Suedia e thotë shqip: Faleminderit Shqipëri!
Jetmir Halilaj
Suedezët janë lumturuar së tepërmi kur kanë parë Portugalinë të barazonte në fushën e saj përballë Shqipërisë.
Madje media suedeze e ka përcjellë me shumë bujë ndeshjen e së mërkurës në mbrëmje të luajtur në Bragë. “Faleminderit”, ishte titulli në faqen e parë të të përditshmes suedeze “fotbollsexpressen”, e cila i kishte kushtuar një faqe të tërë mrekullisë që bënë kuqezinjtë e drejtuar nga Ari Han në transfertën kundër Portugalisë. Aktualisht Suedia ndodhet në vendin e pestë në grupin 1 me 5 pikë, po aq sa Portugalia e vendit të tretë dhe Shqipëria që ndodhet në vendin e katërt. Nëse skuadra e drejtuar nga Karlos Keiroz do të kishte fituar kundër Shqipërisë, atëherë do të shkëputej me dy pikë ndaj suedezëve dhe kjo më pas do të ishte e vështirë të rikuperohej. Të ndërgjegjshëm për nderin që i bëri Shqipëria, lojtarët e Suedisë, kanë falënderuar publikisht kuqezinjtë për barazimin që i morën portugezëve.
Larson
Sebastian Larson, mesfushori i përfaqësueses suedeze që aktivizohet te Birmingam Siti, është befasuar së tepërmi kur ka marrë vesh rezultatin e ndeshjes. I telefonuar nga gazeta “fotbollsexpressen”, ai është përgjigjur: “Vërtet ka barazuar Portugalia? Kjo është fantastike, e mrekullueshme. Më duhet të pohoj se shqiptarët na kanë bërë nder në këtë rast, sepse ky barazim i artë që ata kanë mbajtur në Bragë, lë gjithçka hapur dhe ne kemi mundësi të barabarta me Portugalinë për të siguruar vendin e parë në grupin 1”. Më tej mesfushori ka përgëzuar skuadrën shqiptare dhe e ka cilësuar atë një ekip shumë të fortë. “E dija se kishin një skuadër të mirë dhe solide, pasi jo më kot barazuam me ta në ndeshjen e parë. Ëndërroja shumë që kjo ndeshje të përfundonte në barazim 0-0, por të them të drejtën, nuk e kisha menduar për asnjë çast se do të ndodhte vërtet kështu. Madje tani që po më thoni se kanë barazuar edhe me dhjetë lojtarë, po më duket vërtet një arritje e jashtëzakonshme”, ka thënë Larson.
Gazeta
“Fotobollsexpressen”, është një nga gazetat më prestigjioze sportive në Suedi. Kjo gazetë bën pjesë ndër dhjetë gazetat më të shitura në vendin nordik. Të enjten kjo gazetë ka dalë më titullin të shkruajtur shqip në faqe të parë “Faleminderit”, duke iu referuar barazimit që Shqipëria arriti të merrte ndaj Portugalisë.
Media evropiane
- Në median portugeze nuk është kapërdirë ky barazim pa gola me përfaqësuesen kuqezi. “Shqipëria e fitoi Botërorin e saj”, është titulli i të përditshmes “Publiko”.
- E përditshmja franceze “L’Equipe” ka dale me titullin e madh: “Portugalia nuk ishte”.
- “Marca” shkruan: “Portugalia qesharake përballë Shqipërisë”, ndërsa e përditshmja tjetër spanjolle “AS”, ka si titull: “Portugalia e pafuqishme për t’i shënuar Shqipërisë”.
- Edhe UEFA e FIFA kane lënë hapësirë në faqet e tyre te internetit për këtë rezultat. Te dyja kanë publikuar një artikull me titull: “Shqipëria me 10 futbolliste arrin t’i rezistojë Portugalisë”.
- “Portieri i Shqipërisë, Beqaj, thellon krizën e Portugalisë, e cila nuk mori dot më shumë se sa një barazim ndaj Shqipërisë, që luajti pjesën dërrmuese të lojës me 10 lojtarë”, shkruante e përditshmja daneze “Hillerod Posten” dje në faqet e saj sportive.
- E përditshmja ‘Bild’ boton në faqen e saj një artikull me titull: “Lala, i tmerrshëm”, ku shkruhet se pasi kanë ndalur kombëtaren e Ibrahimoviç, Lala e kombëtarja e tij kanë barazuar edhe ndaj përfaqësueses së Ronaldos.
- “Portugalia nuk ishte e aftë të linte gjurmë kundër Shqipërisë, në ndeshjen kualifikuese të grupit 1, duke humbur dy pikë të vlefshme në rrugën drejt Kupës së Botës 2010”, - shkruante një nga faqet më të mëdha sportive në botë, soccerway.com.
Barazimi ndaj Shqipërisë,dramë kombëtare
Portugezët janë një popull i lidhur ngushtë me trishtimin. Kjo karakteristikë e shpirtit kombëtar shfaqet qartë edhe në sport, mbi të gjitha në futboll. Mjafton të shohësh reagimet e shtypit vendas pas barazimit të Portugalisë kundër Shqipërisë së mbetur me 10 lojtarë për më shumë se 48 minuta pas daljes me karton të kuq të Telit. “Afrika e Jugut gjithmonë e më larg”, “Ndeshja më e keqe e 30 viteve të fundit”, “Turpërim”, “Katastrofë”, “Tragjedi” janë vetëm disa nga titujt e shfaqura dje në faqet e para të gazetave luzitane. “A Bola” flet për një “ekzibicion të tmerrshëm”: “Nuk ishte vetëm një 0-0, por një rezultat nën zero: në shtëpi, me lojtarin më të mirë të botës në fushë (Kristiano Ronaldo) dhe për më tepër me 11 lojtarë kundër 10 për më shumë se një pjesë loje”. Për “Jornal de Noticias”, me këtë ndeshje “deprimuese” kombëtarja ka “komplikuar gjithçka në rrugën e kualifikimit për në finalet e Botërorit 2010”. Në të njëjtën linjë edhe gazeta tjetër “Record”, që duket se e ka inatin mbi të gjithë me trajnerin Karlos Kueiroz, pasardhësi i Felipao Skolarit, largimi i të cilit po qahet sot më shumë se kurrë: “Tani bëhet e paevitueshme që të bëhen llogari”. Kundër Kueirozit është vërsulur edhe “Diario de Noticias”, ndërsa “Correio de Manha” e hap me një foto të trajnerit dhe me titullin “Kueiroz nën zero”.
Premiot, 3 mijë euro për barazimin
Lojtarët e Kombëtares shqiptare pritet të përfitojnë një premio nga 3 mijë euro secili për barazimin historik me Portugalinë. Sipas vendimit të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, kuqezinjtë marrin nga 2 mijë euro për kokë për çdo barazim në transfertë, por nga burime brenda krerëve të Federatës mësohet se këtë herë do të ketë diçka ekstra. Kjo për faktin e thjeshtë se barazimi në Portugalia ka qenë me të vërtetë i papritur dhe një rezultat historik, duke bërë që drejtuesit e FSHF-së të “hapin thesin” dhe të caktojnë edhe 1 mijë euro plus për çdo lojtar. Nëse do të kishin marrë pikë edhe me Hungarinë, atëherë bonusi për çdo lojtar do të ishte me të vërtetë i konsiderueshëm. Ndërkaq, kuqezinjtë u shpërblyen me 5 mijë euro secili për dy ndeshjet e para me Suedinë dhe Maltën.