Ndal Ronaldon, tani Vangjelin e duan të gjithë
Jetmir Halilaj
Të mërkurën në mbrëmje tregoi realisht se sa vlen.Nuk ishte aspak rastësi kur Kristi Vangjeli nxori nga “binarët” Van Persin në “Qemal Stafa” një vit më parë, sepse një gjë të tillë arriti ta bënte edhe me Kristiano Ronaldon në shtëpinë e këtij të fundit. Mbrojtësi shqiptar ishte padyshim ndër më të mirët në sfidën e së mërkurës, por ai bën modestin dhe suksesin ia faturon gjithë skuadrës. “Ronaldon ndoshta nuk mund ta ndali askush i vetëm dhe nëse arritëm ta bllokonim të mërkurën, kjo ishte meritë e gjithë skuadrës, – ka thënë mbrojtësi 23 vjeçar. – Ishte një ndeshje tejet e vështirë ende pa mbetur me 10 futbollistë, imagjinoni pak se çfarë ndodhi më pas. Megjithatë, arritëm ta përballonim me sukses një nga skuadrat më të mira në Evropë dhe jam shumë i lumtur për këtë. Kjo është më e rëndësishmja nga të gjitha. Më vjen keq vetëm për humbjen në Hungari, pasi në atë ndeshje mund të kishim bërë diçka më shumë, por gjithsesi kemi ende shanse për të rikuperuar gabimet dhe mendoj se jemi në rrugën e duhur”.
Problemet
Vangjeli i ka treguar mbrëmjen e së mërkurës edhe drejtuesve të klubit të tij, Arisit, se çfarë është në gjendje të bëjë. Te skuadra greke gjërat nuk i kanë ecur aspak mirë, madje po vuan problemet që ka me drejtuesit, të cilët i kërkuan me çdo kusht që të zgjaste rinovimin e kontratës, por ai nuk pranoi, ndaj edhe gjatë javëve të para të kampionatit nuk është aktivizuar. “Më vjen keq që nuk luaj te klubi, por kjo nuk ndodh për shkak se unë nuk jam në formë, por për motive të tjera, që nuk kanë të bëjnë fare me formën time. Megjithatë, unë shpresoj që kjo situatë të zgjidhet sa më shpejt dhe të mund të transferohem në një klub tjetër. Ndoshta kjo mund të ndodhë që në merkaton e janarit”, ka thënë futbollisti.
Ofertat
Në fakt, ofertat për 23 vjeçarin e talentuar nuk kanë munguar, madje të mërkurën në mbrëmje, ai ka qenë në vëzhgimin e shumë menaxherëve të skuadrave të huaja dhe nëse klubi grek nuk do t’i sjellë probleme, në janar Vangjeli mund të transferohet në ndonjë ekip të njohur gjerman, ose portugez. “Nuk mund të përmend emra, sepse në merkato gjërat nuk funksionojnë sipas preferencave. Kam pasur vazhdimisht oferta, por më parë duhet të zgjidh kontratën me Arisin, – ka sqaruar lojtari. – Besoj se nëse kjo do të ndodhë, atëherë ka pak shanse që unë të vazhdoj të luaj sërish në kampionatin grek, pasi dua të luaj në një kampionat tjetër. Do të doja të transferohesha në një ekip të mirë, po ku të kem mundësi të luaj si titullar, ose më saktë të kem mundësi të konkurroj denjësisht për një vend titullari”. Për lojtarin e përfaqësueses kanë shfaqur interes disa klube gjermane, portugeze dhe kroate.
Paradoksi
Deri diku është edhe i çuditshëm si futbollist, pasi edhe pse nuk nuk luan me skuadrën e tij, në Kombëtare arrin të jetë gjithë protagonist. Vangjeli shkëlqeu edhe në ndeshjen kundër Holandës, ku brenda 45 minutave të para arriti të nxjerrë jashtë loje Van Persin që luan te Arsenali, të cilin ish-tekniku i “tulipanëve”, Marko Van Basten e zëvendësoi që në fillim të pjesës së dytë. Plot tre herë Kristiano Ronaldo gjuajti ‘pisët’ Kristi Vangjelin gjatë ndeshjes, por gjyqtari për asnjë moment nuk ndëshkoi me të verdhë yllin portugez. Në një rast u duk qartë goditja e qëllimshme me bërryl e Ronaldos në dëm të shqiptarit.
Agolli: Dueli im me
Ronaldon
Në sfidën Portugali-Shqipëri pati edhe një duel mes numrave “7”, të cilin padyshim e fitoi Ansi Agolli, mbrojtësi i majtë i përfaqësueses kuqezi, i cili jo vetëm që arriti të ndalte disa herë Kristiano Ronaldon, por në një moment edhe e dribloi atë duke ia kaluar topin në mes të këmbëve. “Do ta mbaj mend gjatë atë moment. Nuk të ndodh shpesh të driblosh lojtarin më të mirë në Evropë”, rrëfen Ansi Agolli për “Panorama”. “Ndihem i lumtur, i emocionuar dhe shumë i lodhur. Më duhet të pohoj se kjo ishte padyshim ndeshja më e vështirë ku kam luajtur ndonjëherë, por edhe më e bukura. Ende nuk më besohet që morëm një barazim, edhe pse luajtëm me një futbollist më pak për 48 minuta. Nuk mund ta përshkruaj me fjalë gjithë gëzimin që ndjej kur e mendoj. U përpoqa të bëja më të mirën në këtë ndeshje dhe kam vrapuar si i çmendur gjatë gjithë kohës. Ndoshta asnjëherë më parë nuk kisha vrapuar aq shumë. Mendoj se ai barazim mund të cilësohet patjetër si një fitore për ne”.
Grupi 1
Shansi për vendin e parë
Ndeshja e ardhshme e Kombëtares shqiptare në Grupin 1 të eliminatoreve të Botërorit 2010 do të jetë ajo në transfertë ndaj Maltës më datë 11 shkurt të vitit 2008. Në këtë ditë luhet vetëm kjo ndeshje në grupin tonë dhe nëse arrijmë të marrim tri pikët do të ngjitemi në vendin e parë në grup në kuotën e 8 pikëve. Aktualisht, grupi ku bën pjesën Shqipëria kryesohet nga Danimarka dhe Hungaria, që kanë të dyja 7 pikë, me danezët që kanë golaverazh më të mirë. Nëse kuqezinjtë marrin maksimumin, atëherë do të mund të ngjiten në vendin e parë në grup dhe do ta mbajnë këtë pozicion për më shumë se një muaj. Ndeshja tjetër e grupit 1 do të luhet më datë 28 mars ndaj Hungarisë.
Renditja
Skuadra N F B H G P
1.Danimarka 3 2 1 0 6-2 7
2.Hungaria 4 2 1 1 4-2 7
3.Portugalia 4 1 2 1 6-3 5
4.Shqipëria 4 1 2 1 3-2 5
5.Suedia 3 1 2 0 2-1 5
6.Malta 4 0 0 4 0-11 0