Avokati i biznesmenit: Trebicka nuk i tha të gjitha për trafikun
Fatos Mahmutaj
Kosta Trebicka mori sekrete me vete në varr. Avokati Përparim Rama, shok fëmijërie me Trebickën dhe personi që do të ishte avokat i bizneseve të dëshmitarit të trafikut hedh dyshime mbi sekretet e pazbardhura, nga miku i tij, për shkak të vdekjes së parakohshme. Avokati pohon se është takuar më Trebickën rreth dy javë para aksidentit tragjik, ndërsa kishin lënë një takim tjetër, që në fakt nuk u realizua kurrë, për të diskutuar për çështjen e dëshmisë së Trebickës. Avokati, në një intervistë për gazetën, hedh gjithashtu dyshime mbi faktin se miku i tij ndoshta nuk i ka thënë të gjitha ato që dinte.
Avokat ju jeni shok i fëmijërisë së Kosta Trebickës, dëshmitarit kyç të trafikut të fishekëve, i cili humbi jetën pak javë më parë. Si e njihni ju atë?
Unë me Kostën kam pasur fatin të banoj në një pallat. Në një lagje, që atëherë ishte periferi e Tiranës por sot është një nga zonat e preferuara. E njoh që fëmijë Kostën, familjen e tij, nënën, dy motrat. Ka pasur një nënë të shkëlqyer. Motrat e Kostës ishin me vite më të mëdha se Kosta dhe e kishin vëlla të vogël. Kosta ka qenë një fëmijë që nuk i ka munguar kujdesi i familjes, por edhe vetë ka qenë një djalë i shkëlqyer, shumë i edukuar. Kështu e njoh Kostën. Një djalë shumë korrekt. Pastaj pas viteve ’90, ai iu fut biznesit, ka qenë i suksesshëm, ishte djalë shumë punëtor. E kam takuar disa herë. Kam pasur kontakte të vazhdueshme me të, por jo shumë të shpeshta. Jam takuar rreth dy javë para se t’i ndodhte fatkeqësia, kam folur me të gjerë e gjatë, madje më propozoi që të bënim një takim tjetër, për t’u aktivizuar si avokat i bizneseve të tij. Por fatkeqësisht nuk arritëm ta bënim bisedën sepse ndodhi ajo që ndodhi. Për Kostën dua të shpreh konsideratat më të larta, për familjen e tij dhe për atë personalisht.
Cili është mendimi juaj për vdekjen e tij?
E para e punës: Unë kam pasur rastin ta njoh edhe në rrethana të tjera. Ka pasur një kurajo të çuditshme për të denoncuar të keqen. Është edhe për një rast tjetër, shumë vite më parë kur ai punonte në Drejtorinë e Pritjes denoncoi disa shkelje të rënda atje, nuk dua t’i them se çfarë. Më ka habitur guximi i tij qytetar sepse ai atakoi shumë persona, brenda dhe jashtë vendit. Kjo është e vërteta, në këtë biznes kaq të frikshëm, kaq të madh, dhe e vlerësova për guximin që ai tregoi, nuk e di nëse do ta kisha pasur atë guxim të tillë. Nuk jam i bindur për këtë. Nuk karakterizohem nga mungesa e guximit, por në rastin konkret nuk e di nëse do të kisha guxuar ta bëja denoncimin. Ai e pati kurajon dhe meriton respekt për këtë.
Ju thatë se dy javë para vdekjes, e keni takuar atë. Mund të na përshkruani çfarë biseduat? A është përmendur ndonjë rrezik që ai mund të parandiente?
Nuk mund të them. Nuk është se më është dukur i frikësuar. Madje unë i shpreha atij frikën time dhe i thashë nëse kishte nevojë të mbrohej. Më tha diçka të tillë: “ato që kisha për t’i thënë, i kam thënë, i kam depozituar në prokurori”. Kjo ka qenë pak a shumë biseda, por nuk kemi folur shumë gjatë rreth kësaj çështjeje, pasi e lamë të takoheshim shumë shpejt. Por për shkak të impenjimeve të mia dhe të atij, shkëmbyem edhe njëherë telefonat dhe kartëvizitat dhe lamë takimin, që nuk e realizuam dot. Unë këtë i thashë: “Këto atakime që ke bërë, nuk je i frikësuar?” dhe këtë më përsëriti: “Unë ç’kisha për të thënë e kam thënë”. Mendoj se ky njeri patjetër duhet të ishte marrë në mbrojtje. Si, qysh e tek, nuk e di, por shteti duhet të kishte menduar marrjen në mbrojtje të tij.
Mendon se Kosta fshihte diçka? Ndonjë sekret tjetër?
Mendoj se ai mbase kishte se ndoshta nuk mund t’i bënte armiq të gjithë.
Pra ka ruajtur sekrete?
Ndoshta. Nuk e di. Mendoj se ikja e Kostës ka bërë që të ai të marrë ca gjëra me vete. Mendoj se Kosta nuk i ka thënë të gjitha. Ndoshta edhe për konjukturë. Kjo është bindja ime. E kisha mik të vjetër.
Çfarë mendoni se nuk ka thënë Kosta?
Ndoshta mund të më ishte hapur por biseda jonë nuk qe shumë e gjatë dhe e lamë të takoheshim sërish. Nuk isha takuar shpesh me të se ai vinte dhe ikte. Kishte impenjime të mëdha.
Në bisedën e fundit thatë se diskutuat që ai t’iu merrte avokat për bizneset e veta. A folët për problemet e tjera që kishte Kosta?
Po, më tha se kishte disa biznese dhe do të uleshim të flisnim. Por nuk më tha për të më marrë avokat për çështjen ku ai ishte dëshmitar. Ndoshta do të flisnim më vonë. Ishte biznesmen i suksesshëm dhe e dinte që unë kisha eksperiencë në fushën e tregtisë.
Le t’i rikthehemi vdekjes së tij. Çfarë mendoni se ishte ajo ngjarje?
Ekspertët e thanë fjalën e tyre. Unë jam dakord me ta, megjithëse në fillim duke pasur parasysh shumë gjëra, pata dyshimet e mia.
Familja e Trebickës: Do të marrim sendet personale
TIRANE – Familjarët e Kosta Trebickës kanë konfirmuar për prokurorinë se do të tërheqin sendet personale të biznesmenit të sekuestruara si prova materiale pas vdekjes së tij. Ata pritet të paraqiten në prokurori në datë 23 tetor 2008, për të marrë sendet personale të 52-vjeçarit. Ndërkohë, institucioni më i lartë i akuzës pranoi vendimin e Prokurorisë së Korçës, për të mbyllur hetimet lidhur me vdekjen e Kosta Trebickës, dëshmitar i dosjes “Gërdeci”. “Prokuroria e Përgjithshme ka marrë në shqyrtim vendimin e Shkallës së Parë të Korçës dhe e ka konsideruar atë të bazuar në ligj dhe në prova”, thanë burimet zyrtare. Sipas tyre, për shkak të cilësive të veçanta të viktimës së ngjarjes, si dhe për vetë problematikën e hetimit të kësaj çështje, organi qendror i akuzës ka vlerësuar me mendim kolegjial vendimin e pushimit të hetimeve për vdekjen e Kosta Trebickës, të shpallur tri ditë më parë nga Prokuroria e Korçës. Kjo e fundit vendosi të shpallë pushimin e hetimeve duke konkluduar se 52-vjeçari Kosta Trebicka humbi jetën pas një manovrimi me makinën e tij, kthesë e menjëhershme majtas, e cila solli përmbysjen e automjetit, daljen e kufomës nga makina dhe shtypjen e tij me dëmtime vdekjeprurëse, si pasojë e peshës së ushtruar nga fuoristrada “Nissan Patrol” Kabriolet. Sipas akuzës, më parë, nuk kishte ndodhur që Prokuroria të kryente rreth 20 ekspertiza shkencore të gjithanshme, të zgjerohej në pyetjen e dhjetëra dëshmitarëve, madje të kërkonte ndihmën e ekspertëve të huaj, për zbardhjen e rrethanave të aksidenteve automobilistike. Për shkak të cilësive të Kosta Trebickës, si dëshmitar dhe denoncues i aferës ndërkombëtare, lidhur me tregtinë e fishekëve Shqipëri-Afganistan, vetë Kryeprokurorja Ina Rama kërkoi një hetim të zgjeruar. Një hetim i cili gjithsesi nuk ka arritur të zbulojë arsyet përse biznesmeni 52-vjeçar manovroi makinën e tij në një kthesë të fortë e të menjëhershme majtas. Ekspertët kanë vetëm dyshime lidhur me shkakun e kësaj kthese, por asnjë dëshmitar dhe asnjë provë që hedh dritë mbi shkaqet e rrethanat e saj, nuk është zbuluar. Asnjë dëshmitar i identifikuar nuk e ka parë Kosta Trebickën të ecte normalisht në rrugën Lekas-Voskopojë e më pas të manovronte në kthesën e menjëhershme majtas. Në vendin e ngjarjes janë gjetur vetëm gjurmët dhe shenjat që provojnë se kthesa ka ndodhur. Një variant i pranuar verbalisht edhe prej ekspertit amerikan, Kevin Teter, gjatë bisedave me hetuesit dhe ekspertët shqiptarë në vendin e ngjarjes, është se gjatë udhëtimit në Lekas, duke qenë se qeni ndodhej jashtë makinës, në një moment ai ka dalë para mjetit, në një pozicion që shoferi nuk e shikonte dhe për këtë shkak, Trebicka ka manovruar timonin majtas në mënyrë të prerë e të menjëhershme, prej frikës së do të vriste kafshën. Hipoteza e dytë për shkaqet e kthesës është fakti se në krahun e majtë të aksit ku po lëvizte Kosta Trebicka, ndodhet një rrugë e dytë e cila shkon paralel me udhën që po ndiqte biznesmeni. Siç duket edhe nga skicat grafike të hartuara nga ekspertët, rrugët kanë një distancë të vogël mes tyre dhe hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë që Trebicka të ketë marrë majtas me idenë për të dalë në rrugën tjetër, por makina është përmbysur, sapo goma e saj e parë majtas ka hipur në sipërfaqen e ngritur duke humbur drejtpeshimin e makinës, pesha e të cilës ishte përqendruar e gjitha para në krah të djathtë, si pasojë e kthesës së menjëhershme majtas. tr.so