origjinal të lëshuar nga Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës (DAMT), e qarkut, për kategorinë e tokës sipas bonitetit. Këshilli i komunës ose bashkisë e shqyrton kërkesën brenda 30 ditëve nga data e regjistrimit të saj. Zyra e Menaxhimit dhe Mbrojtjes së Tokës (ZMMT) në komunë ose bashki përgatit paraprakisht një raport teknik, që miratohet nga kryetari, për përmbajtjen e kërkesës dhe, në përshtatje me politikat e planifikimit vendor të territorit të komunës, shprehet për miratim ose jo të kërkesës. Kërkesa e miratuar paraprakisht, bashkë me vendimin e këshillit të komunës ose bashkisë i dërgohet DAMT-së në këshillin e qarkut. ZMMT-ja, në çdo rast, e njofton kërkuesin me vendimin e këshillit të komunës ose bashkisë.
Propozimi
Organet e qeverisjes vendore apo institucioni shtetëror i qeverisjes qendrore, që me akte ligjore ose nënligjore është ngarkuar për administrimin/përdorimin e tokës bujqësore, e cila figuron në pronësi të shtetit, për kalimin e saj në kategori të resurseve pyll, tokë pyjore, kullotë dhe livadh, nëpërmjet DAMT-së të këshillit të qarkut ku ndodhet toka bujqësore, i bën propozim MBUMK-së, i cili përmban: identitetin e subjektit të interesuar për kalimin e tokës bujqësore në kategori të resurseve të tjera; përshkrimin e qëllimit dhe veprimtarisë që do të ushtrohet në sipërfaqen e kërkuar për kalim; fotokopjen e aktit ligjor ose nënligjor, që vërteton qenien në pronësi, administrim apo përdorim të sipërfaqes së tokës për të cilën kërkohet kalimi;
planimetrinë e sipërfaqes, objekt të propozimit, me kufijtë qartësisht të përcaktuar; mendimin e DRBUMK-së dhe DSHP-së për kalimin e propozuar; vërtetimin e DAMT-së për kategorinë e tokës sipas bonitetit.
Verifikimi
DAMT-ja në këshillin e qarkut, verifikon kërkesat apo propozimet e paraqitura, për saktësinë e përmbajtjes së tyre dhe, kur ato i gjen në përputhje me të dhënat e dokumentacionit kadastral që ajo disponon, ia kalon për shqyrtim këshillit të qarkut, bashkë me një relacion shpjegues, që miratohet nga kryetari. Këshilli i qarkut, në mbledhjen e radhës, e shqyrton kërkesën e pronarit privat të tokës bujqësore apo propozimin e paraqitur nga komuna ose bashkia për kalimin e tokës bujqësore në pronësi të shtetit, që administrohet apo përdoret prej tyre, në kategori të resurseve të tjera, si, pyll, tokë pyjore, kullotë dhe livadh. Këshilli i qarkut, në orientim të politikave të planifikimit të territorit të qarkut dhe të efektivitetit ekonomik të këtij kalimi, në rast miratimi të kërkesës apo propozimit, ia dërgon atë MBUMk-së.
Kërkesës së këshillit të qarkut i bashkëlidhet kërkesa apo propozimi i subjektit kërkues dhe dokumentacioni përbërës i saj.
DAMT-ja e qarkut, në rast mos miratimi të kërkesës apo të propozimit, e njofton kërkuesin e saj. Struktura që mbulon administrimin e tokave në MBUMK shqyrton mbështetjen ligjore, dokumentacionin përbërës, efektivitetin ekonomik që rrjedh nga kalimi, përshtatjen me orientimet e strategjisë së miratuar për bujqësinë. Në çdo rast të vlerësimit pozitiv të kërkesës apo propozimit dhe pasi ka harmonizuar dhe bashkërenduar veprimet me strukturën përkatëse që mbulon administrimin e fondit pyjor dhe kullosor në Ministrinë e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave (MMPAU), përgatit: urdhrin e përbashkët, të të dy ministrave, për kalimin e tokës bujqësore në kategorinë e resursit pyll, tokë pyjore, kullotë dhe livadh kur sipërfaqja që propozohet për kalim është deri në 1 ha; vendimin e Këshillit të Ministrave, si propozim i përbashkët i dy ministrave, kur sipërfaqja e tokës bujqësore që propozohet për kalim është mbi 1 ha. Kur ministri vlerëson se në kërkesë apo propozim nuk janë përmbushur kriteret e përcaktuara, që, për pasojë, sjellin mosmiratimin e saj, njofton DAMT-në në këshillin e qarkut.
DAMT-ja, vendimin e ministrit për mosmiratim të kërkesë ia komunikon, me shkrim, kërkuesit të saj.

Kalimi i tokave nga pyll, tokë pyjore, kullotë dhe livadh në tokë bujqësore

Procedurat për ndryshimin dhe kalimin e sipërfaqeve të tokës të kategorive të resurseve pyll, tokë pyjore, kullotë dhe livadh në tokë bujqësore, në pronësi private apo shtetërore, fillojnë vetëm pasi të jenë kryer analizat e vlerave të treguesve të tokës, që lidhen me nivelin e pjellorisë natyrore të saj. Subjektet e interesuara për kalimin e këtyre kategorive të resurseve në tokë bujqësore paraqesin kërkesën pranë Qendrës të Transferimit të Teknologjive Bujqësore, (QTTB), Fushë-Krujë, si institucion unik dhe i specializuar në këtë fushë, për kryerjen e analizave të tokës. Kërkesa përmban: identitetin e kërkuesit; dokumentin e noterizuar të disponimit të këtyre resurseve në pronësi, administrim/përdorim, sipas ligjit; planimetrinë e sipërfaqes për të cilën kërkohet ndryshimi, me kufijtë qartësisht të përcaktuar;
vërtetimin për gjendjen e kategorisë së resursit ku figuron kjo sipërfaqe në dokumentacionin kadastral, të lëshuar përkatësisht nga Drejtoria e Shërbimit Pyjor (DSHP) apo Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës (DAMT) në këshillin e qarkut. Kërkesa për kryerjen e analizave të tokës regjistrohet në QTTB. Kësaj kërkese i bashkëngjitet mandat-pagesa që bën subjekti i interesuar, në të cilën përfshihet vlera e analizave, sipas tarifave të miratuara për QTTB-në, dhe shpenzimet për punën e grupit të ekspertëve. Në shpenzimet e punës të grupit të eksperteve përfshihen dietat e udhëtimit, sipas dispozitave në fuqi dhe shpenzimet për hapje profilesh dhe marrje mostrash.
Numri i profileve dhe mostrave që merren sipas sipërfaqes që analizohet si dhe vlerat përkatëse përcaktohen me udhëzim të ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.
Drejtori i QTTB-së krijon grupin e punës për kryerjen e analizave me tre ekspertë të këtij institucioni. Në përbërje të këtij grupi marrin pjesë, si anëtarë, edhe një përfaqësues i DAMT-së në këshillin e qarkut dhe përgjegjësi i ZMMT-së në komunë ose bashki. Grupi i ekspertëve kryen analizat, përpunon të dhënat e tyre dhe harton raportin teknik, brenda 30 ditëve nga data e regjistrimit të kërkesës në QTTB. Në raportin teknik, grupi i ekspertëve formulon rekomandimet e tij për sipërfaqen e studiuar dhe vlerëson mundësinë e kalimit ose jo të kategorive të resurseve të analizuara në tokë bujqësore. Një kopje e rezultateve të analizave dhe raportit teknik i jepet ushtruesit të kërkesës, kopja e dytë i dërgohet MBUMK-së, ndërsa kopja e tretë arkivohet në QTTB. Subjekti i interesuar për kalim të kategorive të resurseve tokë pyjore, pyll, kullotë e livadh në tokë bujqësore, pasi ka marrë rezultatet e analizave dhe raportin teknik të QTTB-së, me rekomandimin dhe vlerësimin për mundësinë e kalimit të këtyre resurseve në tokë bujqësore, mund të paraqesë kërkesë në Ministrinë e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave (MMPAU). Kërkesa, edhe në rastin e kalimeve të këtyre resurseve në tokë bujqësore, paraqitet sipas përmbajtjes, rregullave dhe procedurave të përcaktuara në vendimin nr.1353, datë 10.10.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e rregullave për paraqitjen e kërkesës, mbajtjen dhe plotësimin e dokumentacionit teknik, si dhe të kritereve e të procedurave të zvogëlimit të sipërfaqes e të vëllimit të fondit pyjor”, dhe vendimit nr.1374, 10.10.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e rregullave dhe të procedurave që ndiqen për heqjen, shtimin dhe ndryshimin e destinacionit të fondit kullosor”. MMPAU-ja e shqyrton dhe vlerëson kërkesën dhe, kur e gjykon të përshtatshme, e miraton kalimin e sipërfaqeve të këtyre resurseve në tokë bujqësore. Në këtë rast, MMPAU-ja përgatit: urdhrin e përbashkët të ministrit të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave dhe ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, kur sipërfaqja, objekt i kalimit ,është deri në një ha; vendimin e Këshillit e Ministrave, si propozim të përbashkët të dy ministrave, kur sipërfaqja, objekt i kalimit në tokë bujqësore, është mbi 1 një ha.

Kalimi i tokës bujqësore në kategori të tokës së pafrytshme
Subjekti i interesuar për kalimin e kategorisë së resursit tokë bujqësore në kategorinë e resursit tokë e pafrytshme ka të drejtë propozimi ose kërkese për kalimin vetëm kur mbi këtë sipërfaqe toke bujqësore kanë vepruar faktorët natyrorë të fuqisë madhore, si, tërmete, rrëshqitje masive të sipërfaqeve së tokës, përmbytje, vullkane, zjarre masive, fundosje të shtresave të tokës dhe të tjerë faktorë të kësaj natyre. Veprimi i faktorëve natyrorë të fuqisë madhore kërkohet të jetë i dokumentuar me procesverbalin e kohës së dëmtimit, të konfirmuar (nënshkruar) nga specialisti i DRBUMK-së, inspektori i Inspektoratit të Mbrojtjes së Tokës (IMT) në qark, si dhe përgjegjësi i ZMMT-së në komunë ose bashki, ose të jetë i dokumentuar nga IMT-ja sipas procedurave të përcaktuara në pikat 5 deri në 8, të kreut IV, të vendimit nr.80, datë 28.1.2005, të Këshillit të Ministrave, “Për përbërjen, mënyrat e funksionimit, detyrat dhe përgjegjësitë e strukturave shtetërore të mbrojtjes së tokës bujqësore”. Dëmtimi i tokës bujqësore nga faktorët të fuqisë madhore, të evidentuara sipas pikës 1, të këtij kreu, verifikohet nëpërmjet analizave të vlerave të treguesve të tokës bujqësore, që kryhen nga QTTB-ja.
Kërkesës për kryerjen e analizave të vlerave të treguesve të tokës, i shtohet edhe dokumentacioni që evidenton dëmtimin e tokës, i mbajtur sipas përcaktimit të pikës 1, të këtij kreu.
Subjekti i interesuar për kalimin e tokës në kategori të resursit tokë e pafrytshme, në varësi të rezultateve të analizave, raportit teknik dhe rekomandimeve të QTTB-së, mund të paraqesë kërkesë për miratimin e këtij kalimi. Kur subjekti rezulton të jetë: pronar privat i tokës bujqësore, objekt i kërkesës për kalim në tokë të pafrytshme, kërkesën e paraqet në komunë ose bashki. Këshilli i komunës ose bashkisë e shqyrton kërkesën dhe ndjek procedurat e mësipërme; komunë ose bashki apo institucion shtetëror i qeverisjes qendrore, që me akte ligjore ose nënligjore është ngarkuar për administrim/përdorimin e tokës bujqësore, e cila figuron në pronësi të shtetit, kërkesën e paraqet në DAMT-në e këshillit të qarkut në juridiksion të të cilit ndodhet kjo tokë. Kërkesat, në të dy rastet, bëhen me shkrim. DAMT-ja në Këshillin e qarkut, i verifikon kërkesat apo propozimet e paraqitura, për saktësinë e përmbajtjes së tyre, dhe, kur ato i gjen në përputhje me të dhënat e dokumentacionit kadastral, ia kalon për shqyrtim këshillit të qarkut, bashkë me një relacion shpjegues, që miratohet nga kryetari. Këshilli i qarkut, në mbledhjen e radhës, e shqyrton kërkesën e pronarit privat të tokës bujqësore apo propozimin e paraqitur nga komuna ose bashkia apo institucioni tjetër shtetëror që, bazuar në aktet ligjore ose nënligjore, e ka këtë tokë në administrim/përdorim, dhe, në rast miratimi ia dërgon atë MBUMK-së. DAMT-ja e qarkut, në rast mosmiratimi të kërkesës apo të propozimit, e njofton kërkuesin përkatës. Struktura që mbulon administrimin e tokave në MBUMK shqyrton mbështetjen ligjore të kërkesës apo propozimit dhe dokumentacionin përbërës të tij. Në rastin e vlerësimit pozitiv të kërkesës apo propozimit, MBUMK përgatit: vendimin e Këshillit të Ministrave, kur sipërfaqja e propozuar është deri në tridhjetë ha; ligjin, kur sipërfaqja e propozuar është mbi tridhjetë ha. Kur ministri vlerëson se në kërkesë apo propozim nuk janë përmbushur kriteret e përcaktuara, që sjellin për pasojë, dhe mosmiratimin e saj, njofton DAMT-në në këshillin e qarkut.
DAMT-ja në këshillin e qarkut, vendimin e ministrit për mosmiratim të kërkesës, ia komunikon, me shkrim, kërkuesit të saj.

boc
Kalimi i tokës së pafrytshme në kategori të resursit tokë bujqësore
Subjekti i interesuar për kalim të tokës së pafrytshme në kategori të resursit tokë bujqësore ka për detyrë: pasi ka marrë rezultatet e analizave dhe raportin teknik nga QTTB-ja, me rekomandimin dhe vlerësimin për mundësinë e kalimit të sipërfaqes së tokës së pafrytshme në tokë bujqësore, i drejtohet me kërkesë komunës dhe/ose bashkisë. Kërkesa përmban: identitetin e kërkuesit; përshkrimin e veprimtarisë që do të ushtrojë në sipërfaqen e kërkuar për kalim dhe efektet ekonomiko-financiare të këtij kalimi; fotokopjen e noterizuar të dokumentit të pronësisë mbi tokën; planimetrinë e sipërfaqes për të cilën kërkohet kalimi me kufijtë e saj qartësisht të dallueshëm, në shkallën 1:2500 ose 1:5000; mendimin e Drejtorisë Rajonale të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit (DRBUMK) për kalimin e kërkuar. Struktura që mbulon administrimin e tokave në MBUMK shqyrton mbështetjen ligjore të kërkesës apo propozimit, dokumentacionin përbërës, efektivitetin ekonomik që rrjedh nga ky kalim, përshtatjen me orientimet e strategjisë së miratuar për zhvillimin e bujqësisë. Në rastin e vlerësimit pozitiv të kërkesës apo propozimit, MBUMK-ja përgatit: vendimin e Këshillit të Ministrave, kur sipërfaqja e propozuar është deri në tridhjetë ha; ligjin, kur sipërfaqja e propozuar është mbi tridhjetë ha.
Kur ministri vlerëson se në kërkesë apo propozim nuk janë përmbushur kriteret e përcaktuara, që sjellin, për pasojë, mosmiratimin e saj, njofton DAMT-në në këshillin e qarkut.

Ndryshimi i tokave bujqësore të kategorive nga v deri në x të bonitetit dhe kalimi i tyre në tokë urbane (truall), në tokë për veprimtari minerare e gjeologjike si dhe gurore e kariera
Subjektet e interesuara për ndryshim të kategorisë së resursit të tokës bujqësore, nga V deri në X të bonitetit, për kalimin e tyre në tokë urbane (truall), në tokë për veprimtari minerare e gjeologjike, për gurore dhe kariera, paraqesin kërkesë në ministrinë përkatëse që mbulon këtë veprimtari. Kërkesa paraqitet sipas dispozitave të legjislacionit për planifikimin e territorit. Kërkesa përmban edhe vërtetimin për kategorinë e tokës sipas bonitetit për sipërfaqen objekt kërkese, të lëshuar nga DAMT në këshillin e qarkut. Ministria që mbulon veprimtarinë përkatëse, merr paraprakisht mendimin e MBUMK-së dhe përgatit vendimin e Këshillit të Ministrave, kur kërkesa ka për objekt sipërfaqe toke deri 30 (tridhjetë) ha, apo ligjin, kur kërkesa ka për objekt sipërfaqe toke mbi 30 (tridhjetë) ha.

Kalim i tokave bujqësore të kategorive nga i deri në iv për ndërtime, për raste të domosdoshme
Subjektet e interesuara për të ushtruar veprimtari në tokat bujqësore të kategorisë nga I deri në IV të bonitetit, vetëm për rastet e domosdoshme, të përcaktuara në pikën 1, të nenit 11/1, të ligjit nr.8752, datë 26.3.2001, “Për krijimin dhe funksionimin e strukturave për administrimin dhe mbrojtjen e tokës”, të ndryshuar, paraqesin kërkesë në ministrinë që mbulon veprimtarinë përkatëse, sipas dispozitave që rregullojnë veprimtaritë për planifikimin e territorit. Kërkesa duhet të përmbajë edhe vërtetimin për kategorinë e tokës sipas bonitetit, të lëshuar nga DAMT-ja e këshillit të qarkut. Ministria përkatëse që mbulon veprimtarinë, merr paraprakisht mendimin e MBUMK-së dhe përgatit vendimin e Këshillit të Ministrave.

29 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›