E Shtunë, 31 Tetor 2026

Helm misterioz në mes të gjimnazit

 

KURBIN/ ROLAND NIKOLLI

Pako me helm në korridorin e shkollës së mesme të Fushë-Kuqes në Kurbin. Tre nxënëse dhe dy mësuese janë helmuar prej pluhurit, sapo një prej vajzave ka hapur nga kureshtja pakon e “harruar” në shkollë. Ndërsa adoleshentet dhe mësueset shfaqën shenjat e para, marrje mendsh e humbje ndjenjash, drejtoria është alarmuar duke nxjerrë me shpejtësi jashtë të gjithë nxënësit. Qindra vetë ndodheshin paraditen e djeshme në oborrin e shkollës së fshatit Gorre në Laç, në panik për atë që ndodhi, kurse të lënduarat prej helmit u transportuan me shpejtësi për në spitalin e qytetit. Gjendja e rënduar fizike dhe psikike i ka detyruar mjekët e Laçit t’i dërgojnë për në pavionin e Toksikologjisë në Spitalin Ushtarak në Tiranë, ku vetëm pasdite u qetësuan. Ngjarja ka nisur të hetohet me shpejtësi, por ende është mbuluar me mister, pasi nuk dihet lloji i helmit dhe mënyra e braktisjes së tij në korridorin e katit të parë, të një prej shkollave më të mëdha të zonës. Gjithçka ka nisur sapo ka rënë zilja e përfundimit të orës së mësimit në gjimnaz, rreth orës 10:30 të mëngjesit. Nxënësit e vitit të dytë e të tjerë kanë dalë nëpër korridore apo jashtë godinës, në pritje të nisjes së orës së mësimit. Tre vajza, 16 dhe 17-vjeçare kanë dalë në derën e klasës, kur njëra prej tyre ka pikasur pakon e mbështjellë, me mbishkrimin “Cardpond”. Ajo e ka futur brenda në klasë, por ndonëse kanë dalluar në gjuhën italiane shenjat “Mos e prek”, “Ka efekt turbullues”, nuk e ka lënë kureshtja. Sapo e ka hapur një erë e rëndë, djegëse e një pluhuri të bardhë u ka shpuar hundët tre shoqeve dhe mësueseve që ndodheshin në atë moment pranë tyre. Ato kanë shfaqur sipas dëshmive të vetë të helmuara e nxënësve të tjera marrje mendsh, të vjella, dhimbje koke e të dridhura, ndërsa njëra ka humbur ndjenjat. Kjo situatë alarmante ka bërë që nxënësit të dalin me shpejtësi jashtë e bashkë me ta dhe shokët e shkollës e arsimtarët. Drejtori i shkollës, Luigj Deda, tha dje se u detyruar të nxjerrë nga mësimi të gjithë nxënësit, duke dyshuar se lënda helmuese ishte hedhur me dashje. Të helmuarat u transportuan në spital, ndërsa policia e Laçit ka mbërritur në Gorre. Menjëherë është bllokuar lënda si dhe u morën në pyetje të gjithë nxënësit e stafi pedagogjik. Deri në mbrëmje policia e Laçit nuk dha një përgjigje të saktë mbi ngjarjen, në pritje të ekspertizës nga laboratori. Hetuesit nuk përjashtojnë faktin se dikush e ka lënë pa dashje pakon me helm, për ta përdorur në bujqësi, ndërsa pista tjetër është ajo e hedhjes me dashje. Në komisariat janë shoqëruar disa nxënës problematikë, por megjithë dyshimet nuk është provuar fajësia e tyre. Për policinë, analizat do të përcaktojnë nëse helmi mund të kishte efekte më të mëdha apo vetëm mbi personat që ndodheshin në rrezen e afërt të veprimit të tij. Mësohet se në orët e mbrëmjes, të pesë të helmuarat kanë lënë njëra pas tjetrës spitalin ushtarak, pasi gjendja e tyre ishte plotësisht jashtë rreziku. Në shkollën e mesme të Gorres mësojnë rreth 500 nxënës, të cilët janë të zonës përreth, por dhe nga qyteti i Laçit.

Flet drejtori i shkollës Gorrë: Ishte bar miu

Drejtori i shkollës së mesme në Gorre, Luigj Deda rrëfeu dje ngjarjen, si dhe dyshimet e tij në lidhje me helmimin e nxënësve dhe dy mësueseve, njëra prej të cilave gruaja e tij. Sipas tij, qesja që nxënësit gjetën në korridor ishte bar miu.
Z. Deda, sa është numri fëmijëve dhe mësuesve të helmuar?
Janë pesë persona të helmuar gjithsej. Tre prej tyre janë nxënës dhe dy mësuese. Njëra nga mësueset është bashkëshortja ime.
Si ndodhi ngjarja?
Ishte rreth orës 11:00, momenti kur ka ndodhur helmimi i nxënësve dhe mësueseve.
Çfarë simptomash paraqitën ata?
Kishin temperaturë dhe të vjella, ndërsa dridheshin të tëra. Situata dukej sikur normalizohej për momentin, por më pas riniste e njëjta gjë, pra të vjella. Ishte e tmerrshme të shikoje një skenë të tillë.
Si vepruat ju?
Nxora mësuesit nga klasat dhe iu kërkova të nxjerrin të gjithë nxënësit nga shkolla. Ndërkohë, polici i shkollës lajmëroi menjëherë komisariatin e policisë së Laçit që erdhi në vendin e ngjarjes. U gjet një qese me bar miu, e cila ishte prekur nga nxënësit pa dijeni. Ajo kishte përhapur në korridor helmin paralizues. Tashmë me këtë çështje do të merret policia.

Mjeku: Tri orë në terapi intensive, kaluan rrezikun

TIRANE - Andrin Tahiraj, një nga mjekët toksikologë që është marrë me dhënien e ndihmës mjekësore nxënësve të Fushë-Kuqes, nën drejtimin e Dr.Zihni Sulajt, tha dje për gazetën “Panorama”, se gjendja e dy mësueseve dhe tri nxënësve është tejkaluar. Sipas tij, pesë pacientët kanë mbërritur në spitalin ushtarak me një epikrizë përcjellëse nga spitali i Laçit, ku thuhej se ato ishin të intoksikuara nga një element i pakuptueshëm. Për këtë shkak nxënëset gjimnaziste dhe mësueset e tyre janë dërguar në sallën e urgjencës dhe janë mbajtur për së paku tri orë në vëzhgim të mjekëve. Gjatë kësaj kohe sipas mjekëve ato janë trajtuar me serume dhe me medikamente të tjera të nevojshme në këto raste. Ato kanë pohuar se kanë ndjerë një erë shpuese të mprehtë dhe të rëndë, por që sipas tyre nuk mundeshin ta identifikonin. Për këtë shkak ekipi i mjekëve toksikologë të spitalit ushtarak, kanë marrë kampione të gjakut të pacienteve dhe e kanë nisur në drejtim të Institutit të Mjekësisë Ligjore për të krye ekzaminimet përkatëse, me qëllim për të zbuluar lëndën e saktë që mund të ketë shkaktuar helmimin e tyre. Ndërkaq, Tahiraj pohoi dje, se pas mjekimit të marrë tek të dëmtuara vërehej më tepër një shok psikologjik dhe nuk përbënte rrezik për jetën e tyre. Pas disa orësh qëndrimi në spital tri nxënëset dhe dy mësuese të tyre janë larguar nga spitali ushtarak në gjendje të mirë shëndetësore.                 d.b

Të helmuarat

Rudina Vata,17 vjeçe
Djana Ndoj,16 vjeçe
Esmeralda Vuthi,16 vjeçe
Rake Deda,55 vjeçe
Drane Jaku,50 vjeçe

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›