E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSBE: Ligjet për drejtësinë forcojnë kontrollin e qeverisë

 

ADI SHKEMBI

Projektligjet e qeverisë në sistemin e drejtësisë, të cilët synojnë të luftojnë korrupsionin, duket se forcojnë kontrollin e ekzekutivit mbi gjyqësorin. Ky është vlerësimi i kreut të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadorit Robert Bosch në raportin e radhës, që ka paraqitur përpara Këshillit të Përhershëm të OSBE-së në Vjenë. Në një material prej 11 faqesh, kreu i OSBE-së është ndalur në të gjitha fushat, që nga Kodi Zgjedhor, çështja e pronësisë, largimet në administratë e deri te konsensusi mes forcave politike për reformën zgjedhore dhe rritja ekonomike në Shqipëri. Duke u ndalur te sistemi i drejtësisë, ambasadori Bosch vë theksin tek iniciativa e Ministrisë së Drejtësisë, e cila hartoi një projekt të ndryshimeve për Prokurorinë dhe në shtator dërgoi në Kuvend p/ligjin për administratën gjyqësore. “Deri më sot, dy projektligjet, të cilat synojnë të luftojnë korrupsionin brenda gjyqësorit, duket se forcojnë kontrollin e ekzekutivit mbi gjyqësorin, duke ngritur pyetje mbi ndarjen e pushteteve dhe ato nuk u diskutuan si duhet me aktorët kyçë përpara se të paraqiteshin zyrtarisht. Në përgjigje të kritikave nga bashkësia kombëtare, tani po zhvillohen konsultime”, thuhet në raportin e ambasadorit të OSBE-së. Në të njëjtën kohë, misioni kritikon edhe mënyrën se si u miratuan në Këshillin e Ministrave disa projektligje që kanë të bëjnë me avokatinë, noterinë, gjykatën administrative etj. Sipas këtij raporti, projektligjet nuk u konsultuan në publik dhe u shpërfillën komentet e ndërkombëtarëve. “Në tetor 2008, Këshilli i Ministrave miratoi një sërë projektligjesh për profesionin e avokatit dhe noterit, gjykatat administrative dhe shërbimin e përmbarimit me qëllim, siç pretendohet, që ta përafrojë legjislacionin kombëtar me standardet e BE-së. Megjithëse është ende herët për të komentuar mbi hollësitë e këtyre ligjeve, mund të vërehet se ato u miratuan ose pa iu nënshtruar një procesi të plotë konsultimi publik, ose duke shpërfillur komentet e bëra nga bashkësia ndërkombëtare”, vijon më tej raporti. Gjithashtu ambasadori Bosch është ndalur gjatë edhe në rrëzimin nga ana e Parlamentit të pesë dekreteve të Presidentit Bamir Topi për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Sipas tij, debati u fokusua në procedurat që zgjodhi kreu i shtetit për të dërguar në Parlament këto emra. “U zhvilluan debate të ndezura në lidhje me çështjen nëse Presidenti veproi në mënyrë kushtetuese në procedurat e emërimeve për Gjykatën e Lartë. Qeveria argumentonte se Presidenti paraprakisht duhet të kishte hyrë në diskutime joformale me Kuvendin”, thekson Bosch. Por, sipas tij, “në të vërtetë shumë vetë e panë votën pasuese kundër kandidaturave të Presidentit nga ana e Kuvendit si një votë politike përkundrejt vendimit të Presidentit për të mos hyrë në konsultime. Çështja u zgjidh vetë, pasi Presidenti ngriti një grup ekspertësh për të përcaktuar një paketë kriteresh që duheshin përmbushur nga grupi i kandidatëve të ardhshëm, të cilët më pas u miratuan. Ngritja e grupit të ekspertëve qetësoi situatën dhe për këtë i duhet dhënë meritë e madhe Presidencës që e propozoi këtë ide”.

pjese nga raporti i osbe

Në dallim nga vitet e mëparshme, viti i fundit u karakterizua kryesisht nga një periudhë gjatë së cilës dy partitë më të mëdha politike arritën të gjenin një mirëkuptim të gjerë politik për programin e reformave.

Për Shqipërinë, ftesa për t’u anëtarësuar në NATO gjatë samitit të Bukureshtit shënon ngjarjen më madhore politike. Kjo ngjarje ishte gjithashtu faktori parësor për të shpjeguar përse partitë kryesore politike filluan të zhvillonin një konsensus ndërpartiak për çështjet kryesore strategjike.

Në lidhje me trafikimin e qenieve njerëzore, qershori 2008 pa publikimin e një raporti kritik nga Departamenti i Shtetit i SHBA-ve, ku thuhej se është shënuar progres i pakët në identifikimin e viktimave të trafikimit dhe se ka pasur mungesë ose rënie të ndjekjes penale të trafikantëve.

Në radhët e policisë, megjithëse shumë prej largimeve mund të kenë qenë të justifikuara, disa nga procedurat e përdorura për largimin e tyre janë parë si jo-transparente.

Duhet kryer një vlerësim i kërkesave në pritje të paraqitura pranë Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (AKKP) dhe procedurat zbatuese duhen përmirësuar për të rritur efikasitetin.

Në lidhje me reformën për barazinë gjinore, nëse shihen raportet dhe treguesit ndërkombëtarë, është e drejtë të thuhet se mbetet ende shumë punë për të bërë. Vetëm 7% e Parlamentit është e përbërë nga gratë dhe vetëm 2% e kryebashkiakëve janë gra.

Pas kërkesës për mbështetje të Qeverisë shqiptare drejtuar Forumit për Bashkëpunim në Çështjet e Sigurisë, më 25 korrik 2008, ministri shqiptar i Mbrojtjes dhe Kryetari i Prezencës nënshkruan një marrëveshje për asgjësimin e një komponenti toksik të karburantit të raketave të njohur si melanzh.

Në maj 2008, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive u asistua për trajnimin e punonjësve të zyrës së taksave dhe doganës mbi kuadrin ligjor për konfliktin e interesave dhe deklarimin e pasurive.

Në vitin 2007 përfundoi faza e dytë e një projekti me Sistemin e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për regjistrimin e parë. Gjatë kësaj faze u regjistruan dy zonat më të mëdha informale si dhe 34.000 prona.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›