“Gërdeci, Prokuroria të vijojë hetimet pa ndërhyrjen e politikës”
OSBE i bën thirrje klasës politike që të mos ndërhyjë në punën e Prokurorisë së Përgjithshme për zbardhjen e tragjedisë së Gërdecit. Kreu i misionit të OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch, ka përfshirë në raportin vjetor të këtij organizmi edhe shpërthimin tragjik të 15 marsit në Gërdec. Sipas tij, organi i akuzës ka nisur një hetim në lidhje me këtë çështje, teksa bën edhe një apel për klasën politike. “Në mars 2008, një sërë shpërthimesh në një depo municionesh ushtarake pranë Tiranës (Gërdec) vranë 26 persona dhe lënduan 300 të tjerë, ndërsa u shkatërruan edhe mijëra shtëpi. Prokuroria e Përgjithshme nisi një hetim të plotë, i cili është në vazhdim. Prokuroria e Përgjithshme duhet të vijojë hetimet pa ndërhyrjen e politikës”, theksohet në raportin e misionit. “Në korrik 2008, imuniteti parlamentar i ish-ministrit të Mbrojtjes u hoq për t’i hapur rrugë hetimeve mbi rolin e tij. Në përpjekjet për rindërtimin e zonës, Qeveria ndërmori masa madhore, duke zhvilluar një strategji koherente pas-rindërtim. Sa i përket sigurisë së zonës, bashkësia ndërkombëtare në mënyrë të përsëritur ka bërë thirrje që perimetri i sigurisë prej 800 metrash përreth zonës së shpërthimit të respektohet si zonë e ndaluar, për aq kohë sa të certifikohet si zonë e sigurt nga ekspertë të huaj të pavarur”, vijon më tej raporti. Misioni i OSBE-së vlerëson punën e qeverisë në drejtim të reformës së Policisë së Shtetit. Në materialin prej 11 faqesh vlerësohet miratimi pak kohë më parë në Parlament të ligjit për forcat e rendit, por vihet theksi edhe në faktin se edhe në këtë institucion është i pranishëm fenomeni i largimeve dhe emërimeve politike.